Nga Ylli Pata
Meqë u bë e modës që në panele numërohen përvjetoret e luftrave mes Izraelit e arabëve në Lindjen e Mesme, duke marrë për bazë masakrën-horror të Hamasit ndaj civilëve në Izrael, 7 tetori, ka edhe një përvjetor që lidhet me ne.
Në fakt nuk lidhet fare, por siç bëhen përgjithësisht lidhjet pa lidhje në politikën e Tiranës, jemi në një lloj përvjetori.
Në 7 tetorin e 2020-ës, Ilir Meta, atëherë president, i fut një status në Facebook, që u kthye jo thjesht në temën e debatit frenetik të darkës, por objekt lajmesh e analizash për ditë e ditë.
Në Kirgistan, një vend në mes të Azisë, pa asnjë kontekst e lidhje me Shqipërinë, rajonin e Europën, u zhvillua një protestë e fortë. Gjë e zakonshme në atë vend, ku një herë në vit apo dy-tre vjet ka protesta e rrëzime qeverish. Në këtë protestë u kërkua lirimi nga burgu i një politikani, që më pas u bë president, dhe presidenti që ishte u rrëzua.
Prapë edhe kjo nuk kishte lidhje me Shqipërinë, rajonin, apo edhe me ndonjë lajm, pasi atje ndodhin shpesh gjëra të tilla. Madje nuk e kishte kush në krye të lajmeve këtej nga nahija jonë, dmth Europë e Perëndim.
Megjithatë, atje në Bishek, kryeqytetin e Kirgistanit të largët, ishte një person që ishte kthyer në mankth për Sali Berishën dhe Ilir Metën këtu. Ai quhet Donald Lu, ambasadori i SHBA në Shqipëri, që pasi e “shkarkuan” nja 100 herë mediat e dyshes këtu në Tiranë, Donald Trump e dërgoi në Kirgistan për të ndalur sa më shumë influencën e Vladimir Putinit atje.
Logjika e haresë presidenciale 3 vjet më parë dhe fanfarave politike të paneleve, kishte këndimin e fitores se iku njeriu i Donald Lu-së atje, dhe erdhi një tjetër.
Madje Meta, shkoi larg në qasjen e tij. “Pas protestave popullore në Kirgistan, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve mori vendimin për anulimin e zgjedhjeve parlamentare të zhvilluara së fundi në Kirgistan dhe vendosi përsëritjen e tyre në një kohë të afërt. Me këtë rast, dëshiroj të përshëndes popullin kirgiz për guximin e treguar në denoncimin e parregullsive masive, veçanërisht atë të blerjes së votave nga forca pranë pushtetit, si dhe në përballjen me cënimin e rëndë që ju bënë lirive e të drejtave themelore të tij, duke i mohuar të drejtën për zgjedhje të lira e demokratike”, shkruante presidenti i atëhershëm i Shqipërisë.
Donald Lu-ja me që ra fjala, mbaroi mandatin si ambasador në Kirgistan, dhe u kthye në Uashington, ku shërben si Asistent i Sekretarit të Shtetit për Azinë. I cili përveç Metës e Berishës këtu, bëri armik edhe ish-kryeministrin e Pakistanit, Imhar Kan, i cili e akuzoi Donald Lu-në, meqë nuk e kundërshtoi pushtimin rus të Ukrainës. Kjo ndodhi në 2022-shin, një vit më parë.
Ndërsa sot, pak ditë pas përvjetorit të atij postimi që u kthye edhe në çështje në Tiranën politike, në Kirgistan ishte Vladimir Putini. E që u bë lajm kryesor në mediat botërore, pasi Bashkenti ishte kryeqyteti i parë i huaj që shkelte Putini, pas invazionit të Ukrainës. Siç dihet, ndaj Putinit ka edhe një mandat ndërkombëtar për krime lufte. Ndërkaq, po sot, numri dy i partisë së Ilir Metës, ambasadori Nesho, hapi gazetat e ditës me një opinion, ku e akuzonte Edi Ramën, për fjalimin e mbajtur dje në Parlament, që e cilësoi si “filorus”.
E gjithë kjo qasje e kompllikuar ka mjaft shtresa abrazive, e ndoshta duhet ta analizojnë strategët e darkës, por pyetja vjen spontane: ç’lidhje ka me Shqipërinë? Në fakt nuk pati lidhje as atëherë kur ndodhi ububuja. E gjitha ishte për të “zhdëpur” Donald Lu-në meqë kishte folur për peshkaqenët.
Se në fund gjërat do lëvizin; Vladimir Putin e ka gjetur strehën në Kirgistan, pasi ndaj edhe e nxori nga burgu Sadir Japarovin, ç’ka u kthye atëherë metaforë në Tiranë. Siç edhe Donald Lu, me gjasë do të kthehet në Shqipëri, në rolin e ri që ka në Uashington, e kush e di, mund të flasë sërish mbi pasionin e tij të vjetër për “Peshkaqenët”…/e.t