Shpëtimi i mandatit të Olta Xhaçkës nga Kuvendi, në leximin politik të Lulzim Bashës është një pazar tjetër mes PS dhe Rithemelimit. Në këmbim thotë Basha nga Devolli, Rithemelimi do të fusë Sali Berishën në grupin parlamentar.
Rikthimi i ish kryeministrit Sali Berisha në grupin e Partisë Demokratike me firmën e Gazment Bardhit, firmë e cila edhe e largoi, ka ngelur peng për Lulzim Bashën, i cili edhe pse i qëndron larg Berishës, ndjen mëshirë që ndodhet në “arrest shtëpie”. Basha e ka përmnedur sërish në takimin me elektoratin rikthimin e Berishës dhe më shumë e lidh me “marrëdhënin e mirë” me mazhorancën qeverisëse. Shpëtimi i mandatit të Olta Xhaçkës nga Kuvendi, sipas Bashës është një pazar tjetër mes PS dhe Rithemelimit. Në këmbim thotë Basha nga Devolli, Rithemelimi do të fusë Sali Berishën në grupin parlamentar. Aleancë thotë Basha e hallexhinjve që kanë hesape të hapura me drejtësinë “Ku është Edi Rama në raport me vjedhjet? Thotë nuk di gjë se ç’hanë ata pas kurrizit tim, por ata që hanë pas kurrizit të tij i heq nga ministër dhe i mban këshilltar për t’iu dhënë mbrojtje politike. Siç bëri me mandatin e ish ministres së jashtme, Olta Xhaçka ditën e enjte. Ky është një pazar i qartë. Të gjitha këto ndodhin në një pazar të hapur me hallexhinjtë që kemi pasur deri para disa kohësh brenda Partisë Demokratike. Nga njëra anë bëjnë sikur protestojnë, por nga ana tjetër pazari është i qartë, nuk i hiqet mandati Oltës, por hajde si kompensim kërkojmë rifutjen e non gratës në grupin parlamentar të Partisë Demokratike. Pse? Sepse kështu është një garanci që Edi Rama të vazhdojë i pashqetësuar të jetë në pushtet. Sepse dihet që shumica dërrmuese e shqiptarëve duan të distancohen nga të korruptuarit dhe nga individët që tregohen qartësisht nga partnerët tanë strategjikë”, është shprehur Basha. Kjo është marrëveshja e fundit, që sipas Lulzim Bashës është bërë në Kuvendin e Shqipërisë mes Rithemelimit dhe Partisë Socialiste. Nga Devolli, kryedemokrati Lulzim Basha tha se kjo marrëveshje bëhet që Berisha të vazhdojë ta trajtojë PD-së si pronë të vetën, ndërsa Rama të mbajë peng vendin. Për ta trajtuar të gjithë Partinë Demokratike, si pronë private të një njeriu. Edhe më e rëndë është sëmundja në nivel kombëtar, kurrë më parë nuk është trajtuar i gjithë shteti si pronë private të një njeriu si në kohën e qeverisjes së Edi Ramës dhe shpurës së tij. Me arrogancë ekstreme, me shpërfillje totale për ligjet e vendit dominon kjo sjellje, dominon kjo e keqe. Shqipëria, shteti shqiptar si pronë e Edi Ramës. Një ditë më parë, nga selia e PD kryedemokrati Basha, për t’ju përgjigjur sulmit që Rama e Berisha sipas tij kanë nisur ndaj drejtësisë, paralajmëroi një paketë ligjore Pro-SPAK që parashikon mbështetje financiare e logjistike për organet e reja të drejtësisë.