Ashtu siç ishte njoftuar më parë, studentët e Fakultetit Ekonomik në Tiranë po zhvillojnë leksione në natyrë për të respektuar masat kundër koronavirusit. Studentët e vitit të 3-të të Administrim-Biznes në këtë fakultet janë mbledhur sot në Amfiteatrin e Liqenit Artificial, duke ruajtur distancën, për të marrë leksionet përkatëse.
Prej datës 1 qershor disa universitete në vend hapën dyert për rikthimin e studentëve të vitit të tretë bachelor dhe të vitit të dytë master, në auditorë.
Në një prononcim për gazetën “Fjala” një javë më parë, zëvendësdekani i Fakultetit Ekonomik, Alban Korbi, tregon se falë bashkëpunimit me Bashkinë e Tiranës, disa prej konsultimeve me studentët do të realizohen në amfiteatër.
“Çdo të hënë dhe të enjte do të zhvillohen konsultime me studentët në Amfiteatrin e Tiranës për lëndët Drejtim Marketingu dhe Menaxhim i Burimeve Njerëzore, pasi janë lëndë më teorike. Për shkak të hapësirës, zhvillimi i konsultimeve me studentët do të jetë më i sigurt”, deklaroi Alban Korbi.
Sa i përket leksioneve brenda godinës së fakultetit, zëvendësdekani bëri me dije se është llogaritur që grupet e studentëve të mos futen në auditorë në të njëtën kohë për të shmangur dyndjet në korridor. Gjithashtu, në momentin që një klasë futet, nuk duhet të dalë klasa tjetër. Pra, të mos ketë përputhje në hyrjen e një grupi me daljen e një tjetri, të jenë me orare të ndryshme.