Nga Abdyl Frashëri te grupi i deputetëve të pushkatuar, Basha gjen rrënjët e të djathtës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Në fjalimin e parë pas rizgjedhjes si kryetar i PD, drejtuar mbi 4 mijë anëtarëve të Kuvendit Kombëtar, Lulzim Basha tha se rrënjët e të djathtës shqiptare janë më të hershme se dhjetori 1990 kur edhe u krijua zyrtarisht kjo forcë politike.

Për rreth 30 minuta, fjala e Lulzim Bashës u karakterizua nga ndjesa drejtuar demokratëve për luftën që sipas tij u bë për mure e godina e jo për të mbrojtur interesat e shqiptarëve përballë kësaj qeverie, te një ftesë drejtuar atyre që tashmë i janë bashkuar Foltores së Berishës dhe për tu thënë se dera e PD-së është ende e hapur.

Fjalimi i plotë i Lulzim Bashës:

Të nderuar delegatë demokratë, motra e vëllezër, qytetarë të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë! Bashkëatdhetarët tanë e kanë humbur shpresën. Ata kthyen sytë nga qeveria por nuk shohin shpresë.

Unë e di që i kthyen sytë nga ne, dhe pritën të bëheshim zëri i tyre. Por ne luftuam njëri-tjetrin në vend që të luftonim për njerezit. Për ju. Ne luftuam për mure dhe godina, në vend që të luftonim për shtëpitë e boshatisura të shqiptarëve. Për shtëpitë tuaja. Në luftuam për karrike dhe zyra, në vend që të luftonim për vende pune për të rinjtë dhe të rejat tona.

Për mirëqenien tuaj.Ne ju lamë në mëshirën e një qeverie që i keqtrajton demokratët, i demotivon të rinjtë, i përçmon shqiptarët. Në mëshirën e një qeverie që ju abuzon përditë.
Do ishte e lehtë të bëja atë që bëjnë të tjerët prej vitesh, të hidhja fajin diku tjetër, të fajësoja këdo. Por kjo do të ishte hipokrizi.
Do të ishte shtirje.
Nuk kam ardhur sot të shtirem para demokratëve.
Sot, unë ju kërkoj ndjesë të thellë demokratëve,
dhe në emër të demokratëve, në emër të Partisë Demokratike i kërkoj ndjesë shqiptarëve.
Arsyeja pse jemi këtu bashkë, arsyeja pse ekzistojmë si forcë politike është që tju shërbejmë njerëzve, jo vetes tonë! Qëllimi pse ekzistojmë është që tju ofrojmë shqiptarëve alternativë për qeverisjen e tyre, zgjidhje për problemet e tyre, rrugëdalje për hallet e tyre, vizion për të ardhmen e tyre.
Dhe këto do të jenë udhërrëfyes i rrugës së re që nisim bashkë sot.
Të nderuar delegatë,
Në këto dy vite tejet të vështira, ne rezistuam dhe nuk u beme kurre njesh me llumin e akuzave, nuk adoptuam kurre gjuhen e shpifjeve dhe lincimit publik. Shume here na e kane konsideruar këtë si dobesi. Por koha tashme e ka treguar se ata qe hodhen balte ndaj nesh nuk i fshehin dot me duart e pista nga shpifjet me te cilat demtuan demokratet dhe PD.

Ne nuk ju genjyem, nuk ju premtuam as përmbysje imagjinare dhe as revolucione qe nuk ndodhen kurre.

Ne jemi te vetedijshem per gjendjen ne te cilen ndodhet PD pas akteve te papergjegjshme te ish liderit të saj. Këtë të vertete nuk e fshehin dot as kullat qe kane ne themel korrupsionin dhe balten e hedhur ndaj nesh.

Ne jemi bashke sepse besojme tek vlerat dhe parimet. Tek e verteta dhe beteja me krimin dhe korrupsionin dhe jo tek seleksionimi per te luftuar disa e per te kursyer te tjere me te cilet behen pazaret e nates.

Per ne lufta ndaj krimit dhe korrupsionit ne politike e kudo eshte e pakompromiste. Dhe përballja me të keqen nuk ka ngjyrime apo aleanca, te dukshme apo te padukshme qofshin!
Sepse vetëm kështu jemi vlerë e shtuar për shoqërinë tonë,
vetëm kështu bëhemi të dobishëm për njerëzit,
vetëm kështu I japim kuptim ekzistencës sonë!
Shqipëria ka plot matrapazë që abuzojnë përditë më pasuritë e saj,
ka plot politikanë që shkelin përditë mbi interesin e saj,
ka parti që po e dëmtojnë të ardhmen e saj.
Ajo që i mungon është një alternative e re, e përgjegjshme, që e cliron potencialin e saj të jashtëzakonshëm, që shkon përtej fasadave, një alternativë e vërtetë për njerëzit. Kjo duhet të jetë Partia demokratike, kështu duhet të bëhemi ne!

Të nderuar demokratë,
E di që në mendjet tuaja ka patur shumë pyetje që kërkonin përgjigje; mbi vendimet e të shkuarës, mbi qëndrimin për non-gratën, të cilave koha tashmë ju ka dhënë përgjigje. Sepse në fakt koha është treguesi më i mirë i vërtetësisë dhe drejtësisë së kauzave tona.

Unë i kam marrë përgjegjësitë e mia si kryetari i PD, por një gjë dua të ndaj me ju sot: unë trashëgova një parti të transformuar nga partia e studentëve të dhjetorit në atë të një njeriu te vetëm.

Nga partia e lirisë dhe demokracisë në parti të diktatit personal. Kjo merr fund sot njëherë e përgjithmonë! Ne nuk duhet të harxhojmë më asnjë sekondë me të shkuarën. Sot njerëzit duan të dinë si do ta ndërtojmë të ardhmen.

Cfarë lloj partie jemi ne? Cilat janë vlerat ku besojmë? Për çfarë modeli modeli ekonomik jemi? Çfarë qëndrimesh gjeopolitike kemi? Dhe kush jam unë?
Duke e nisur nga kjo e fundit, që për mua është edhe më pak e rëndësishmja. Sepse unë besoj që politika nuk duhet të jetë për asnjë emër të përvecëm, AJO DUHET TE JETË NË FUNKSIONIN TUAJ, POLITIKA DUHET TË JETË PËR NJERËZIT;
Unë besoj se sa më shumë kohë harxhojmë ne si politikanë për njëri-tjetrin, aq më pak vëmendje ngelet për njerëzit, për shqiptarët, për problemet tuaja të përditshme.
Kjo është arsyeja pse kam qenë gjithmonë i rezervuar të flas për veten time, ta vë veten time në qendër të vëmendjes.
Jo se nuk kam cfare te them, përkundrazi!
Unë kam bindjet dhe formimin tim, historinë time personale, prejardhjen dhe familjen time për të cilat jam krenar dhe kam shumë për të thënë.
Përvoja që kam patur këto vite më ka bërë të njoh, të kuptoj dhe të informohem për thuajse gjithçka, të kuptoj shumë mirë korridoret e pushtetit dhe të shtetit, paradhomat dhe prapaskenat, dyert e mbyllura dhe skenën e madhe.
Në punën time kam bërë gabimet e mia, por gjithmonë jam përpjekur të mësoj prej tyre. Ama në asnjë rast nuk kam vendosur interesat personale mbi interesat e demokratëve dhe shqiptarëve. SEPSE kështu e kuptoj unë politikën.

Në çdo detyrë kam patur një objektiv konstant: T’i rezistoj dhe të ndryshoj sistemin e vjetër politik shqiptar të ndërtuar mbi shantazh, kërcënim, baltosje, korruptimin dhe kriminalizimin.
Anjëherë nuk jam bërë pjesë e politikës së vjetër. Asnjëherë në zyrat që kam drejtuar nuk i kam lënë hapësirë krimit të organizuar. Për mua clirimi i politikës nga krimi dhe clirimi i ekonomise nga monopolet kanë qenë dhe janë ndër qëllimet më fisnike të partisë tonë.

Sot, ne fillojmë bashkë një rrugë të re. Edhe unë e ndiej njësoj si ju se asgjë nuk është dhe nuk mund të jetë si më parë. Sepse në këto 2 vite, ne kemi përjetuar një situatë të paprecedentë për asnjë parti tjetër.
Por një gjë të dashur motra dhe vëllezër mos e prisni nga unë.
Unë nuk do të bëhem asnjeherë pjesë e teatrit që shfaq për ju cdo ditë kasta e politikës së vjetër, ndërkohë që ndajnë interesat në prapaskenë.

Aty ku dëgjoni duke u sharë e shqyer më shumë, aty do të gjeni pazarin me të madh mes tyre, sic e pa mbarë bota në rastin e Kullës-Mal të korrupsionit në qendër të Tiranës.
Unë besoj se arsyeja e shëndoshë, deçenca, përulësia dhe shërbimi ndaj qytetarëve duhet të jenë vlerat e politikanit.

Dhuna verbale apo fizike, vjedhja, bërtitja, sharja dhe korrupsioni janë antivlerat e rrënjosura në jetën politike 33 vjeçare. Tashmë ne e dimë që ka mbi një milion shqiptarë të cilët 3 muaj më parë i refuzuan këto antivlera të politikës. Dhe ky do të jetë koalicioni ynë për të drejtuar Shqipërinë – një koalicion vlerash.
Unë besoj tek ndarja e pushteteve dhe sundimi i ligjit. Drejtësia, SPAK, Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kanë për detyrë t’u tregojnë dhëmbët e ligjit të korruptuarve VIP.

Siç kanë nisur e duhet të vazhdojnë. Ne kemi për detyrë që të punojmë me të gjitha forcat për të siguruar sundimin e ligjit siç e kërkon ndarja demokratike të pushteteve. Këtë kemi bërë pavarësisht sulmeve dhe do të vazhdojmë ta bëjmë.
Në fazën e re ku gjenden fëmijët dhe nipërit e mbesat e tranzicionit, shqiptarët nuk pajtohen më me të keqen në pushtet. Midis fëmijëve dhe pushtetarëve ata zgjedhin të mirën e fëmijëve. Ne duhet t’i japim fund – dhe ky është angazhimi im solemn – ne duhet t’i japim fund kulturës politike të frymëzuar nga inercia komuniste dhe veset e tranzicionit.

Unë jam për një Shqipëri meritokratike, një shoqëri e drejtë, sepse njerëzit duan drejtësi mbi të gjitha. Një shoqëri e drejtë është qëllimi, vokacioni dhe përkushtimi im.
Një shoqëri e drejtë është e vetmja mënyrë për ta përballur të keqen që na ka pllakosur. Unë jam i bindur se kjo është shpresa që shohin në horizont shumica e demokratëve dhe shumica e shqiptarëve. Prandaj me ndihmën e tyre dhe me bekimin e Zotit ne do t’ja dalim!
Të dashur delegatë demokratë,
Zonja dhe zotërinj,
Të gjithë e dimë se Shqipëria ka nevojë për ndryshim për ta bërë jetën e shqiptarëve më të mirë – për të hapur vende të reja pune, për t’u dhënë të rinjve tanë një të ardhme më të mirë këtu në vendin tonë.
Dhe që të sjellim ndryshimin e vërtetë për Shqipërinë, ne duhet të hedhim hapa të sigurt drejt integrimit në BE.

Të gjithë jemi të bindur që futja në Europë do t’i ndryshojë përgjithmonë jetët tona. Integrimi europian i Shqipërisë do të sjellë fonde për zhvillimin e bujqësisë dhe biznesit të vogël, do të fuqizojë prodhimin vendas dhe eksportet shqiptare, do të sjellë më shumë mundësi për studentët dhe pedagogët, do të sjellë investime të huaja që do të hapin vende të reja pune me paga dinjitoze dhe do të rrisin mirëqenien e gjithë shqiptarëve.
Por kjo qeveri nuk është e interesuar që të ketë më shumë Europë në Shqipëri.

Sepse Shqipëria e standarteve europiane bie ndesh me ambiciet e tyre për të sunduar vetë e jo qeverisur për njerëzit.
Kush do të na çojë në Europë?
Rama dhe qeveria e inkriminuar dhe korruptuar që në 10 vite nuk bënë asnjë progresin për integrimin e Shqipërisë?
Une e di se ky nuk është momenti më i lehtë për ne. Janë bërë dy vite që drejt partisë sonë kanë hedhur baltë, e kanë luftuar dhe janë munduar ta eleminojnë, me lloj lloj mjetesh të përdorura nga kundërshtarët tanë, por shpesh herë për fat të keq, edhe nga disa brenda nesh.

Një betejë 2 vjeçare që u ka marrë shumë energji dhe kohë demokratëve të thjeshtë, dhe i ka lënë ata dhe gjithë shqiptarët që duan ndryshim në mëshirën e një qeverie të krimbur nga korrupsioni dhe skandalet.
Kjo nisi kur në shtëpinë tonë politike shpërtheu një konflikt me autor dhe protagonist ish-kryetarin pas shpalljes së tij nongrata nga aleatët tanë dhe pas vendimit tim tashmë të vërtetuar, të përkorë dhe të kujdesshëm, për ta pezulluar nga grupi parlamentar.

Sot përpara jush, me ndërgjegje politike dhe personale të pastër, dua të theksoj se cdo vendim imi, qëndrimi im për non-gratat, cdo hap që kam hedhur në këto dy vite, që nga vendimi për të pezulluar nga grupi parlamentar ish kryetarin e kësaj partie e deri te dorëheqja ime për ti dhënë një shans pajtimit, kanë qenë që të gjitha në funksion të së ardhmes se PD-së, të fitores së saj krah për krah me aleatët tanë, SHBA dhe BE kundër një pushteti të çimentuar piksëpari në krim dhe korrupsion galopant.

Nuk ka dyshim se po të kishim vazhdur të bashkuar në ketë rrugë, sot PD do të kishte rekuperuar diferencën elekrorale, përshirë atë të shitblerjes dhe vjedhjes së votave nga kundërshtarët tanë të së majtës dhe sot do të ishim parti e shumicës solide në sondazhe dhe në kutitë e votimit.

Në ndërgjegjen e Sali Berishës peshon mëkati që për hallin e tij që as ia shkaktuam ne, as e kishim ne në dorë për t’ia zgjidhur, dhe për interesat e tij të ngushta, i ka privuar demokratët nga fitorja e zgjedhjeve vendore dhe vazhdon të mbajë peng me gjakftohtësi dhe të trafikojë aspiratat e tyre për pazaret e veta.
Pas kësaj furie shkatërrimtare mbi Partinë tonë nga klasa e vjetër politike, kjo Parti ja doli të mbijetojë falë rezistencës tuaj, falë këmbënguljes tuaj dhe vlerave tuaja, që jeni prezent sot por edhe ata që na ndjekin nëpërmjet televizionit dhe që kanë mendjen dhe zemrën këtu sot me ne.
Dua t’ju falenderoj të gjithëve, një për një, për të gjithë atë që keni dhënë dhe jepni pa kursim për Partinë Demokratike të Shqipërisë. Ju, cdo demokrat i thjeshtë, jeni heronjtë e vërtetë të kësaj partie dhe të ardhmes së saj.
Për këtë arsye, të gjithë ata që sot ndoshta nuk janë në krahun tonë, të gjithë ata demokratë dhe demokrate, kontribues të pakursyer të Partisë Demokratike ndër vite, të cilët padyshim ndajnë të njëjtat vlera me ne, duhet të gjejne veten te kjo parti. Partia Demokratike, është shtëpia e të gjithë të djathtëve shqiptarë, është shtëpia e të gjithë demokratëve.
Unë dhe secili prej jush në këtë sallë sot, kemi dhënë të gjitha provat se qëllimi ynë i vetëm është e ardhmja e kësaj partie dhe e votuesve të saj.

Partia Demokratike është e demokratëve, është e shqiptarëve, është forca e parë anti-komuniste në vend dhe nuk do jetë kurrë në luftë me aleatët tanë gjeo-strategjikë, me SHBA, BE dhe MB!
Ne jemi partia perëndimore dhe euro-atlantike e Shqipërisë!
Ne jemi Partia Demokratike e Shqipërisë!
Sot në këtë sallë dhe jashtë saj, shumë nga ne kanë akoma me vete shenjat e plagëve nga kjo luftë e brendshme e shëmtuar! Por që sot e tutje ne duhet ta lëmë pas këtë konflikt, t’ja lëmë atë të shkuarës dhe autorëve të librave të historisë.
Arsyeja pse ne qëndruam dhe sot jemi mbledhur për të nisur bashkë një rrugë të re, janë njerëzit, janë shqiptarët që presin nga ne,
janë të rinjtë e papunë dhe ata që duan një vizion për të ardhmen,
janë familjet e reja që duan të dëgjojnë nga ne se SHQIPËRIA DO TË BËHET MË MIRË!
Sepse nuk ka asnjë emër të përvecëm që të dalë përpara interesit tonë kombëtar!
Sepse duke parafrazuar një nga mendjet tona më të ndritura, Sami Frashërin:,
Shqiperia ka qënë, Shqipëria është dhe
SHQIPËRIA DO TË BËHET!
Sado e vështirë të duket rruga jonë e re sot, ne atë do ta përshkojmë së bashku deri në fund, sepse
SHQIPËRIA DO TË BËHET!
Sado pengesa të na hedhin dhe ferra të na ngatërrohen nëpër këmbë, ne do të qëndrojmë e do të vazhdojmë pa asnjë mëdyshje rrugëtimin tonë sepse
SHQIPËRIA DO TË BËHET!
Sado e kalbur tju duket politika të rinjve, ajo do të ndryshojë me patjetër sepse
SHQIPËRIA DO TË BËHET!
Sado të turbullta tju duken qiejt dhe ujërat e Trekëndeshit të Bermudës, koha do hapet dhe qielli ynë do kthjellohet sepse
SHQIPËRIA DO TË BËHET!
Cfarë partie jemi ne
Të dashur motra dhe vëllezër,
Nisja e rrugës tonë të re për t’ju dhënë zë dhe shpresë shqiptarëve, për të ngritur edhe njëherë në këmbë Partinë Demokratike, partinë e transformimeve të mëdha të shoqërisë dhe të vendit, duhet të jetë pikë së pari një ndryshim i kulturës politike brenda nesh, por edhe kulturës politike shqiptare në përgjithësi.
Rruga jonë e re do të bazohet te arsyeja, te vlerat njërzore më të mira, te dashuria për kombin, te shqetësimi i përditshëm për problemet e njerëzve.
Ne duhet të bashkohemi rreth vlerave dhe parimeve. Vetëm kështu, duke luftuar për shoqërinë tonë, për njerëzit ne do fitojmë besimin e tyre për të sjellë ndryshimin e vërtetë.
Tradita jonë politike është shumë më e hershme se viti ynë i themelimit 1990.
Është shumë më e hershme se debatet tona të fundit, është më e hershme se rikthimi në pushtet në vitin 2005, është më e hershme se ’97 apo 92’, është më e hershme se Lëvizja e Dhjetorit, edhe pse këto janë stacione shumë të rëndësishme të saj.
Ajo shkon më tej, shkon mjaft më larg duke nisur me Abdyl Frashërin dhe Iljaz Pashë Dibrën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Me Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin që konceptuan dhe garantuan pavarësinë e Shqipërisë në kushte të jashtëzakonshme.
Me delegatët e Kongresit të Lushnjës që hodhën bazat e shtet-formimit shqiptar dhe të ndërgjegjies sonë kombëtare, politike dhe demokratike,
Me monarkinë shqiptare të Ahmet Zogut, me imagjinatë të pa konceptueshme për atë kohë për të ndërtuar një Shqipëri moderne.
Ne, Partia Demokratike, duhet të nderojmë dhe të mësojmë nga tradita jonë politike. Ne duhet të nderojmë kontributin e të djathtës anti-fashiste, idealet e sakrificat e rinisë antifashiste pa dallim feje, krahine e ideje gjatë luftes së dytë botërore ndërkohë që dënojmë fort tiraninë komuniste që vendosi Enver Hoxha për gjysëm shekulli dhe cdo mbetje të saj.
Ne jemi krenarë që rezistenca anti-komuniste në Shqipëri filloi në Vermosh-Vukël e Kastrat, nga kryengritja e Postribës në veri, te rezistenca e Zhapokikës ne Jug.
E djathta shqiptare janë dhe grupi i deputetëve të burgosur dhe të pushkatuar. E djathtë shqiptare janë të gjithë ata që u ndrynë gjatë gjithë komunizmit në burgje dhe kampe internimi deri tek të vrarët në kufi gjatë vitit 1990.
E djathtë shqiptare është emigracioni politik shqiptar që nuk pushoi se konceptuari një Shqipëri demokratike, që nuk pushoi luftën për përmbysjen e regjimit komunist me sakrifica deri në jetë, e djathtë shqiptare janë mocionistët që në gusht të vitit 1992 parandjenë dhe konceptuan dhe alarmuan shoqërinë shqiptare për gjëmën që po e gjente Partinë Demokratike.
E djathta demokratike është në përgjithësi ajo shumicë plebishitare njerëzish të lirë e të etur për demokraci, që votuan Partinë Demokratike në 22 mars të vitit 1992, shumicë e cila erdhi duke firuar me shpejtësi nga muaji në muaj e viti në vit per shkak të gabimeve dhe abuzimeve të ish-drejtuesve te PD.
E djathtë shqiptare janë gjithë ato forca liberale ekonomike që ju bashkëngjitën Partisë Demokratike në vitin 2005 dhe formësuan shkakun thelbësor të fitores së saj duke filluar nga Komiteti i Orientimit të Politikave.

Lexo edhe :  Pas protesta/ PD padit në SPAK ministrin dhe Policinë, Policia padit PD-në

E djathtë shqiptare është sot çdo shqiptar që i qëndron principeve dhe vlerave të saj, etikës së saj, decencës së saj, arsyes së saj, përkundrejt anti-kulturës së shkollës enveriste të sharjes, përbaltjes, mllefit dhe të përgojimit apo konspiracionit.
E djathta shqiptare eshtë në tërësi sipërmarrja e lirë shqiptare, e cila beson në sundimin e ligjit e jo të individit, epërisnë e rregullave mbi favorin e patronazhimit, konkurencën e ndershme me rregulla lojë, taksat e ulta, shtetin e vogël e të pakushtueshëm për taksapaguesit dhe politikat që hapin vende të pune.
Ne sot kemi një përgjegjësi të re, të ruajmë atë çka është e vlefshme nga trashegimia e Partisë Demokratike dhe nga historia e të djathtës sonë dhe ta pastrojmë emrin e saj duke braktisur çdo nuancë, çdo trend apo tundim intolerant, autokratik, depersonalizues dhe delirant.
Ky Kuvend, është pikë kthese dhe gur themeltar në historinë e Partisë Demokratike, që plotëson Kuvendin e 18 dhjetorit e vitit 2021 për të ndërtuar një parti të djathtë bashkëkohore shqiptare.
Pikërisht në ndërtimin e një Partie Demokratike të re dhe bashkëkohore, unë ju ftoj të nisim sot bashke këtë rrugetim për të ndryshuar partinë tonë, për të përmrëisuar dhe fuqizuar atë, për të ndryshuar opozitën shqiptare dhe nesër për të ndryshuar Shqipërinë.
Siguria është ajo që për të cilën ka sot nevojë shoqëria shqiptare më shumë se kurrë. Siguri ekonomike, siguri juridike, siguri të jetës dhe siguri shendetësore.
Përkundrejt kësaj të qeverie të korruptuar dhe kaotike në të gjitha drejtimet, busulla jonë duhet të jetë rregulli. Zbatimi i ligjit, drejtësia e pavarur, lufta kundër korrupsionit, ekonomia e tregut dhe meritokracia. Ne duhet të vendosim familjen në qendër të të gjitha përpjekjeve tona.
Për ne, familja është shtylla e shoqërisë sonë dhe do të jetë prioritet i programit të Partisë Demokratike duke synuar shumëfishimin e të ardhurave dhe rritjen e mirëqenies për të gjitha familjet shqiptare. Ne duam që çdo familje shqiptare të ketë më shumë para në arkën e saj, të paguajë më pak taksa, të përfitojë shëndetësi dhe arsim më cilësor.

PËR ÇFARË PARTIE JEMI NE?

Të dashur demokrate dhe demokratë,
PD nuk do të ekzistonte pa degët e saj të mrekullueshme me Kolegjin e Kryetarëve i cili meriton një mirënjohje të vecantë për mbijetesën e kësaj partie si një parti euroatlantike dhe properëndimore nga sulmi i furishëm nga të gjitha anët nga pushteti i vjetër dhe i ri. Pa qëndresën e tyre, dhe vlerat që ata mbrojnë dhe përfaqësojnë, ne nuk do të ishim sot këtu për të ndërtuar të ardhmen e kësaj partie.
Degët tona, 71 të tilla, janë dhe do të jenë baza në të cilën do të ndërtohet puna jonë, por tashmë kontributi i degëve nuk do të nëpërkëmbet, nuk do të anashkalohet nga të deleguarit e qendrës apo nga qendra, apo nga disa politikanë rastësorë, nga emërime fiktive që dhe unë, për hir të së vërtetës kam bërë në të kaluarën.
Pushteti ne Partine Demokratike do te jete ne duart e institucioneve dhe jo te individeve te vecante. Koha e patrimonise dhe e privilegjeve merr fund bashke me kultin e personalitetit. Qe te ndertojme Shqiperine europiane do te na duhet fillimisht te ndertojme Partine Demokratike bashkekohore dhe europiane, partine e qyetareve dhe anetarëve te saj dhe jo partine e kryetarit. Kryetaret ikin e vijne por demokratet dhe Partia Demokratike do te jete aty per te miren e Shqiperise dhe shqiptareve!
Por mbi të gjitha , PD duhet të jetë një parti e cila në thelb ka vend për të gjithë. Ne nuk duhet të bëjmë me të tjerë njerëz opozitë dhe të tjerë njerëz te ndajmë pushtet në të ardhmen. Të gjithë ata, kontributorë nga grup seksionet tek Kolegji i Kryetarëve, sekretarë, koordinatorët, nënkryetarë, janë dhe do të jenë në tribunë, të gjithë të shfaqur, të gjithë të njohur. Ky do të jetë pakti ynë i ri, besëlidhja jonë e re me parim kontributin dhe rezultatin.
Parimi i kontributit dhe rezultatit do të jetë parimi ynë themelor. Askush nuk do të marrë pushtet pa rezultat, askush që ka rezultat nuk do të shmanget nga pushteti. Kjo është pak por e sigurt në rrugën që kemi nisur për të ardhur në pushtet.
Unë sot i bëj një thirrje miqve tanë të Foltores, anëtarëve të thjeshtë deri te strukturat e asaj lëvizje. Të gjithë kanë një vend në partinë e madhe demokratike, të gjithë mund të bashkohen pa asnjë kufizim, në çdo çast, në çdo moment janë të mirëpritur për të ndërtuar një aleancë të madhe jo thjesht mes demokratëve por edhe me shoqërinë shqiptare. Partia Demokratike ka qënë dhe do të mbetet partia e parë e së djathtës, nga historia, nga potenciali dhe nga shpresa që rrezaton.
Ne do të ndërtojmë një federatë të gjerë, jo thjesht me parti të tjera të djathta dhe aleate të cilat janë të mirëpritura në projektin tonë të përbashkët.
Ne do ta zgjerojmë këtë aleancë përtej këtyre partive. Ne do ta zgjerojmë përmes Aleancës Qytetare për Demokracinë që do të sigurojë nesër shumicën e nevojshme për qeverisjen e vendit.
I bëj thirrje nga ky podium, edhe në emrin tuaj, kujtdo që beson te Partia Demokratike, kushdo që beson te një e ardhme më të mirë , kushdo që kërkon të japë kontribut për Shqipërinë, kushdo që beson te një politikë ndryshe dhe të moralshme, dyert e Partisë Demokratike do të jenë të hapura. Pedagogë, ekspertë në fusha të ndryshëm, të rinj të talentuar që Shqipëria i ka me shumicë, gazetarë e artistë, apo intelektual publik, profesionistë dhe sipërmarrës të diasporës së mrekullueshme shqiptare, Partia Demokratike, e djathta shqiptare dhe Shqipëria ka nevojë për kontributin tuaj. Prandaj ne jemi të hapur, unë personalisht do të jem gjithmonë i gatshëm dhe në kërkim të mirëpres kontributin tuaj për të ndërtuar të ardhmen që shqiptarët meritojnë.
PËR ÇFARË DEMOKRACIE JEMI NE?
Të dashur motra dhe vellezër,
Demokrate dhe demokratë,
Besoj se nuk ka shqiptarë sot që nuk e di se ku e ka katandisur Edi Rama dhe qeverisja e tij 10 vjecare demokracinë në Shqipëri. Praktikisht ne jemi sot në një parti-shtet, e cila kontrollon cdo institucion, cdo pushtet dhe cdo qelizë të administratës publike. Më shumë se kaq, përqëndrimin e pushtetit në një dorë të vetme, politika shqiptare nuk e ka patur asnjëherë në këto nivele në 33 vite pluralizëm. Në këtë kuptim, jeta publike shqiptare, insitucionet e saj kanë nevojë për një reformim të thellë për të ndërtuar një shoqëri demokratike dhe institucione të forta.
Nuk është e vërtetë që rinia dhe shoqëria shqiptare është apatike apo e painteresuar për punët e demokracisë dhe politikës në përgjithësi. Nuk është e vërtetë që shoqëria shqiptare është e paorganizuar. Ky është një mit i rremë që është ngritur për të mashtruar shqiptarët.
Gjatë periudhës prej 15 muajsh ndërprerje të politikës aktive, nga takimet e shumta që kam bërë, ajo që kam kuptuar nga njerëzit është pikërisht fakti se për përfshirjën e tyre më të madhe në jetën publike mungojnë instrumentat e garës, mungon pikërisht demokracia funksionale. Jo më kot, kudo që munden të rinjtë tanë në shkolla, në universitete dhe në komunitete të ndryshme organizohet në mbrojtje të interesave të tyre. Dhe mbajta larg e të rinjve dhe shoqërisë nga jeta publike, bllokimi i instrumentave demokratikë është rreziku më i madh që i kanoset të ardhmes së Shqipërisë.
Autokracitë e sotme , ashtu sikurse është kjo e e Edi Ramës padyshim, nuk kanë nevojë të nxjerrin ushtrinë në rrugë për pushtetin e tyre. Thjesht kanë nevojë për një shoqëri të brishtë dhe të pasigurtë për të ardhmen. E në këtë kuptim vashdojnë e mbajnë pushtetin e gjatë duke luajtur me pasiguritë dhe frikërat që cdo individ apo shoqëri ka.
E pra pushteti i gjatë i Edi Ramës, i cili ka dëmtuar në thelb demokracinë në Shqipëri, ka krijuar një shoqëri të brishtë. Prandaj ne sot kemi nevojë për reforma urgjente për të rrënjosur parimet e demokracisë në Shqipëri.
Si pasojë e ndryshimeve kushtetuese famëkeqe të vitit 2008, sot jemi në kushtet e një demokracie jofunksionale, jemi në kushtet e një bllokimi të përgjithshëm, ku një njeri, një parti, një grup mafioz ka kapur gjithçka në aleancë me oligarkinë ekonomike dhe krimin e organizuar.
Cfarë ka sjellë ky përqëndrim pushteti për shqiptarët përvecse korrupsion galopant?! Korrupsion i cili po del në pah përditë në sytë e shqiptarëve.

Ndërkohë aleanca mes politikës dhe krimit të organizuar e ka kthyer Shqipërinë në vëmendjen botërore si vend kyc për kartelet ndërkombëtare të narkotrafikut dhe pasrimit të parave.
Nuk ka ditë, javë apo muaj që mos të vijnë lajme nga SPAK-u për zyrtarë, ministra apo ish ministra për afera korruptive qindra million dollarëshe. Ne e përshëndesim punën e deritanishme të SPAK-ut dhe e mbështesim plotësisht dhe pa ekuivok këtë organ të Reformës në Drejtësi.
E pra të dashur miq, korrupsioni i kësaj qeverie është pasojë e drejtëpërdrejtë e përqendrimit të pushtetit në një dorë të vetme dhe mungesës së funksionimit të demokracisë.
Ne do të reformojmë thellësisht sistemin politik duke filluar me një kushtetutë të re, horizonti i së cilës do të kishte një tjetër ekuilibër pushtetesh, do të kishte një president nga populli, i cili brenda kompetencave të kufizuara kushtetuese të mos i merrte dorën kryeministrit që e zgjedh me 71 vota me mbështetje aq të vogël, me shumicë të thjeshtë, për të firmosur këtë apo atë akt.
Ne jemi për sanksionimin e parimit të listave të hapura të cilat do të zhbënin kryetarokracinë dhe kapjen e spektrit politik nga dy apo tre njerëz. Ne do ta rifunksionalizojmë garën demokratike përmes listave të hapura.
Vetingu politik është jetik për të mbajtur larg vendimmarrjes publike ata politikanë që kanë tradhëtuar interesin publik duke u korruptuar apo duke u bërë partnerë të hapur apo të heshtur të krimit të organizuar.
Kufizimi i mandateve është në bazë të shëndoshjes së demokracisë. Ne duhet të sanksionojmë jo më shumë se dy mandate, në krye të qeverisë.
Vizioni jonë për demokracinë shkon tek një qeveri e kontrolluar, tek një qeveri e balancuar, tek balancimi i pushteteve dhe tek fryma e institucioneve të cilat bëjnë të mundur pavarësinë e tyre në vendimmarrje në krahasim me vertikalitetin e sotëm nga qeveria qendrore dhe nga kryeministri i radhës.
Është detyrë patriotike, e jona dhe e kujtdo që ka perzemër të ardhmen e këtj vendi të ndërtojë një shoqëri demokratike dhe funksionale, e cila mban larg epshet pushtetit të gjatë dhe absolut të cilitdo politikan dhe të gjitha pasojat shkatërrimtare që kjo sjellë për të ardhmen e shqiptarëve.
Sigurisht që politika ka ndikuar dhe në ekonominë që ka Shqipëria sot. Ekonomia shqiptare reflekton gjithashtu një politikë të kapur nga interesa të ngushta. Prandaj sot kjo ekonomi lëngon, ajo ka nevojë për një vizion të ri, për frymëmarrje të re.
Ekonomia shqiptare sot vuan mungesën e garës, i cili eshtë një kusht thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm. Kjo vjen si pasojë direkte e mungesës së garës në sistemit politik, gjë e cila ka krijuar një ekonomi që varet tërësisht nga vullnetet e qeveritarëve. Kjo lloj ekonomie është e brishtë dhe e pasigurtë për të ardhmen e familjeve shqiptare.
Ne jemi për një një Ekonomi të hapur dhe konkuruese. Për këtë duhet të clirojmë ekonominë nga monopelet, të clirojmë burimet e rritjes ekonomike nëpërmjet institucioneve te forta te qeverisjes ekonomike. Keto burime ekonomike duhet te vihen ne sherbim te qytetareve permes:
-zgjerimit të lirisë ekonomike për sipërmarrjen private;
-luftën ndaj monopoleve dhe karteleve që kanë pushtuar sektor të gjerë të ekonomisë;
-transparences se plote mbi menyren e perdorimit dhe ndarjen e fitimeve qe burojne nga shfrytezimi i pasurive ekonomike te mbi dhe nentokes;
-dhe reformimit teresor te prokurimeve publike, duke vendosur standartet me te larta te transparences, te gares se ndershme dhe kontrollin qytetar mbi menyren e perdorimit te pasurive publike.
PD mbështet një sistem të thjeshtuar fiskal dhe me norma tatimore të ulëta.
Ne besojmë në një qeveri të vogël, të lehtë e të përballueshme për taksapaguesit shqiptarë. Qeveria e madhe, fryrja e administratës publike janë bërë me qëllim përdorim e saj për përfitime politike, por edhe për të mbajtur nën kontroll ekonominë dhe shoqërinë në përgjithësi. Ne do të mundësojmë përmes programit tonë thjeshtimin e procedurave dhe minimizimin e kostove te burokracise ne ekonomi dhe reformimin e administrates publike duke ndarë qartazi funksionet politike nga ato civile, me synim garantimin e qendrueshmerise se saj ndaj ndryshimeve politike.
Të nderuar delegatë,
Ne jemi parti e interesit kombëtar, parti e çështjes kombëtare, parti e kujdesit për diasporën, e angazhuar në një vizion të ri, në qëndrim të posaçëm në lidhje me gjëndjen e shqiptarëve në rajon dhe diasporë.
Ne i konsiderojmë shqiptarët e Shqipërisë me banim jashtë vendit si qytetarët tanë. Ata janë gjysma e Prodhimit të brendshëm Bruto sonë për nga kontributi që japin për investime për familjarët e tyre brenda vendit. Si i tillë, ky kontribut ka nevojë të kuantifikohet, të trajtohet dhe të shpërblehet në mënyrë të veçantë duke nxitur pjesëmarrjen e tyre duke filluar nga votimi i shumëpremtuar dhe i shumëpritur i diasporës, dhe pjesëmarrja ekonomike e saj që është esenciale.
Ne do të insisitojmë në jetësimin e votës së diasporës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe do të jetësojmë propozime konkrete që e bëjne funksionale kontributin e diasporës në ekonominë kombëtare jo thjesht si njerëz që sjellin para apo vijnë bëjnë pushime njëherë në vit.
Të dashur delegatë demokratë,
Partia Demokratike duhet të ketë një qëndrim të qartë për interesat dhe të drejtat e shqiptarëve kudo që ata jetojnë. Vecanërisht një mbështetje të pa kufijshme për Shtetin e Kosovës.
Ne jemi për konsolidimin e plotë të shtetit të Kosovës në aleancë me SHBA dhe BE. Ne mbështesim planin franko-gjerman dhe i bëjmë thirrje të gjithë forcave politike të Kosovës që të përforcojnë pa humbur kohë partneritetin me perëndimin. PD mbështet dialogun e Kosovës me Serbinë me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA, me synim arritjen e një marrëveshjeje finale me njohjen reciproke në qendër. Ne do të kërkojmë vëmendje dhe angazhim më të madh për garantimin e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc dhe ndalimin e spastrimit etnik që po kryhet atje përmes pasivizimit të adresave.

Partia Demokratike mbështet përpjekjet e vazhdueshme të shqiptarëve dhe përfaqësuesve të tyre në Maqedoninë e Veriut për avancimin e realizimit të të drejtave legjitime të tyre dhe kontributin e jashtëzakonshëm për integrimin e vendit në BE.
Ne mbështesim përpjekjet e shqiptarëve në Mal të Zi për të garantuar të drejtat e tyre dhe përshëndesim suksesin e arritur në zgjedhjet e fundit parlamentare prej subjekteve shqiptare duke uruar që në qeverinë e re të kenë një përfaqësim dinjitoz pasi kështu do të japin një kontribut të shtuar në përpjekjet e Malit të Zi për t’u bërë pjesë e BE-së dhe për të mos devijuar nga kursi pro-perëndimor i vendit.
Ne besojmë që përpjekjet për të drejtat pronësore të popullsisë çame meritojnë të kenë mbështetjen e shtetit shqiptar në organizmat ndërkombëtarë ku kjo e drejtë mund të fitohet.
E vetmja linjë gjeopolitike që Partia Demokratike duhet të ndjekë është krah për krah me Perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara. Pa këtë aleancë historike, natyrore, nuk mund të ketë prosperitet për bashkëkombasit tanë në Rajon e Ballkanit. Cdo rrugë tjetër, është një delir politik miop. Cdo rrugë tjetër, e ndryshme nga linja Perëndimore në Ballkan është në interes të armiqve të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Prandaj qëndrimi i Partisë Demokratike, do të jetë një dhe i patjetërsueshëm: Aleancë e pandarë me Shtetet e Bashkuara dhe Europën, me aleatët strategjik të kombit shqiptar.
Të dashur delegatë demokratë,
Zonja dhe zotërinj
motra dhe vëllezër,
kolegë dhe bashkëudhëtarë të mi në këtë rrugëtim të ri,
Sot nga kjo sallë e mbushur plot me demokratë, me të rinj të reja, do të debatojmë dhe diskutojmë bashkë për të ardhmen e partisë sonë, për të ardhmen e Shqipërisë, për tëe ardhmen e shqiptarëve.
Ju do të merrni sot vendime për të ardhmen e partisë sonë, për të ardhmen e Shqipërisë, për të ardhmen e shqiptarëve
Sytë e shqiptarëve janë kthyer sërish nga ne, ata po presin dhe do na dëgjojnë me vëmendje, sot në këtë sallë, dhe nesër anembanë Shqipërisë:
Vetë prania juaj sot këtu është shpresë dhe sjell shpresë.
Këto dy vite të vëeshtira kanë lënë gjurmët e tyre tek ne.
Ju jeni përballur me sulme, fyerje, dhe shpifje mga më cnjerëzoret
Dinosaurët e vjetër të kastës së Tranzicionit hodhën gjithë cfarë mundën nga sëndukët e tyre mbi ju dhe familjet tuaja
Ata donin t’ju thyenin
Ata Donin t’ju blinin
Ata Donin t’ju shisnin
Ata donin që t’ju zhvasnin nga e drejat juaj për të marrë vendime.
Donin dhe duan të vendosin ata
Për ju, për familjet tuaja, për fëmijët tuaj
Për PD për Shqipërinë
Duan të vendosin ata duke ju zhveshur nga e drejta e madhe që ne ndihmuam cdo shqiptar të fitojë 33 vjet më parë
E drejta për të vendosur për veten tuaj.
Por nuk ja dolën
Sepse sot vendimet do ti merrni ju.
Të gjitha vendimet e rëndësishme për drejtimin dhe përfaqësimin politik të partisë demokratike do të jenë në dorën tuaj.
Ndaj Ata që donin tju ulnin kokën tju rrëzonin sytë përdhe
tju shuanin zërin dhe tju topisnin vullnetin
sot marrin përgjigjen nga kjo sallë
Me votën tuaj
Sepse vendimi për të nesermen nuk ju takon atyre
Sepse ky vendim ështe e drejta juaj demokratike
Askush nuk ju privon dot më kurrë nga kjo e drejtë
Është e drejta juaj të vendosni për të nisur këtë rrugëtim
për veten tuaj, për familjen tuaj, për Partinë Demokratike dhe për të gjithë Shqipërinë
Ushtrojeni këtë të drejtë
Vendosni sot në këtë Kuvend
Dhe pasi ta keni bërë këtë mund të ktheheni në Tropojë dhe Dibër, në Fier, në Korcë dhe Elbasan, Në Gjirokastër, Berat dhe Vlorë, në Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Shkodër dhe ta mbani kokën lart kur të thoni” jam anëtar i Partisë DEMOKRATIKE”

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë./  S.M

Të fundit

“Vit stacion”, parashikimi për 2025-ën: Vera u përket lojtarëve të fuqishëm

2025 cilësohet nga Chrysanthi Kalogeri, astrologia e “Shije Shtëpie” në Tv Klan si “një vit stacion”. Në parashikimin e...

KQZ teston Platformën Elektronike të Regjistrimit për shqiptarët jashtë vendit

Të drejtën e ushtrimit të votës e ka çdo shtetas shqiptar, dhe në zgjedhjet parlamentare të 11 majit diaspora do të votojë. Institucioni përgjegjës,...

Vendoset kënga e Luizit në shtëpi, Gerta Gixhari habit me veprimin: Ç’është ky…

Ditën e djeshme, në shtëpinë e Big Brother VIP Albania u vendosën këngët e këngëtarit të njohur, Luiz Ejlli. Mirëpo ajo çfarë ka tërhequr vëmendjen...

Viti i Ri vjen me diell, por vishuni mirë! Parashikimi i motit për 31 Dhjetorin

Ditët e fundit të këtij viti dhe fillimi i vitit 2025 do të vazhdojnë me mot të qëndrueshëm, temperatura të ulëta dhe pa reshje...

“IdentiTek”: Nuk do të ketë aplikime për dokumente biometrike në 31 dhjetor

Shoqëria “IdentiTek” e prodhimit të dokumenteve të identitetit njofton se në datë 31 dhjetor, ditë e martë, nuk do të ketë aplikime për shtetasit. Ky...

Lajme të tjera

Web TV