Lajçak: Rajoni i Ballkanit Perëndimor s’po duket aspak mirë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, tha të premten se rajoni i Ballkanit Perëndimor “nuk po duket aspak mirë dhe të gjithë kanë frikë se mund të ringjallen fantazmat e së kaluarës”.

Duke folur në Forumin 2BS në Budva, Lajçak theksoi se situata mes Serbisë dhe Kosovës është përkeqësuar pas konfliktit në veri të Kosovës më 24 shtator dhe se kjo është “sfidë për të gjithë rajonin dhe jo vetëm për këto dy vende. ”

Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në luftimet që pasuan në manastirin e fshatit, u vranë tre sulmues serbë.

“Fatkeqësisht, pas asaj ngjarjeje situata është e tmerrshme. Tani më e rëndësishmja është vërtetimi i fakteve dhe nxjerrja e konkluzioneve dhe pasojave. Nga njëra anë, duhet të punohet për normalizim dhe dialog, por nga ana tjetër kemi përshkallëzim”, tha Lajçak.

Serbia i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”. Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiç, ish-kryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Më 3 tetor, Radoiçiçi u arrestua, u mor në pyetje dhe u urdhërua të mbahej në paraburgim policor deri në 48 orë, para se të lirohej një ditë më vonë, por pa pasaportë dhe me ndalesë për të shkuar në Kosovë.

Lajçak tha se ngjarja e 24 shtatorit nuk ishte aksidentale, por një çështje e rëndë dhe e qëllimshme e cila duhet të hetohet tërësisht.

I pyetur se çfarë mund të ndryshohet, Lajçak theksoi se në rrethanat aktuale nuk është e drejtë që Kosova të jetë nën masa negative të BE-së dhe se një nga mundësitë ka të bëjë me sanksionet (ndaj Serbisë), të cilat ai do t’i mbështeste.

Duke i komentuar akuzat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se ai ia mban anën Serbisë në dialog, Lajçak tha se “kur dikujt nuk i pëlqen një mesazh, atëherë e sulmon atë që e ka sjell mesazhin”.

Lexo edhe :  Plagoset me armë zjarri një 15-vjeçar në Tiranë, transportohet drejt Traumës

“Dialogu vazhdon që nga viti 2011. Në ndërkohë, kanë ndryshuar qeveritë në Kosovë dhe Serbi, kanë ndryshuar edhe strukturat evropiane. Por, dialogu është e vetmja rrugë. Nuk ka të ardhme evropiane pa marrëdhënie të mira mes Kosovës dhe Serbisë, dhe atje nuk ka normalizim pa dialog”, shtoi ai.

Kjo, theksoi ai, është sfidë për të gjithë rajonin dhe jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën.

“Gjatë vizitës sime në Amerikë, u takova me të gjashtë presidentët nga Ballkani Perëndimor dhe të gjithë janë të shqetësuar për situatën në veri të Kosovës”, nënvizoi ai.

Vërejtjes së prezantuesit se nuk ka mundësi të arrihet një marrëveshje mes këtyre dy vendeve, Lajçak iu përgjigj “do ta shihni”.

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, në të njëjtin panel tha se në Kosovë duhet të bëhet një hetim i pavarur: “Nëse në fund do të ishte e qartë se Serbia dhe lidershipi i Serbisë qëndronin pas çdo gjëje, ajo donte ta përdorte forcën për t’i ndryshuar gjërat në Kosovë, kjo do ta ‘ndryshonte lojën’. Kjo do të thoshte se kishte një vendim në Beograd që në fakt nuk ka vend për Serbinë në BE, por se ajo mbetet një nga sferat e interesit të Moskës, që do të ishte një lajm i trishtuar”.

Duke folur për zgjerimin, Lajçak tha se për herë të parë ka vërejtur që BE-ja është më e gatshme për Ballkanin Perëndimor sesa vetë Ballkani.

“Megjithatë, zgjerimi nuk do të ndodhë vetvetiu. Rajoni i Ballkanit Perëndimor është skeptik, por merreni këtë moment seriozisht. Duket se Ukraina dhe Moldavia e kanë marrë këtë moment seriozisht, dhe vendet e Ballkanit Perëndimor jo”.

E ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe rëndësia dhe roli i NATO-s janë fokusi i Forumit të 13-të të Sigurisë 2BS./I.S

Të fundit

“Emily shqipen e flet pak, por…”- Ilir Shaqiri rrëfen në podkastin me kryeministrin Rama

Balerini i njohur Ilir Shaqiri, në një intervistë në podkastin “Flasim” të kryeministrit Edi Rama, ka folur për vajzën...

Këmbimi valutor 1 shkurt/ Me sa blihen e shiten dollari dhe euro

Në tregun e këmbimit valutor shqiptar sot një dollar do blihet me 95.2 lekë dhe do shitet me 96.6 lekë. Ndërkohë monedha evropiane euro do...

Sot Kuvendi Kombëtar i Rinisë Socialiste, Rama ndan mesazhin e dy të rinjve

Në Pallatin e Kongreseve sot do të zhvillohet Kuvendi Kombëtar i Rinisë Socialiste. Kryeministri Rama ka postuar dje (31 janar) një video në rrjetet sociale,...

Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe dëborë në zonat malore, parashikimi i motit

Ditën e diel, moti do të jetë fillimisht me kthjellime, më pas vranësira në shtim të cilat do të pasohen me reshje shiu gjatë...

Miratohet ligji! Njihen vitet e punës në kooperativat dhe ish-ndërmarrjet shtetërore

Pas diskutimeve në komisionet parlamentare, merr “OK”-in ligji për njohjen e viteve të punës në ish-kooperativa e ish-ndërmarrje shtetërore, pa dokumente e kosto shtesë. Pas...

Lajme të tjera

Web TV