Policia e Shtetit në bashkëpunim me autoritetet policore italiane kanë shkatërruar një bandë italo-shqiptare, e cila vepronte prej vitesh në aktivitetin kriminal të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Në kuadër të operacionit “Beached”, janë ekzekutuar sot 17 urdhër arresti për anëtarët grupit, 4 prej të cilëve me shtetësi shqiptare ndërsa të tjerët italiane.
Burime zyrtare bëjnë me dije se në total janë 32 persona të proceduar, ndërsa hetimet kanë nisur që në vitin 2017, pasi në brigjet italiane, u kapën sasi të mëdha marijuane dhe në përfundim të hetimeve u lëshuan urdhër ndalimet për pjesëtarët e rrjetit, rezidentë në disa qytete të Italisë.
Në atë kohë, si provë materiale u kapën dhe sekuestruan mbi 4 ton marijuanë, 0.5 kg kokainë, 27 mijë euro, 1 gomone, 3 autovetura, armë zjarri e sende të tjera me vlerë për hetimin.
Personat e arrestuar vepronin si organizatë e strukturuar kriminale dhe kryenin transportin, magazinimin, shpërndarjen, shitjen etj., të drogës nëpër qytete të ndryshme të Italisë e kryesisht në veri të këtij vendi./En.Br./Fjala.al