Situata në Kosovë/ Rama i kërkon KFOR të “marrë” Veriun

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kryeministri Edi Rama në një konferencë për shtyp dje në Kryeministri ka kërkuar nga KFOR që të marrë në dorë Veriun e Kosovës për të stabilizuar situatën në vend. Po ashtu Rama ka shigjetuar edhe kryeministrin Albin Kurti që po mban larg vendimeve faktorin ndërkombëtar.

“KFOR-i duhet të marrë në kontroll Veriun”. Ky ishte apeli i kryeministrit Edi Rama për ndërkombëtarët pas sulmit të armatosur të grupit paramilitar serb në Zveçan. Shefi i qeverisë se në një postim në Twitter më 19 qershor të këtij viti, shprehej kundër asaj çka kërkoi dje, duke ironizuar atë që ai e quante “Republika e KFOR-it” në Veri. “Nëse situata agravohet duke rikthyer KFOR-in në krye të punës, atëherë lamtumirë për kush di sa kohë dhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFOR-it në Veri të Kosovës”, shkruante Rama në platformën online. Konstatimit për këtë ndryshim 360 gradë në qëndrim mbi situatën në Kosovë, Rama iu përgjigj duke thënë se nuk përjashtohet mundësia që të arrijmë te “Republika e KFOR-it” që ai ka përmendur më parë. “Nuk jemi akoma aty, por mund të shkojmë dhe aty, patjetër. E shikoni ju se çfarë ndodh. Kjo është diçka që nuk duhet ndonjë mençuri e veçantë, as dhunti për të parë të ardhmen. Duhet vetëm përqendrim te vija historike dhe vija e sjelljes së aktorëve në fushë për të kuptuar si mund të shkojnë gjërat. Kështu që akoma nuk jemi aty, por nëse sot nuk ka reagim do shkojmë aty. Me Facebook dhe me kolltuk në klubet e natës mediatike, mund të nisësh avionët, helikopterët, raketat dhe të shkosh ta shkatërrosh njëherë e mirë armikun. Në realitetin e gjeopolitikës dhe ballafaqimit të sotëm punon me strategji dhe punohet me mençuri dhe diplomaci. Kardshillëku është shprehje e përgjegjësisë, kështu që mos ma bëni si ata që thonë pse i thua kriminel pse s’i thua terrorist, se ti je vëllai i Vuçiçit”, tha Rama.

Faktori ndërkombëtar

Për kryeministrin Edi Rama, ndërkombëtarët kanë bërë gjithnjë gjënë e duhur kur vjen puna te çështja e dialogut Kosovë-Serbi. Teksa flitej për rezistencën e bërë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndaj ndërkombëtarëve sa i përket procesit të dialogut, Rama theksoi se pa BE-SHBA, Kosova nuk do të ishte shtet sot. “Ndërkombëtarëve që po u reziston Albin Kurti?…Si u bë Kosova shtet? Kush e bëri? Kush e njohu? Kush e bëri planin franko-gjerman?” Ndërsa përsëriti disa herë faktin që mund të jetë cilësuar nga disa në Kosovë si “vëllai i Vuçiçit”, kreu i qeverisë theksoi se homologu i tij në Kosovë, nuk mund të ketë gjithnjë të drejtë, “ndërsa e gjithë bota e ka gabim.” “Nuk është e mundur kjo. Aq më tepër kur dihet se kush janë palët. Sot unë po bëj atë që kam bërë edhe herë të tjera. Europa është hapësirë demokratike, jo hapësirë ku për çdo gjë bien dakord të gjithë. Kanë bërë gjënë e duhur, gjithmonë. Në kërkesat e tyre, duke i besuar ata, atij objektivi strategjik që kanë për dialogun”, tha ai. Po ashtu, sipas Ramës, Serbia nuk duhet parë më si një agresor, por si vendi që e ka humbur luftën me Kosovën. Ndërsa, kjo e fundit, siç u shpreh ai, është vendi që sot ka shansin që të marrë atë që ka kërkuar ndër vite.

Marrja e situatës nga KFOR

Këshilltarja e Kurtit- Ramës: Heshtja juaj ndihma më e madhe për Kosovën

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, ka reaguar pasi Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se KFOR-i duhet të marrë nën kontroll veriun e vendit, pas sulmit terrorist të së dielës ndaj Policisë së Kosovës. Mihali ka thënë se Kosova asnjëherë nuk ka kërkuar nga KFOR që ta marrë kontrollin në veri e as që do ta bëjë, derisa ka thënë se heshtja e Ramës për disa ditë do të ishte ndihma më e madhe dhënë Kosovës, në këto momente. Sipas Mihalit, “këtë e kërkon vetëm Serbia”. “Mbase heshtja e Kryeministrit të Shqipërisë për disa ditë do të ishte ndihma më e madhe, në këto momente, dhënë Kosovës. Po ashtu, Kosova asnjëherë nuk ka kërkuar që KFOR të marrë kontrollin në veri. E as nuk do ta bëjë. Këtë e di dhe çdo fëmijë i vogël. Këtë e kërkon vetëm Serbia. Qeveria e Kosovës ka kërkuar vitin e fundit kryesisht shtimin e trupave të NATO-s në Kosovë referuar kërcënimit dhe akteve të vazhdueshme të agresionit nga ushtria e Serbisë në kufi me Kosovën”, ka shkruar Mihali. Rama tha për mediat se KFOR duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës, propozim të cilin tha se e ka bërë më parë në samitin e NATO-s. Ai vuri në dukje se e ka paralajmëruar përshkallëzimin e ngjarjeve dhe theksoi se nuk duhet pritur më për të vepruar.

 

 

KFOR-i të kontrollojë Veriun

Berisha: Synimi i Ramës, të ndajë Kosovën mes Shqipërisë e Serbisë

Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama që të mos ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës. Në një reagim për konferencën për shtyp që kreu i qeverisë mbajti, mëngjesin e së enjtes, ku në fokus ishte situata e krijuar në veri të Kosovës pas vrasjes së një efektivi të policisë, Berisha deklaroi se synimi i tij është që të ndajë Kosovën. Teksa komentonte thirrjen e Ramës që KFOR të marrë kontrollin e veriut Berisha tha se nuk është e vërtetë që një gjë e tillë të jetë kërkuar nga Prishtina. “Qeveria e Kosovës në radhë të parë dhe partnerët ndërkombëtarë nuk janë dakord as me padronin e Edi Ramës, Vuçiç dhe argatin e tij në Tiranë. Ata mendojnë dhe besojnë se, përgjegjëse për sigurinë e rendit në të gjithë territorin e Kosovës është Policia. Ajo është linja e parë në garantimin e rendit dhe luftën ndaj kriminalitetit, në të gjithë territorin pa përjashtuar asnjë zonë. Natyrisht në çdo rast ajo bashkëpunon dhe duhet të bashkëpunojë me KFOR-in dhe EULEX-in, sa herë që t’i paraqitet nevoja.”, tha Berisha. Sipas tij, kjo kërkesë e Ramës vjen me porosi të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, që si qëllim kryesor ka “të dalë te ndarja e Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë”. Kreu i Rithemelimit i bëri thirrje Kosovës që të mos lejojë, siç u shpreh ai, ndërhyrjen në punët e saj të brendshme pasi kjo mund të rezultojë e “dëmshme dhe aspak e dobishme.”

Vuçiç tërheq policinë nga Veriu i Kosovës

 

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka bërë me dije se do të tërheqë policinë që ndodhet në Veri të Kosovëës për të vijuar me dialogun mes shteteve. Ai ka pranuar se Milan Radoiçiç ka qenë mes agresorëve

 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri thirrje për tërheqjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës. Kjo thirrje e liderit serb vjen në kohën kur autoritetet e sigurisë kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se është rritur prania e njësive speciale të Policisë së Kosovës në pjesën veriore. Gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Danimarkës, Lars Rasmussen, në Beograd më 28 shtator i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë të gjitha masat për të parandaluar “lëvizjet e rrezikshme dhe të papërgjegjshme të Prishtinës” dhe “të mbrojnë popullatën serbe”, njoftoi Presidenca serbe. Vuçiq e cilësoi situatën në Kosovë si “më të ndërlikuarën dhe më të rrezikshmen deri më tani” dhe shtoi se ngjarjet e 24 shtatorit janë “treguesi më i qartë i qëllimeve të Prishtinës për të parandaluar çdo marrëveshje me Beogradin”. Sipas presidentit serb, shteti i tij “është i gatshëm të punojë në vazhdimin e dialogut e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”. Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i maskuar dhe i armatosur, teksa forcat e rendit po tentonin të largonin barrikadat që ishin vendosur në një rrugë në fshatin Banjskë të Zveçanit – një prej katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe. Grupi i armatosur – që sipas autoriteteve përbëhej prej rreth 30 personash – më pas u strehua në manastirin e Banjskës, prej ku gjatë gjithë të dielës u përlesh me policinë.

Lexo edhe :  Zbulohet marrëveshja e Ramës dhe kryeministrit britanik, firmoset nesër në Tiranë

Milan Radoiçiç mes agresorëve

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka konfirmuar se Milan Radoiçiç ka qenë në mesin e serbëve që ndodheshin në manastirin e Banjskës në Zveçan në 24 shtator pas sulmit ndaj policisë së Kosovës. Sipas medias serbe Danas, Vuçiç është shprehur gjatë një interviste në Radiotelevizionin serb se në mesin e serbëve të filmuar arriti të njihte nënkryetarin e Listës Serbe, Radoiçiç. Ai u shpreh se nuk kishte dijeni nëse ky i fundit ishte në drejtimin e grupit serb, ndërsa zbuloi edhe vendndodhjen e tij. Presidenti serb tregoi se Radoiçiç ndodhej në Serbi dhe se ishte thirrur nga autoritetet e Beogradit për të dëshmuar në lidhje me atë që ndodhi në Banjskë gjatë fundjavës.

 

 

Sveçla thotë se po hetohet përfshirja e mundshme ruse në sulmin në Banjskë

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Kosova po heton për përfshirjen e mundshme të Rusisë në sulmin ndaj Policisë në Banjskë të Zveçanit. Më 24 shtator, rreshteri Afrim Bunjaku mbeti i vrarë dhe disa policë u plagosën, pasi autoritetet e rendit u sulmuan nga një grup i armatosur. Po ashtu, tre sulmues të dyshuar u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit. Kosova për këtë sulm, që e cilëson terrorist, e ka fajësuar Serbinë. Beogradi ka mohuar se ka gisht në ngjarjet në Banjskë të Zveçanit. Sveçla tha në një intervistë për Associated Press se hetuesit janë duke shikuar provat që e lidhin Rusinë – aleaten e Serbisë – me sulmin e armatosur. Armët ruse dhe pajisjet e dokumentet e tjera sugjerojnë për përfshirjen ruse në sulmin e armatosur, tha ai. “Ajo çka e dimë sigurt është se [sulmuesit] erdhën nga Serbia. Disa prej tyre janë serbë të Kosovës, që kanë shtetësi të dyfishtë – të Kosovës dhe Serbisë – dhe sipas informacioneve nga inteligjenca jonë, ata ishin trajnuar në kampet në Serbi”,  tha ai. “Kemi gjetur disa dokumente që na bëjnë të dyshojmë se ka pasur individë nga Rusia po ashtu”, tha ai. “Sa u përket pajisjeve, ne kemi dëshmi, por sa u përket individëve, ne ende kemi vetëm dyshime”, nënvizoi ministri i Brendshëm i Koosvës. Në Perëndim ka frikë se Rusia, duke vepruar përmes Serbisë, mund të synojë destabilizimin e Ballkanit dhe të shpërqendrojë vëmendjen nga pushtimi i saj i Ukrainës. Rusia ka ofruar mbështetje për Serbinë pas sulmit në Banjskë, duke e akuzuar Perëndimin se ka dështuar që të mbrojë serbët e Kosovës. Sveçla tha se bazuar në dëshmitë e mbledhura dhe pamjeve të incizuara me dron, disa nga sulmuesit, që ai iu referua si “terroristë”, mbanin maska gjatë operacionit. “As anëtarët e grupit që u arrestuan nuk e dinin se kush ishin ata”, tha ai. “Pra, ata ose janë zyrtarë të lartë të sektorit të sigurisë së Serbisë, ose kanë ardhur direkt nga Rusia”. Sipas Sveçlës, qëllimi i operacionit dukej se ishte marrja nën kontroll e veriut të Kosovës me synimin final që të shkëputjes së kësaj zone – e banuar me shumicë serbe – nga pjesa tjetër e shtetit. “Ata kishin mbi 100 uniforma. Ata po planifikonin që të rekrutonin më shumë persona brenda ku jetojnë serbët… Institucionet e Kosovës më pas do të duhej të përballeshin me disa qindra terroristë, sipas skenarit që ata kishin planifikuar”, tha ai.

 

BE: Nuk mund të barazohen terroristët me viktimat e terrorizmit

Bashkimi Evropian ka kritikuar Serbinë lidhur me shpalljen e ditës së zisë për sulmuesit e vrarë në veri të Kosovës më 24 shtator. Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha për gazetarët se “nuk mund të barazohen viktimat e terrorizmit me terroristët”. Ai shtoi se në zyrat e BE-së në Prishtinë flamuri u ul në gjysmështizë të hënën – pasi në Kosovë ishte ditë zie – për të nderuar policin e vrarë të Kosovës, Afrim Bunjaku, por nuk ka vepruar kështu kur në Serbi u shpall ditë zie. “Kemi parë se Serbia dje ka shpallur ditë zie. Të hënën zyra e BE-së në Prishtinë vendosi flamurin në gjysmështizë për të nderuar policin e vrarë dhe policët e plagosur, viktima të sulmit qyqar terrorist të dielën. Qëndrimi ynë është i qartë dhe ai është shprehur nga përfaqësuesi i lartë [Josep Borrell] më 24 shtator. Për më tepër, sulmuesit kurrë nuk mund të barazohen me viktimat. Prandaj, delegacioni i BE-së në Serbi nuk e ka vendosur flamurin në gjysmështizë. Në përgjithësi, BE-ja është fundamentalisht kundër madhërimit të kriminelëve dhe terroristëve dhe kundër mbajtjes së zisë për ta”, tha Stano. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se nuk mund t’i konsiderojë “kurrë terroristë” sulmuesit në Banjskë. Duke u përgjigjur në pyetjet për këtë deklaratë, Stano tha se sipas BE-së, sulmi ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator ishte sulm terrorist dhe si i tillë duhet të trajtohet dhe hetohet. “Para së gjithash më lejoni të përsëris shumë qartë qëndrimin e Bashkimit Evropian për atë që ndodhi të dielën. Ai ishte një sulm terrorist dhe si sulm terrorist duhet të hetohet. Dhe ata që janë përgjegjës duhet të sillen para drejtësisë. Secili që ka rol duhet të bashkëpunojë në mënyrë që ky sulm terrorist jo vetëm të hetohet në tërësi, por të ketë përgjigje para drejtësisë për ata që e planifikuan, kryen dhe që qëndrojnë prapa këtij sulmi”, tha Stano. Ai shtoi se BE-ja “nuk lëshohet në komente për çdo deklaratë apo secilin interpretim”, por theksoi se “duhet të ketë qartësi për atë që ndodhi të dielën”. Më herët BE-ja ka thënë se po pret përfundimin e hetimeve për të vendosur nëse do të ndërmarrë masa, teksa në bllok disa shtete kanë kërkuar që Serbia të ndëshkohet për rastin në Banjskë të Zveçanit./kb

 

Të fundit

Anija “hije” e Rusisë në Gjirin e Finlandës, NATO dhe Rusia ngrenë avionët luftarakë

Momenti dramatik kur avionët e NATO-s ata luftarakë rusë u përplasën mbi Detin Baltik, pas një përballjeje të tensionuar...

Analiza e votave: A u bindën shqiptarët nga partitë e reja? Mesazhi final është… jo!

Jemi në prag të mesnatës (15 maj) dhe procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve të 11 majit thuajse ka mbaruar. Kanë mbetur kryesisht...

“Rama e di të vërtetën për BE, por nuk e thotë”. Analisti: Europianët janë hipokritë

Gazetari Arjon Sulo, i ftuar në një intervistë në Euronews Albania, ka shprehur skepticizëm të thellë mbi qëndrimin e Bashkimit Europian ndaj anëtarësimit të...

“Më kanë grabitur votat brenda partisë sime!” Kandidati i PD-së denoncon… PD-në

Kandidati i Partisë Demokratike në listën e hapur në qarkun e Durrësit, Aulon Kalaja ka bërë një denoncim të fortë duke akuzuar dhe persona...

“Sa simbol i bukur!” Von der Leyen mbërrin në Tiranë për takimin e KE

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka mbërritur mbrëmjen e sotme në Tiranë për takimin e Komunitetit Politik Evropian. Përmes një postimi në...

Lajme të tjera

Web TV