Kryeministri Edi Rama ka bërë publik planin financiar për qytetarët e prekur nga izolimi për shkak të koronavirusit. Rama prezantoi planin me 7 pika ku janë parashikuar ndihma për Ministrinë e Shendetësië, si dhe për biznesin e vogël dhe njerëzit në nevojë.
Plani ka një buxhet prej 150 milionë eurosh.
- 2.5 mld lekë për luftën në vijën e zjarrit që vihet në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë.
- 10 mld lekë përmes një grancie sovrane për kompanitë që kanë vështirësi objektive për të paguar pagat e punonjësve të tyre.
- 6.5 miliardë lekë për nevojat më immediate për shtresat në nevojë, për biznesin e vogël, për papunësinë e mundshme.
- 2 miliardë lekë për Ministrinë e Mbrojtjes për operacionet humanitare.
- 1 miliard lekë si fond rezervë për Këshillin e Ministriave për çdo situatë të paparashikuar.
- Do të fshijmë përgjithmonë kamatvonesat për debitorët aktivë që kanë konsum energjie sot, familjarë ose biznes i vogël, me efekt financiar deri në 15 miliardë lekë. Përfitojnë 211 mijë abonentë.
- Do të riskedulojmë tatim fitimin për të gjithë biznesin për fashën nga 2 deri në 14 milionë lekë. Shtyrja e dorëzimit të bilancave deri më 1 qershor të këtij viti do të përfshihet nesër me të gjitha të tjerat si pjesë e aktit normativ.
Rama deklaroi se qeveria ka gjithashtu një plan rezervë B, por edhe një plan rezervë C.