Nga Lutfi Dervishi
Presidenti i Serbisë vijon refrenin se nuk do ta njohë Kosovën, megjithëse praktikisht Serbia e njeh Kosovën dhe ata që i shkojnë pas.
“Për ne njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje dhe këtë e kam përsëritur disa herë dhe nuk e kam të vështirë as turp ta them dhe përsërisë para presidentes së Komisionit Evropian’, tha sot Presidenti i Serbisë gjatë një konference të përbashkët për gazetarë me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen.
Serbia e ka njohur de – facto Kosovën disa herë që pas shpalljes së Pavarësisë.
Serbia që në Kushtetutën e miratuar më 2006 ka shkruar se Kosova është pjesë e Serbisë ka pranuar që me liberalizimin e vizave -më 2010 të përfitonte vetëm një “pjesë e territorit dhe vetëm një pjesë e banorëve”.
Serbia ka pranuar prej dekadash tashmë që të negociojë që vetëm një pjesë e territorit dhe një pjesë e popullsisë së saj do të anëtarësohen në Bashkimin Europian.
Serbia ka pranuar (dhe nuk ka çfarë bën tjetër) që vetëm një pjesë e territorit dhe vetëm një pjesë e popullsisë nuk do të vendosin sanksione ndaj Rusisë si agresore në luftën ndaj Ukrainës.
Po ashtu Serbia ka pranuar që ushtrinë e saj ta mbajë vetëm në një pjesë të territorit të vet, madje jo vetëm ushtrinë, por edhe administratën dhe çdo institucion të shtetit.
Më 24 shtator të këtij viti të dërguarit me “uniforma ushtarake” nga Serbia e provuan se çdo të thotë të përballesh me ligjin në Kosovë.
Serbia ka pranuar me marrëveshjen e Kumanovës më 10 qershor të 1999 se e ka humbur territorin e Kosovës dhe ruajtja dhe administrimi i saj do të bëhet nga forcat ndërkombëtare dhe siguria do të garantohet nga NATO.
Vetë Presidenti i Serbisë nuk shkon dot pa leje në Kosovë!
Çfarë do të sillte njohja e Kosovës nga Serbia?
Njohja politike e shtetit të Kosovës do të bënte më të lehtë çdo gjë si në raportet Kosovë- Serbi, ashtu edhe për rajonin dhe të ardhmen e tij në BE.
Serbia, deri më tani, ka zgjedhur rrugën më të vështirë… zvarritjen./I.S