“Eiffel”, ikona gjermane e arkitekturës franceze

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Njëqind e një vjet më parë u nda nga jeta Gustav Eifel mbreti i hekurit në “Belle Époque”

Nga Leonard Veizi

Nuk ka asnjë çudi që në gjithë botën shumë vepra inxhinierike e sidomos ato arkitektonike, të mbajnë emrat e konstruktorëve të tyre. Nju Jorkun amerikan, një pjesë e urave gjigante që hidhen mbi “Hudson Rive” apo “East River”, identifikohen me emrat e projektuesve apo ndërtuesve. Dhe flitet për konstruksione të jashtëzakonshme që ka bërë dora e njeriut. Por gjithsesi, asnjëri prej tyre nuk e ka lartësuar aq shumë emrin e tij sa konstruktori evropian Eifel…

…Gustave Eifel, njihet si francez, edhe pse në origjinal emri i tij ishte Alexandre Gustave Bönickhausen, që tregonte se në fakt origjina e tij ishte gjermane.

Referencat e shumta thonë se gjyshi i tij, ishte nga Marmageni gjerman por që në fillim të shekullit të XVIII emigroi në Francë. Marmagen është një fshat tregtar gjerman në Eifel. Ndërsa Eifel është një varg malor i ulët në Gjermaninë perëndimore. Duke e konsideruar mbiemrin e tij shumë të vështirë për t’u shqiptuar nga francezët, paraardhësi i Gustavit vendosi ta ndryshojë atë në “Eiffel”, pra duke marrë për mbiemër emrin e maleve nga ku kish lindur dhe kishte origjinën.

Ndërkohë Alexandre Gustave Eiffel u lind më 15 dhjetor 1832 në Dizhon të Francës. Ai ishte ende i regjistruar si “Bönickhausen”, por e ndryshoi mbiemrin e tij përgjithmonë në “Eiffel” në vitin 1880.

Në jetëshkrimin e tij zyrtar thuhet se studioi për inxhinieri por në 1855 mori vetëm një diplomë mesatare në fushën e kimisë. Më pas kur nisi një stazh pune në një fabrikë hekuri pranë qytetit të tij të lindjes, Dizhon, zbuloi interesin e tij për këtë material të ri dhe njohu mundësitë e mëdha që gjenden në ndërtesat prej hekuri.

E nëse mund të themi diçka tjetër mbi jetën e tij private mund të përmendim se në vitin 1862, Eifel u martua me francezen Marie Gaudelet, me të cilën pati gjithsej 5 fëmijë 3 vajza dhe 2 djem. Por bashkëshortja e tij u nda shpejt nga jeta dhe ai vetë nuk u martua më.

Gustave Eiffel u cilësua ndryshe dhe si  mbreti i “Belle Époque”. Ai është njeriu që projektoi monumentin simbolik të Parisit dhe madhështisë franceze, “Tour Eiffel”.

Eifel e tronditi botën kur në vitin 1889, me rastin e Ekspozitës Universale në Paris ai prezantoi “Kullën” e tij madhështore, një strukturë mega hekuri 324 metra, më e larta e ndërtuar ndonjëherë deri në atë kohë.

E quajtur “Tour Eiffel”  apo në shqip “Kulla Eifel” ajo u ndërtua mes viteve 1887–1889. Kjo i solli konstruktorit të famshëm pseudonimin “magjistari i hekurit” pikërisht në atë që cilësohej si “Epoka e Hekurit”

Megjithatë, kulla ngjalli ndjenja kontradiktore, mes atyre që e konsideronin kryevepër dhe atyre që e urrenin. Fillimisht kulla nuk pati miratimin e plotë të popullatës parisiene dhe në fakt ishte menduar të çmontohej plotësisht pas përfundimit të ekspozitës botërore.

Megjithatë, Eiffel vazhdimisht u përpoq t’i jepte kullës një arsye të re për ekzistencë. Ai kreu eksperimente të panumërta mbi gravitetin e tokës. Më në fund ai ia arriti qëllimit: Kulla Eifel mbeti dhe u bë simboli i kryeqytetit francez gjë që e ndihmoi atë të arrinte famën e përjetshme.

Lexo edhe :  Je i sigurtë se fiton zgjedhjet me “qeveri teknike”?

Por jo vetëm Kulla.

Gustave Eiffel ishte ai që projektoi kupolën e lëvizshme të observatorit në Nice si dhe kornizën e Statujës së Lirisë – një skulpturë madhështore të krijuar nga Frédéric Auguste Bartholdi, – e të vendosur në “Liberty Island” në hyrje të Nju Jorkut të cilën qeveria franceze në vitin 1886 ua dhuroi amerikanëve në shenjë miqësie mes dy popujve.

E megjithëse shumica prej nesh e njohin Gustave Eiffelin kryesisht për “kullën e tij”, duhet thënë se “Magjistari i Hekurt”, krijoi shumë më tepër: veçanërisht ura revolucionare të bëra prej hekuri e çeliku.

Në vitin 1866, në moshën 34-vjeçare, ai kishte themeluar kompaninë e tij dhe realizoi një shumëllojshmëri të gjerë projektesh ndërtimi çeliku. Në vitet që pasuan, ai dhe kompania e tij projektuan dhe ndërtuan ura në të gjithë Evropën, por edhe në Bolivi, Peru dhe Egjipt. Shumica e tyre ishin ura për hekurudhën, pasi triumfi i këtij mjeti transporti ishte në kulmin e tij në këtë moment.

Arritja kurorëzuese e karrierës së ndërtimit të urës së Gustave Eiffel është padyshim ndërtimi i “Viaduktit Garabit”. Kjo urë hekurudhore shtrihet ende në luginën e thellë të Truyère pranë qytetit Saint Flour. Hapësira e urës prej 165 metra, por aq më tepër lartësia mbresëlënëse prej 122 metra, vendosën kërkesa të mëdha për aftësitë e Eifel-it. Pas përfundimit të saj, “Viaduct Garabit” ishte ura më e lartë hekurudhore në botë për 25 vjet! Vetëm në vitin 1909 ajo u tejkalua në lartësi nga “Viaduc des Fades”.

Megjithatë jo çdo gjë shkon mirë. Reputacioni i shkëlqyer i Eifel-it pësoi dy goditje të rënda në fund të shekullit XIX

Gustave Eifel u dënua me dy vjet burg, kur shpërtheu skandali financiar gjatë ndërtimit të Kanalit të Panamasë, ku rreth 510 deputetë u akuzuan për korrupsion. Vendimi u anulua më vonë nga një gjykatë apeli, por reputacioni i patëmetë i Eifel-it pësoi gërvishtjen e parë.

Në të njëjtën kohë me debatin e Panamasë, në Zvicër ndodhi një aksident i rëndë hekurudhor, në fokus të të cilit ishte edhe Gustav Eifel. Në Mönchenstein afër Bazelit më 15 qershor 1891, Ura Birstein që ai ndërtoi u shemb nën një tren, ku mbetën të vdekur të paktën 80 njerëz. Deri në atë pikë, ishte katastrofa më e madhe e dokumentuar e hekurudhave dhe urave në botë dhe efekti mbi Eifelin tashmë të goditur ishte përkatësisht shkatërrues.

Për të zbuluar shkakun e kësaj katastrofe, u krijua një komision i rangut të lartë. Komisioni doli në përfundimin se nuk ishin gabimet e projektimit që çuan në aksident, por materiali inferior. Megjithëse ky vendim e shfajësoi kryesisht Eifelin, ai i mori këto dy ngjarje si një mundësi për t’i dhënë fund të gjitha aktiviteteve të tij sipërmarrëse.

Prej asaj kohe ai punoi ekskluzivisht në mënyrë shkencore deri në vdekjen e tij.

Gustave Eifel vdiq në Paris më 27 dhjetor 1923, në moshën 91-vjeçare.

 

Të fundit

Më shumë shqiptarë sigurojnë jetën

Në periudhën janar-nëntor të këtij viti, tregu i sigurimeve ka pasur një rritje prej 7.28% krahasuar me të njëjtën...

Parashqevi Simaku ende s’është takuar me djalin,fondet dështojnë

Këngëtarja Parashqevi Simaku, do të takohet me djalin e saj dhe me ish-bashkëshortin Robert Nolfe. Lajmin e ka bërë të ditur biznesmeni shqiptar që...

Cila ekonomi pati ecuri më të mirë në 2024?

Vendet e mesdheut vazhdojnë me ecurinë e mirë ekonomike për të tretin vit radhazi, me Spanjën në krye të listës së këtij viti. Greqia...

Murtaja e derrave në Lezhë/ Sëmundja afrikane, ngordhin 60 derra

Murtaja afrikane e rishfaqur serish ne Lezhe  ka shkaktuar ngordhjen e 60 krerëve  derra në një fermë. Zona është vendosur ne karantine nga Sherbimi...

Tryeza për Vitin e Ri, rritja e çmimeve prek pensionistët në Elbasan

Sikur të mos mjaftonte rritja e çmimeve gjatë gjithë vitit, në këto prag festash rritja e çmimeve të produkteve të shportës po cenon tryezën...

Lajme të tjera

Web TV