Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka publikuar një foto nga spitali i Traumës sipas së cilës, janë kryer më shumë se 450 ndërhyrje kirurgjikale dhe rreth 4 mijë vizita në urgjencë.
Përmes një postimi në Facebook, Manastirliu nënvizon se 450 ndërhyrjet kirurgjikale urgjente janë kryer gjatë muajit të fundit edhe pse vendi po përballet me një situatë të vështirë si koronavirusi.
Ajo ka publikuar edhe një foto, ku mjekët e këtij spitali po kryenin një operacion.
“#Vijon puna pa u ndalur në spitalin universitar të #Traumës, ku janë përqendruar ndërhyrjet urgjente kirurgjikale në këtë situatë të pazakontë.
Me masa të përforcuara, me mjetet e mbrojtjes personale, stafi mjekësor i spitalit të Traumës, ka përballuar më shumë se 450 ndërhyrje kirurgjikale urgjente në muajin e fundit dhe rreth 4 mijë vizita në urgjencë. n#BASHKË #ShëndetësiaNëGatishmëri” , shprehet Manasitirliu.
Shqipëria vijon luftën me COVID-19. Në të gjithë vendin janë prekur nga COVID-19 539 persona, pas 21 rasteve të identifikuar 24 orët e fundit dhe janë shënuar 26 viktima. Numri i personave që kanë arritur të mposhtin koronavirusin ka shkuar në 283, ndërkohë që akualisht në spitale ndodhen 43 pacientë të shtruar, mes tyre 4 janë të intubuar në spitalin “Shefqet Ndroqi”.