Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi mbrëmjen e sotme për deklaratën e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, në sallën e gjyqit për inceneratorin e Elbasanit.
Berisha përmendi pretendimet e Kokës se emri i “peshkut të madh” është në telefonin e deputetes Monika Kryemadhi dhe iu drejtua kësaj të fundit me një thirrje.
“Të dashur miq, sot personi të cilin e kemi quajtur gjithnjë ‘ladro utile’, hajdut i dobishëm, Lefter Kokës i erdhën dy pare mend, iu rikthye edhe guximi. Sot, në sallën e gjyqit, ai deklaroi se nuk jam unë autori i djegësve, se ‘peshku i madh’ është në telefonin e zonjës Kryemadhi.
Miq, Lefter Koka deklaroi me përgjegjësi para gjyqit se ‘peshku i madh’ është vetëm një dhe e ka emrin Edi Rama.
Ndaj dhe këtu para jush, i bëj thirrje zonjës Kryemadhi, e cila deklaroi se Edi Rama ka urdhëruar Dumanin të fshijë të gjthë komunikimet e saj me Edi Ramën, t’ju bëjë të ditur shqiptarëve, të informojë shqiptarët për ‘peshkun e madh’, të informojë shqiptarët me ç’rast i dorëzove Edi Ramës 460 mijë euro, të informojë shqiptarët gjithçka di për këtë kryehajdut të të gjitha kohërave”, theksoi ai.
Të njëjtën thirje, Berisha e bëri edhe për Lefter Kokën, të cilit i kërkoi të bëjë publike akuzat.
“Unë prapë i bëj thirrje Lefter Kokës: Lefter, katër vjet më parë, jo më kot je ftuar nga opozita që të bësh të pandehurin e drejtësisë. Koha të dha të drejtë. Për mercenarët e Skapit çdo gjë që t’u thoshe, do varrosje më thellë akuzat tua.
Kurse tani të takon t’i bësh publike, të ngrihesh në lartësinë e guximit njerëzor dhe t’ua përplasësh në fytyrë këtyre hajdutëve që të keqpërdorën, që të kërcënuan, që të mashtruan. E di ti vetë, i di vetë të gjitha këto, mos më bëj t’i them haptas”, deklaroi kreu i PD-së./E.T