Një ndër shqiptarët që kanë ngritur lart emrin e Shqipërisë është Xhilda Lapardhaja, vajza e re nga Berati. Xhilda është aktore shumë e njohur teatri, filmi dhe reklamash në Itali. Xhilda nuk është shumë e njohur për publikun tonë si emër, po si fytyrë me patjetër që po.
Ajo ka luajtur në seriale të tilla si “Un Medico in Famiglia”, “Non lasciamoci piu”, “Giornalisti”, “Un posta al sole”, “La squadra 1” etj…
Miniseria e filmit televiziv “La mia casa è piena di specchi” mbi jetën e Sophia Loren, ështe me regji të Vittorio Sindoni dhe u prodhua nga “Idea Cinema”.
Përveç pjesëmarrësve si aktorë të Sophia Loren, Enzo De Caro, Margareth Madè, ka në grupin e aktorëve edhe aktoren me origjinë shqiptare e pikërisht nga Berati, Gilda (Xhilda) Lapardhaja. Ky film i dedikohet jetës së nënës së ikonës italiane të filmit, Sofia Scicolone, ose në art Sophia Loren. E bazuar mbi skenarin e Maria Scicolone, motra e divës, filmi tregon ndodhitë e Loren në harkun kohor që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri tek triumfi që aktorja pati në vitin 1962. Kohë kur ajo fitoi statujën si aktorja më e mirë protagoniste në filmin “La Ciociara”, transmeton ‘revista ai’.
Përveçse shohim edhe aspekte më pak të njohura të jetës së saj, siç është fëmijëria, për të interpretuar Sophia Loren gjatë rinisë së saj është përzgjedhur Margareth Madé, shkruan Observerkult. E kjo nuk është një sipërmarrje e lehtë për këtë vajzë të re që do i duhej të përballonte mitin e Sofias.
“Nuk e kam fshehur asnjëherë që jam shqiptare. Në të gjitha prezantimet e mia tek regjisorët italianë kam përdorur të dhënat e mia personale. Nuk kam dashur të ndryshoj as mbiemrin, ashtu siç bëjnë shumë prej aktorëve të tjerë të huaj…”, kështu do të shprehej kohë më parë Xhilda Lapardhaja. S.B