Eksportuesit kanë hapur sërish debatin se rënia e euros në vend po ndikohet nga paraja informale.
Fenomeni nuk mohohet në raportet zyrtare për Shqipërinë. FMN në një studim të saj në 2019-ën i qëndron vlerësimit se Shqipëria dhe vendet e rajonit gati 1/3 e ekonomisë kanë informale.
Në renditje, Shqipëria është e fundit, ndërsa Kosova e para. Por, pavarësisht këtij fakti, asnjë vend në rajon nuk ka pasur një mbiçmim të fortë të monedhës kombëtare, ashtu si Shqipëria.
Sektori i ndërtimit dhe aktivitetet e pasurisë së paluajtshme janë sërish në shënjestër për qarkullimin më të madh të parasë informale.
Gjatë 2022-it aktivitetit i ndërtimit u zgjerua, por shifrat tregojnë se kreditë për strehim nga individët dhe kontratat porositëse nuk u rritën paralelisht.
Ekspertët janë të mendimit se pa luftuar informalitetin, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor nuk do të funksionojnë.
“Nëse situata shihet si shqetësuese, si nga ana e qeverisë, por edhe nga ana e Bankës, duhet ndërhyrje në një plan më makro.
Duhet luftuar informaliteti, duhet parë burimi i këtyre flukseve, mënyra si kanalizohen për t’u investuar dhe vetëm më pas, ndërhyrja nëpërmjet instrumenteve të politikës monetare, të mund të japë efektin e pritshëm”, thotë eksperti Igli Tola.
Forcimi i monedhës kombëtare me 12% në harkun kohor të 7 muajve u konsiderua një zhvillim jo-normal nga Banka e Shqipërisë.
Vendi përveç se në kontrollin e fluksit, ka dështuar edhe me politikën e de-euroizimit, ndërsa qytetarët preferojnë që kursimet dhe kreditë t’i marrin në monedhën europiane.