Kurti: Puna e policëve prishi rehatinë e bandave kriminale në veri

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë zyrtarët policorë janë bërë shënjestër e “sulmeve të njëpasnjëshme” në veri të vendit, zonë që ai tha se më herët ka qenë “zonë e rehatisë për bandat kriminale të udhëhequra nga Beogradi”.

“Pikërisht për shkak të këtij aktiviteti të shtuar policor edhe në atë zonë ka pasur sulme të njëpasnjëshme ndaj zyrtarëve tanë, nga të cilët 25 zyrtarë janë lënduar lehtë, një është plagosur dhe një ndodhet aktualisht në trajtim mjekësor pas lëndimit që kishte marrë në aksionin e kriminelit famëkeq Llune”, tha Kurti gjatë ceremonisë së diplomimit të gjeneratës së 58-të të Policisë së Kosovës.

Millun Millenkoviç – Llune u arrestua më 13 qershor në Mitrovicën e Veriut, në një aksion të forcave speciale të Policisë së Kosovës.

Ai dyshohet për përfshirje në sulmin ndaj objektit të Komisionit Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut, si dhe për pjesëmarrje në përleshjet mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, më 29 maj në Zveçan.

Kurti nuk qartësoi se gjatë cilës periudhë kohore ishin lënduar 27 policët e përmendur nga ai, por më parë gjatë fjalimit ai përmendi dy vjetët e fundit, gjatë qeverisjes së tij.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se sulmet ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës janë intensifikuar dhe tha se ata po përballen me “banda kriminale” në veri të vendit.

Tensionet e fundit në veri të Kosovës, të cilat u rritën në fund të majit për shkak të ardhjes së kryetarëve shqiptarë në krye të komunave, vazhdojnë edhe më tej.

Më 10 korrik, BE-ja dhe Kosova konfirmuan se kanë arritur një marrëveshje për shtensionimin e situatës dhe një një ditë më vonë u prezantuan hapat konkretë: tërheqja e 25 për qind e policisë nga dhe rreth ndërtesave komunale në veri, organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme vendore pas verës dhe rikthimi në dialog për normalizimin e marrëdhënieve.

Lexo edhe :  Vetëm dy orë nga nisja e procesit/ Cënuan lirinë e votës, ndalohen pesë persona në Kosovë

Në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 58-të të Policisë së Kosovës – ku diplomuan 419 kadetë të rinj – mori pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Sot, të gjithë së bashku, të shprehim edhe një herë falënderimin dhe krenarinë tonë të pashoq me policët e policet tona që po shërbejnë në veriun e vendit tonë për ta mbrojtur çdo pëllëmbë të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.

Ajo bëri thirrje për anëtarësimin e Kosovës në Agjencinë Ndërkombëtare Policore (Interpol) dhe Agjencinë Evropiane të Policisë (Europol).

Osmani u shpreh e lumtur që në mesin e kadetëve të rinj ka edhe pjesëtarë të komuniteteve joshumicë, gjithsej 85, dhe vajza e gra, gjithsej 47.

Të fundit

Kontrabandonin pajisje elektronike nga Gjermania, arrestohen dy persona

Policia Kufitare e Portit të Durrësit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Porosia”, duke goditur një tentativë për kontrabandimin...

Elon Musk kërkon të marrë kontrollin e ChatGPT, ofron 100 miliardë dollarë për ta blerë

Një grup investitorësh të udhëhequr nga miliarderi amerikan Elon Musk ofruan 97.4 miliardë dollarë për të marrë kontrollin e OpenAI. Sipas Wall Street Journal, kjo...

Si do të njihen vitet e punës para ‘93 për efekt pensioni, ja kush do të përfitojë

Me të marrë miratimin në parlament, Instituti i Sigurimeve Shoqërore është gati këtë pranverë të hapë aplikimet për njohjen automatike të viteve të punës. Mjafton...

Rasti i Martin Canit, autori dërgohet në gjyq për vrasje, nën hetim stafi i shkollës

Mario Përlleshi, i mituri që i mori jetën bashkëmoshatarit të tij Martin Cani më 18 nëntor të vitit të kaluar, pranë shkollës “Fan Noli”...

I tha se po kopjon Luiz Ejllin, ja si i përgjigjet Gjesti-Loredanës

Loredana dhe Gjesti kanë shkëmbyer replika të ashpra gjatë një diskutimi në dhomën e gjumit, ku tema kryesore u bë dasma e Loredanës me...

Lajme të tjera

Web TV