Komiteti Kombëtar i Rindërtimit, është duke zhvilluar mbledhjen e tretë këtë të hënë. I pranishëm në mbledhje është Kryeministri Edi Rama, ministri i Shtetit Bledi Çuçi si edhe ministri për Rindërtim Arben Ahmetaj.
12:30 Rama tregon objektivat që do merren për të prekurit nga tërmeti
Kryeministri, Edi Rama, gjatë mbledhjes së tretë të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, tregoi objektivat konkrete që do të merren për zonat e prekura nga tërmeti.
Pjesë nga fjala e Ramës në mbledhjen e Komitetit Kombëtar: Shumë shpejt do kemi aty skenarët. Një gjë dua ta theksoj, duke marrë psh Laçin. Laçi ka një potencial të konsiderueshëm, dhe nëse do arrijmë të bëjmë gjënë e duhur, do arrijmë të krijojmë jo vetëm kushte më të mira banimi për ata që humbën shtëpitë, por do arrijmë të krijojmë dhe një pol të një ekonomie lokale më dinamike.
Laçi është një pikë që mbledh rreth 3 milionë turistë në vit, brenda dhe jashtë vendit, që shkojnë në pikën e pelegrinazhit. Nëse ndërhyrja do të sjellë energjinë e një transformimi, ne do t’i japim një mundësi të re edhe ekonomike.
E dyta, qendërzimet. Është shumë e rëndësishme që ne t’i bindim banorët e zonave rurale të afrohen me njëri-tjetrin, që të krijohen qendërzime, komunitet. Nëse sot një familje në fshat, që jeton me kilometra të tëra jashtë shërbimeve, nesër me qendërzimet shërbimet i mundësohen aty.
Thumana është shumë kritike, por me këtë ndërhyrje mund të bëhet një pikë referimi e vogël, por e rëndësishme në hartë e agro-turizmit. Ne do garantojmë, në një fazë tjetër pas rindërtimit, që të arrijmë t’i fshijmë nga faqja e Shqipërisë të gjitha banesat e mjerimit. Ne kemi nxjerrë nga kushtet mizerabël shumë familje, por ky do jetë një proces, që do të vijojë.
E fundit, dua ta përsëris se tre organizatat që janë këtu kanë dhe një rol tjetër shumë të rëndësishëm, si komunikimi me njerëzit, por edhe garantimi i një drejtësie në këtë proces. Organizatat do të kenë një ndihmë të madhe, nëse do të angazhonin disa njerëz më shumë në këtë proces. Në rolin e Sekretarit të Komitetit, Hoxholli, duhet të ndihmojë organizatat dhe të gjithëve, që procesi të shkojë mirë dhe të mos humbasim kohë.
Në mes të janarit të kenë filluar thirrjet për oferta. Do të koordinohemi, për të pasur oferta me çmime të arsyeshme, për të pasur cilësi dhe sasi, dhe për të mos rënë pre e abuzimeve. Njerëzit janë të lirë të jenë dhe ‘peshkaqenë” në momente të caktuara, por nëse kjo ndodhi me qiratë, ku pronarët rritën çmimet, kjo nuk duhet të ndodhë me procesin tjetër.
11:48 Ministri i Rindërtimit: 11 milionë euro të mbledhura nga donacionet
Në mbledhjen e tretë të Këshillit Kombëtar të Rindërtimit, Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, ka publikuar shumën financiare, e mbledhur për banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.
Ai u shprehë se zonat e prekura nga tërmeti kanë nevojë urgjente për promovim ekonomik dhe se drafti i dytë i dëmeve paraprake do të publikohet brenda 15 janarit të 2020.
“Drafti i dytë paraprak për dëmet do të publikohet me 15 janar. Durrësi ka nevojë për promovim në të gjitha aspektet, Lezha patjetër, por edhe Tirana. Këto zona kanë nevojë për promovim ekonomik. Pastrimi i territorit është shumë i rëndësishëm. Durrësi dhe Tirana janë pastruar.
Lejet e ndërtimit, kjo është e rëndësishme. Janë 1020 leje që janë dhënë për meremetim në Tiranë dhe Durrës. Të gjithë bashkitë kanë filluar procesin, ku qytetarët dhe firmat janë përgjegjës për meremetimin e banesave. Përjashtohen nga taksat ndërtimet për “Rindërtimin”-u shpreh, Ahmetaj.
Ora 11:30 Çuçi raporton për dëmet nga tërmeti
Ministri Bledi Çuçi, gjatë mbledhjes së tretë të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, bëri një bilanc të fundit të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
Çuçi tha se janë mijëra banesa të dëmtuara dhe përfshi dhe 53 shkolla, ndërsa në hotele ndodhen mbi 3 mijë persona, ndërsa në çadra janë mbi 10 mijë të prekur nga tërmeti.
“3 janë në spitale të huaja për një mjekim të specializuar dhe qindra të tjerë kanë marrë mjekim. 53 shkollat dëmtuara rëndë nga tërmeti dhe është pezulluar mësimi dhe janë akomoduar të gjithë kanë vijuar mësimin. Mbledhjen e konferencës së donatorëve do e zhvillojmë në mes të janarit”, u shpreh Çuçi.
Shifrat nga Emergjencat : 3613 persona janë në hotele, 10225 në çadra, numrin më të lartë e ka qarku i Durrësit, 39310 objekte janë verifikuar, 3580 të pabanueshme në Durrës, 72 objekte janë shembur, 10 në Tiranë, 7 në Lezhë;
Familjet përfituese të qirasë: Në Durrës 1310 familje, Në Shijak 1187 ,Në Tiranë 2274, Në Vorë 499, Në Kavajë 176, Në Kamëz 270, Në Lezhë 610;
Meremetimet; 887 leje në Tiranë, 12 leje në Durrës (6 kanë filluar zbatimin);
Shëndetësia; 8 pacientë janë të shtruar te Trauma, 3 janë dërguar për specializim jashtë vendit;
Arsimi; 53 shkolla janë dëmtuar rëndë nga tërmeti, u pezullua mësimi, u transferuan, Qarku më i goditur Durrësi, 32 shkolla, 14 në Tiranë, 7 në Lezhë, 28 shkolla janë meremetuar në Durrës.
Ora 11:46 Komiteti Kombëtar i Rindërtimit, Rama përcakton detyrat
Komiteti Kombëtar i Rindërtimit, është duke zhvilluar mbledhjen e tretë këtë të hënë. I pranishëm në mbledhje është dhe Kryeministri Edi Rama, i cili propozoi në postin e Sekretarit të Komitetit të Rindërtimit, Ilir Haxhollin.
Sipas tij, ky është një post i rëndësishëm pasi kryetari i komitetit, Arben Ahmetaj u emërua Ministër për Rindërtimin.
“Përpara se t’i japë fjalën drejtuesit për të bërë një përditësim të situatës, dëshiroj që të ndaj me ju mendimin që në kushtet kure kryetari i komitetit, zoti Ahmetaj është emëruar ministër për Rindërtimin, do të caktojmë një sekretar të komitetit dhe me shumë kënaqësi do të propozoja, që zoti Ilir Hoxholli, që ndajmë një eksperiencë pune dhe përfaqëson pjesën tjetër, organizatat solidare për njerëzit në nevojë.
Ai garanton një pjesëmarrje të drejtpërdrejt edhe në procesin e koordinimit, duke garantuar një ndërveprim konkret, çdo hap me të gjithë faktorët e tjerë dhe duke garantuar edhe praninë një syri më të dedikuar në aspektet e transparencës”, deklaroi Rama./Fjala.al