Sandër Lleshaj njihet si njeri me integritet dhe kurajo dhe që e thotë atë që mendon. Madje ka zëra që ai ia thotë kryeministrit gjërat troç. Por a e kundërshton realisht ai Ramën?
Zoti ministër a ka ndonjë çështje për të cilën ju mendoni ndryshe nga kryeministri Rama? Ju jeni natyrë e guximshme, por në një vit e gjysmë a ka patur çështje të tilla?
“Me kryeministrin sigurisht që ka patur dinamikë diskutimesh, jemi një qeveri ku diskutohet fort brenda, por jo jashtë.”
Po pse po ta merrnim vesh ne se çfarë diskutohej do ishte gabim?
“Sigurisht, sepse në procesin e vendimmarrjes ka gjithmonë ide të ndryshme. Dhe vetëm kur vendimmarrja bazohet në rrahjen e gjithë opinioneve të ndryshme arrihet në një vendimmarrje pozitive dhe të qëndrueshme. Dhe ne si qeveri besoj se e kemi këtë fat, e kemi mundësinë që në momentin ku diskutohet secili e ndjen veten pjesë të asaj vendimmarrjeje. Sepse në një vendimmarrje ku ti je pyetur, je dëgjuar, kur ajo merret, atëherë ti je pjesë e saj dhe është vendimi jot. Mbledhja e qeverisë është vetëm një akt final i një procesi vendimmarrës që zgjat. Çdo vendim qeverie ka momentin kur fillon, zhvillohet në nivelin e specialistëve, pastaj ngjitet më lart deri kur shkon te niveli i sekretarit të përgjithshëm dhe në fund kur vjen puna në mbledhjen e qeverisë, është një akti i cili thjesht sanksionon vendimmarrjen në gjithë këtë process. Puna si formulohet një diskutim me kryeministrin është një gjë tjetër por unë di që të paktën në kundërshtim me të gjithë bestytnitë që ekzistojnë për Edi Ramën sikur nuk e kërkon debatin, unë besoj të kundërtën, që e kërkon debatin dhe madje e pëlqen debatin. Po nuk bëhen në media debatet as të partisë, as të qeverisë, por që ka debate patjetër që ka. Dhe janë debate produktive, nuk janë debate shterpë.”