Situata e krijuar nga koronavirusi në të gjithë botën bëri që të pezullohen një pjesë e madhe e kampionateve të futbollit përfshirë këtu edhe ato më kryesoret, megjithatë tashmë duket se kemi datat e rikthimit të takimeve që të gjithë janë duke i pritur me padurim.
Champions League, Europa League dhe 5 ligat kryesore të futbollit europian u pezulluan pas konfirmimeve të një numri të konsiderueshëm lojtarësh e aktorësh sportiv me Covid-19.
UEFA do të mbledhë javën e ardhshme 55 federatat anëtare të saj për të diskutuar mbi datat dhe mënyrën se si do të rikthehen në fushë.
Mundësia e parë është që Champions dhe Europa League të zhvillohen brenda muajit gusht, afat kohor që do i sfiliste lojtarët, në raportimet e “Sky Sport” theksohet se prej kohësh UEFA ka vendosur që 31 gushti të jetë afati i fundit për përfundimin e të gjithë kampionateve, në mënyrë që të programohet edhe sezoni i ardhshëm, përndryshe do ishte e pamundur zhvillimi i këtyre dy kampionateve në vitin 2021.
Në bazë të kësaj skeme ndeshjet e kthimit në fazën e 1/8 e Champions League parashikohen të zhvillohen më 7 dhe 8 gusht. Ekipet që do të kualifikohen në fazën çerekfinale do t’i nënshtrohen një turi të vërtetë force, pasi do jenë të detyruar të luajnë çdo 3 ditë, datat e parashikuara janë më 11 dhe 12 gusht dhe ndeshjet e kthimit më 14 dhe 15 gusht. Takimet e gjysmëfinaleve parashikohen të luhen më 18-19 gusht dhe ndeshjet e kthimit më 21-22. Nëse gjërat do të shkojnë sipas parashikimeve dhe do të ndiqet kjo mënyrë e rikthimit të Champions, atëherë finalja e madhe pritet të luhet më 29 gusht në Stamboll.
Europa League nga ana tjetër pritet të rifillojë në 2-3 gusht dhe finalja planifikohet që të zhvillohe në 27 gusht në Poloni.
Ndërsa edhe kampionatet kryesore të futbollit në Europë kanë vendosru se kur do të rikthehen në fushë.
Seria A sipas Federatës së Futbollit të Italisë, mund të kthejë skuadrat në stërvitje më 4 maj dhe me 30-31 maj të zhvillohen takimet e para, megjithatë gjithçka do të varet nga gjendja e koronavirusit në këtë vend.
Bundesliga-Kampionati kryesor i futbollit gjerman pritet që të rifillojë takime me 9 maj, ndërsa duhet theksuar se skuadrat kanë zbritur në fushë dhe janë duke zhvilluar stërvitje, por duke respektuar të gjitha masat mbrojtëse ndaj virusit.
Premier League– Kampionati i futbollit anglez ishte nga të paktit që pezulloi me vonesë ndeshjet, megjithatë duket se nga mesi i muajit maj skuadrat do të rikthehen në stërvitje, ndërsa ndeshjet pritet të rinisin në fillim të muajit qershor.
La Liga-Situata nga koronavirusi në Spanjë ashtu si edhe në Itali është ende alarmante. Pavarësisht kësaj Presidenti i La Ligës, Javier Tebas ka bërë me dije se kampionati pritet të rikthehet midisa datave 28 maj dhe 6 qershor, megjithatë në varësi të situatës, 28 qershori logaritet si datë të mundshme për të rinisur topin e parë.
Ligue 1– Franca ende nuk ka një datë se kur mund të rikthehen ndeshjet dhe duket se rifillimi i kampionatit do të sjellë një betejë të ashpër, për të drejtat e Tv, pasi “Canal Plus” pezulloi pagesat për këtë gjatë periudhës së ndalimit. Megjithatë ende pritet për konfirmimin e një date për nisjen e takimeve./Fjala.al/Katerina Tafa/