Sikur të isha vajzë… dhe jo djalë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Nami në rrjetet sociale. Aq nam sa njerëzit nisën e të flisnin përçart. Thonë se në këto raste, çka barku nxjerr bardhaku. Po ec e ta vërtetosh…

Një herë e një kohë Haki Stermilli shkroi romanin “Sikur të isha djalë”. Por sot ka ardh puna me u shkrujt një tjetër roman por këtë herë me titullin: “Sikur të isha vajze”. Po pse?, – do pyesë ndokush. Në fakt ky nuk është as ndonjë mendim i im i drejtpërdrejtë, por rrjedhojë e humorit mbarëpopullor. Sepse ndodh rëndom që kur merret vesh se sa paguhen eskortat e klasit të lartë, shumë meshkuj tundin kokën të trishtuar dhe thonë: Si s’na boni Zoti femna por jahu.

Kështu më ndodhi me një të njohurin tim, tek po ndanim një kafe dhe ai si si gjithë të tjerët, –  meqë përtonte të blinte një gazetë, –  kishte zhytur kokën brenda ekranit të celularit nga ku mendonte se po merrte informacione me diapazon ndërkombëtar.

Trapeza e kafesë kishte mbetur pa tekst, por atë çast ai lëshoi pa kujdes aparatin e celularit mbi syprinë, ngriti kokën e tundi pak e duke shqyer sytë tha mendueshëm: Sikur të isha vajzë.

Duke e menduar fillimisht si lapsus ia ktheva: E ke gabim. Haki Stërmilli ka shkruar romanin: Sikur të isha djalë. Por ke hak, kanë kaluar vite dhe e ke harruar.

Tjetri tundi përsëri kokën por këtë herë me një tjetër nënkuptim, si për të më thënë: je në këtë botë ti apo jo.

-Lere Hakiun, se ka 100 vjet që e ka shkruar atë roman. Duket që nuk je azhurnuar me lajmet e fundit. Le po je dhe gazetar.

Pika pllakave… Se u ngatërrova: pika gazetarit, – desha të them.

U ndjeva në faj. E që të mos dukesha nul hapa dhe unë celularin që prej ca kohësh kam vendosur ta përdor vetëm në rast rreziku. Po të le njeri… Që në ballë më doli lajmi se një femër VIP nga Shqipëria i kishte shku nata në Dubai… fififiuuuuu… O të keqen lala e t’u bofsha kurban.

-Prandaj po të them, duhet shkruar një roman i ri tani, – vazhdoi i njohuri im. – Se ti je dhe si punë kamelxhiu, si ai…. Nesti i Postës. Ndaj futju punës.

Unë ngrita supet nga paaftësia aq sa u bëra për t’i ardhur keq gurit e drurit.

-Se shkruaj dot, se jam mashkull.

Dhe në mend më erdhi sërish një batutë nga filmi “Përrallë nga e kaluara”

-Pije uratë, pije

-Po jam prift njeri

-E di urat, e di po pije.

Dhe urata vuuuu… gotën e verës me fund aq sa nuk pa më nga sytë e ia mori valles.

Domethënë na paska ardhur koha të shkruajmë romanin “Sikur të isha vajzë”.

Tobestrakurullah.

-Një javë punë byrazer dhe i thua fukarallëkut tutje. 100 mijë dollarë nata. A e sheh se ç’bëhet?

-E shoh o Qazimo, e shoh.

Lexo edhe :  Demokracia dhe rritja ekonomike. Kush ushqen kë?

Lek vëlla lek. U shqepën shqiptarët me pare. Ca me shtëpi bari, ca duke u bërë qefin sheikëve. E ca të tjera kriminelëve. Epo një punë do ta bëjnë tani se dhe duarkryq nuk rrihet.

Pasaniket e Dubait janë vënë në garë. Para me grushte për femrat VIP. Jo vetëm e bukur dhe seksi, por të jetë dhe personazh publik. Këshu thonë axhanset, pa ç’rëndësi ka në është e vërtetë apo një falsitet. Ku ka zë nuk është pa gjë. Se nuk është hera e parë që flitet për femrat shqiptare të Dubait. Edhe po të jetë e vërtetë sërish ç’rëndësi ka. Te e fundit me djersën e tyre të ballit po jetojnë. Të jep njeri lek qyl? Asnjeri. As një gur me ça kokën s’ta jep tjetri, se i dhimset. Një pjatë supe edhe mundet…

Tirana tronditet herë pas here me lajme për femrat shqiptare që u çanë duke bërë para të thata e të patatueshme në vendet e pasura me arin e zi. Lajme sekrete. Lajme misterioze. Lajme që përbëjnë sekret hetimor, por kanë rrjedhur nga dosjet. Domethënë flitet për njerëz me precedent. Se djemtë e mirë nuk përfundojnë tek dosjet e SPAK-ut.

Po kush i nxirrka këto lajme? Se nuk është hera e parë që na rrjedhin sekretet nga dosjet e kasafortës. Kush është ai kodosh prokurori që hedhka në treg sekrete? Se duhet të jetë goxha trim besoj.

-Jo, duhet trimëri apo jo. Trimëri edhe aftësi. Ju i keni të dyja. Jeni dhe i pashëm – i thoshte duke nënqeshur oficeri i OVRAS tenente Gurabardhit, teksa ky i fundit po bënte hazër një duhan me të dredhur. Le po i kujtoi dhe shtratin e butë të sinjora Bertinit.

Në Dubai njerëzia shkon edhe pa viza. Hipi avionit dhe drejt e në vend të shpie. Pazari po është kopsitur. S’ka tërci e vërci.

-Eh sikur të isha vajzë, – psherëtinte bashkëbiseduesi im dhe vazhdonte të lexonte lajme nga celulari.

Me siguri po i kthehej në obsesion.

-Thonë që bëhesh, por duhet me kapërcy ylberin, – ia ktheva.

Dhe ec e ta gjesh ylberin. Rrugë e gjatë.

-Ore po thonë që janë mashtrime pale… videot i paska bërë njoni me inicialet AI. Di gjë ti?

Me siguri e di prokurori nga dosja e të cilit ka rrjedhur informacioni. Sepse mua atë çast m’u kujtua vetëm batuta e Çelos tek filmi “Nxënësit e klasës time”

-Dje më kapi Çelo Kasapi. Kërkonte të ndërhyja mik për të birin “Më mirë një mik se një çiflig”, – me tha. Ore Çelo, – i thashë, – unë nuk punoj në çiflig. Unë jam agronom në fermë.

Kështu dhe puna ime: unë gazetar në fund të rreshtit aty në gazetë jam. Nga ta di unë i ziu.

Po te e fundit ç’rëndësi ka nëse ishte i vërtetë lajmi në fjalë apo e kishte prodhuar inteligjenca artificiale. Lajme të tilla ka boll, dhe janë krejt reale.

Të fundit

Trump shton presioni: Putin, afati yt është më 8 gusht

Donald Trump ka rritur presionin ndaj Rusisë dhe presidentit Vladimir Putin. Gjatë kthimit për në Uashington nga vizita 5...

“Serbia të njohë Kosovën!” Dy kongresistet i shkruajnë Trump: Zgjidhe!

Dy kongresiste amerikane, Claudia Tenney dhe Chrissy Houlahan u kanë dërguar një letër presidentit amerikan, ku propozojnë njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Siç bënte...

Britania paralajmëroi njohjen e shtetit palestinez, reagon Izraeli

Izraeli ka kritikuar planet e Britanisë për të njohur shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në muajin shtator. Sipas mediave të huaja,...

Darwin Nunez po vjen në Serie A! Zbardhen tratativat

Objektivi i madh i Juventusit për sulmin është padyshim rikthimi i Randal Kolo Muani. Bardhezinjtë po punojnë për një transferim përfundimtar të sulmuesit francez....

671 mijë euro për deputetët në Kosovë edhe pse kanë zero punë!

Deputetët e Kuvendit të Kosovës tentuan pa sukses 54 herë të mbyllin seancën konstituive. Pavarësisht seancave çdo 48 orë dhe ndonjëherë më shpesh, puna...

Lajme të tjera

Web TV