Flasin njerëzit e artit e të fjalës së shkruar: Luan Rama, Ferdinand Hysi, Arben Morina, Shegushe Beberi, Ylli Demneri, Pluton Vasi, Astrit Çerma, Ilirian Shima…
Italianët erdhën si pushtues në Shqipërinë e vitit 1939, por nuk u sollën si armiq. Madje, ata, për qëllimet e tyre kolonialiste, u munduan t’u japin një fytyrë “alla romana” qyteteve më të mëdha të tipit oriental në vend. Dhe për të vënë në jetë planin e tyre ambicioz, Benito Musolini solli në Shqipëri arkitektët më të mirë të Romës.
Ariola Prifti, Doktore e Shkencave në Trashëgimi Kulturore, e cila është marrë gjatë me një studim të thelluar mbi profilin arkitekturor të Shqipërisë në vitet 1925-1943, na jep një panoramë më të qartë rreth investimeve italiane në periudhën e Zogut dhe të asaj që u drejtua nga Fasho. Në një intervistë për “Fjala” ajo thotë:
“Pati një kërkesë nga qeveria shqiptare, që italianët të merrnin në dorë planin rregullues të Tiranës. Qeveria fashiste do të dërgonte një nga eksponentët më aktivë të urbanistikës italiane të kohës, arkitektin Armando Brasini. Ai erdhi në Shqipëri në vitin 1925, me dëshirën për të projektuar një qytet monumental. Ai propozoi ndryshimin e Tiranës duke u frymëzuar nga stili barok. Pas analizës që Brasini bëri për kryeqytetin, në të cilin mbizotëronin tiparet orientale, mendoi të ndërhynte në mënyrë radikale në raport me indin urban të qytetit, duke krijuar një prerje të fortë me sensin e një bulevardi monumental. Orientimi i bulevardit do të ishte sipas aksit veri-jug, tipar ky i ndërhyrjeve urbanistike që kryenin romakët e lashtë në kolonitë e tyre, sipas aksit të ashtuquajtur në latinisht “cordo maximus”, duke krijuar në pjesën e ndërthurjes së akseve një “Forum”, që në latinisht është sheshi, pra “Piazza”. Brasini i dha një karakter të fortë gjysmë rrethor sheshit të ministrive. Gjuha arkitektonike e propozuar prej tij ishte e tipit neoklasik-monumental, ku shpesh dalin në pah trajtat baroke.
Në planin rregullues të Tiranës u përfshinë edhe arkitektët e talentuar të viteve ‘30, Florestano di Fausto dhe Gherardo Bosio. Këta i dhanë Tiranës frymën e një kryeqyteti perëndimor modern. Këto ndërtesa të ndërtuara në njëzetvjeçarin fashist, kanë lënë shenja të thella në të gjitha kolonitë italiane ku ato janë ndërtuar. Pas manisë së madhështisë së Benito Musolinit, fshihet një rrymë arkitektonike ndër më interesantet dhe inovativet. Ndërmjet neoklasicizmit të thjeshtëzuar, artit romak dhe funksionalizmit, fashizmi ka ridizenjuar qendrat drejtuese dhe pallatet publike me rezultatin për të mbajtur në kohë, lagje të tëra dhe ndërtesa. Brasini propozoi një plan që parashikonte një ndërhyrje në qendër të qytetit të Tiranës, që do të përbëhej nga një grup prej gjashtë ndërtesash për godinat e ministrive dhe në mes të tyre do të kishte një bulevard qendror. Ky plan në vazhdimësi do të kishte edhe variante të tjera, të cilat u thjeshtëzuan nga Florestano di Fausto. Projekti i Brasinit ishte madhështor, madje të krijohet përshtypja sikur ka ngjashmëri me sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Ai mendonte të krijonte një qendër monumentale gjatësore, pa u përzier me pjesën tjetër të qytetit ekzistues. Ky aks monumental duhet të ishte zinxhir linear i lidhjes ndërmjet qytetit të vjetër dhe atij të ri që do të ndërtohej. Në perspektivat që paraqisnin aksin vihen re muret e qytetit të vjetër si një referim ndaj aktit të themelimit, që ndodh me një gjest sa ceremonial (laik apo fetar) që përkon me dallimin e kufijve, të asaj që qëndron brenda apo jashtë.
Ylli Demneri
“Prishja e Teatrit Kombëtar në mes të natës është një akt i pabesë dhe barbar. Kjo pabesi nuk ka asgjë nga marrëdhënia e sinqertë me qytetin që duhet të ketë çdo njeri që është zgjedhur për ta drejtuar atë. Kjo është dukur fare qartë në të gjitha ato manipulime e dredhi administrative e ligjore të bëra gjatë këtyre viteve të fundit në lidhje me teatrin. Përveç vlerave arkitekturale, ishte kthyer në një tempull, falë teksteve të Shekspirit, Molierit, Shilerit, Goldonit, Brehtit, Gogolit, Çehovit etj., të interpretuara nga aktorë të talentuar. Ishte shenjtëruar nga zërat e tyre dhe emocionet e shkaktuara në sallë. Kjo nuk ka të bëjë fare me nostalgjinë. Por, atë teatër “e shqyen”, siç u shpreh me të drejtë aktori Mehdi Malkaj në lidhje me këtë akt barbar, edhe të gjithë ata aktorë, regjisorë e skenografë që heshtën duke vënë Partinë mbi të gjitha. Pa përmendur të shiturit. Për fat të keq, ata mbetën aktorë e militantë pa mundur të bëhen qytetarë. Qytetari si mbajtës i disa të drejtave dhe përgjegjësive. Qytetari, ai që merr pjesë në jetën e institucioneve politike dhe në krijimin e të mirës së përbashkët. Heshtja e tyre është e turpshme”, u shpreh për gazetën “Fjala”, Ylli Demneri, shkrimtar e aktor njëkohësisht.
Arben Morina
“Rreth orës 4 të mëngjesit zbarkoi në Tempullin e Lirisë (në Teatrin Kombëtar) një batalion banditësh me uniformë të armatosur deri në dhëmbë. Një reprezalje e paparë, tortura nga më çnjerëzoret ndaj femrave e meshkujve qëndrestarë. Disa prej qëndrestarëve iu vunë prangat dhe i dërguan në rajone të ndryshme policie. Kishin bllokuar lidhjet telefonike dhe internetin. Ndër të arrestuarit ishin, Robert Budina, Neritan Liçaj, Juli Emiri, Tit Serjani e të tjerë”, këto janë fjalët e piktorit të njohur Arben Morina, i cili është njëri prej iniciatorëve në mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar.
Ferdinand Hysi
“Jam shumë i tronditur. Jam jashtë Shqipërisë, por kam ndjekur çdo ngjarje deri në detaje. Në një kohë kur flitet për një pandemi, kur prioriteti duhej të ish në drejtim tjetër, prioriteti paska qenë prishja e Teatrit Kombëtar, natën, me mbështetjen e mijëra policëve! Personalisht kam qenë dhe jam që ai teatër ka pasur dhe ka vlera që në asnjë mënyrë nuk duheshin eliminuar. Ngatërrohemi shpesh me termin: A nuk e doje t’i një teatër të ri? Po e dua, madje si dramaturg do ta kisha ëndërr që një pjesë e imja të luhet në një teatër të ri dhe modern. Por jo aty. Diku tjetër. Aty është historia e një vendi (ku unë kam pasur fatin që të shfaqen 5 pjesë të miat) aq më tepër ku nuk ka asgjë të keqe që Tirana të ketë disa teatro, të rinj dhe modernë, ku të kishte vendin e vet edhe ai Kombëtar! Njëkohësisht mënyra si u prish më duket shumë e pakuptimtë, e nxituar dhe pa asnjë respekt edhe për ata që e duan dhe e mbrojnë ekzistencën e tij. Kam bindjen që kjo ngjarje, pavarësisht bindjeve politike, apo interesave koniunkturale të disave, do të mbetet si një ngjarje shumë e shëmtuar dhe pa asnjë sens. Ai teatër nuk i prishte punë askujt, ashtu siç ishte, me atë arkitekturë, natyrisht i rikonstruktuar, ndërsa të ndërtonim jo një, por disa teatro të tjerë të rinj. Sinqerisht jam shumë prekur dhe i shqetësuar njëkohësisht për atë çfarë po ndodh tani aty”, shprehet për gazetën “Fjala”, dramaturgu i mirënjohur Ferdinand Hysi.
Luan Rama
“E kuptoj revoltën e dhjetëra mijëra njerëzve. E di mirë se ai teatër mezi mbahej në këmbë. Nuk arrita asnjëherë ta kuptoj luftën donkishoteske pro dhe kundër. Zgjidhja ishte e thjeshtë dhe qytetare: ky teatër të kthehej në një muze të historisë së teatrit shqiptar, të kujtesës kombëtare. Ajo duhej të mbetej, të mos prekej. Kujtesa është “sacré” siç thonë francezët, e shenjtë. Një politikan i paqtë dhe sado modern mund ta ruante dhe të mos e bënte këtë! Me sa duket, janë gjithnjë politikanët që vendosin: Princi është në këmbë!”, thotë në reagimin e tij për gazetën “Fjala”, shkrimtari i mirënjohur Luan Rama.
Astrit Çerma
“Prishjen ia kam dëshiruar për arsyen e thjeshtë se çdo aktor që ka mbajtur mbi supe pesha të rënda artistike e di mirë se ai teatër jo vetëm nuk mund të përballonte më asnjë “arnim” artistik, por dhe për ato mungesa të theksuara e të pandreqshme që ka pasur gjatë gjithë kohës. Ah… Për mënyrën se si e detyruan të prishej më erdhi keq. Në se vërtetë do t’u dhimbsej, ashtu siç shprehen “nostalgjikët”, shumica “të dorës së dytë e të tretë”, do ta përcillnin me nderin që i takonte dhe jo ta bënin viktimë të synimeve të tyre të mjerueshme militanteske. Shumë keq i ka degjeneruar niveli karrierist ca figura “artistike”. Aq keq sa nuk po bëjnë dot as dallimin e nivelit mendor të tyre. Sharjet, mallkimet, shpifjet, e ndyrësira të tjera e tregojnë qartë këtë. Uroj që Tirana, aktorët e rinj, publiku i mrekullueshëm, të kenë pas kësaj Teatrin e Vërtetë Kombëtar që i takon”, shprehet për gazetën “Fjala” aktori dhe regjisori i njohur Astrit Çerma.
Flutura Açka
“Kot e kemi përfolur Brutus dhe i kemi ngritur pseudomitin e tradhëtarit, sepse i futi thikën e fundit Çezarit. Historia duhet rrëfyer siç duhet: Çezari i kërkoi Senatit të ishte vetëm 10 vjet Tiran – vetëm 10 vjet! – me kinse të rindërtonte vendin dhe të kthente qetësinë, por kur e pa se jeta e tij qe më e gjatë se aq, u kthye në tiran i përjetshëm. Dhe, mu atëherë kur kujtoi se ishte i përjetshëm, e pa me sytë e tij se ishte shumë shumë i përkohshëm. Sepse cënoi Republikën. E gjithë çështja është se në kohët tona nuk ka më Brutus… nuk ka më Senat… ndaj nuk do të ketë më as Republikë… Republika jonë është Paraja dhe ajo është aq e ëmbël sa ble çdo “senator”. Shqiptarë: Tirania nuk ka pamje as ngjyra as fytyra të tjera!”, thotë në reagimin e saj shkrimtarja Flutura Açka.
Pluton Vasi
“Në tërë këtë histori nuk e di se ku tashmë do të shfaqet “fantazma”, te Hamleti… te pozita apo opozita…”. Këto ishin fjalët e regjisorit të njohur Pluton Vasi, thënë për gazetën “Fjala”.
Shegushe Bebeti
“Sot nuk ka vlerë asnjë lloj deklarate. Kam tri orë që shoh pamjet dhe më dhemb zemra”. Vetëm kaq do të mund të thoshte për “Fjalën” Mjeshtrja e Madhe Shegushe Bebeti.
Ilirian Shima
“Ata që prisnin me pa durim shembjen e Teatrit nuk ishin vetëm mafia e pushtetit, por dhe ata që mezi presin ta marrin pushtetin. Mos pranoni sot asnjë politikan të kujtdo ngjyre qoftë. Tregoni që ju jeni sovranët dhe ata që nuk do ta tradhtojnë kurrë Shqipërinë. Tregoni që jeni mbrojtësit e demokracisë dhe të lirisë”, shprehet për “Fjalën” piktori i njohur Ilirian Shima.
Natasha Lako
“Teatri edhe mund të rindërtohet si ka qenë! Por ju lutem më jepni një shpjegim. Ç’lidhje ka ndërtimi i një teatri të ri, që mund të kishte zgjidhje pa fund, me prishjen natën të një monumenti kulturor të trashëgimisë si në aksionet kundër terroristëve. Apo hyn në stërvitjet kundër artit edhe kjo”, shprehet për “Fjalën” poetesha e njohur Natasha Lako.