TIRANË- Prokuroria e Posaçme kërkon dënimin me 1.6 vite burg për ish-kryebashkiakun e Pogradecit Eduard Kapri, por për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, Kapri përfiton zbritjen me 1/3 dhe nëse gjendet fajtor do të vuajë dënimin me 1 vit heqje lirie.
SPAK e mori të pandehur ish-kryebashkiakun pasi e akuzon se me ndihmën e dy zyrtarëve të tij lejoi përfundimin e punimeve të pezulluara të pallatit 12 katësh të shoqërisë Gedi sh.p.k, ku ai vetë ka qenë administrator.
Prokuroria thotë se pasi Kapri fitoi zgjedhjet për kryetar bashkie firmën e kaloi në emër të të vëllait. Sipas hetimeve pallati që ishte 12 katësh në lagjen nr 3 të Pogradecit, u bë dhe me 2 kate shtesë, pra 14 kate.
Të pandehur për akuzën e ‘shpërdorimit të detyrës’ janë marrë dhe juristi i bashkisë, Besjan Meço dhe Besmira Niko në cilësinë e Specialistes pranë Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Pogradec./K.K