“Jemi në një pikë kritike sa i përket Reformës në Drejtësi“. Kështu u shpreh Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, gjatë një interviste në A2.
Kim nënvizoi faktin se reformën në drejtësi e do populli shqiptar dhe në të Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë, por jo vetë, pasi Shqipëria ka edhe miq të tjerë.
“Reforma në drejtësi ka bërë përparim që mjafton për të trembur ata që nuk e duan atë por ende jo aq sa të kënaqë popullin shqiptar. Mendoj se është vërtet e rëndësishme që ne që e mbështesim reformën në drejtësi, populli shqiptar, Shtetet e Bashkuara, të mos dorëzohemi, të mos çorientohemi, dhe të mos shpërqendrohemi në këtë pikë kritike. Duhet të shtyjmë përpara”.
Sipas ambasadores Kim, “populli shqiptar duhet të vazhdojë të ngrejë zërin për të shprehur pakënaqësinë, për të shprehur kërkesën e tyre për më shumë transparencë, më shumë sundim të ligjit. Për sa i përket Shteteve të Bashkuara, unë kam udhëzime të qarta nga Uashingtoni që kjo çështje mbetet prioritet dhe unë kam në plan t’i zbatoj ato”.
Ambasadorja Kim u pyet edhe mbi postimin e saj në rrjetin social, ku fliste për një kërcënim për ta vrarë reformën në drejtësi, ajo u shpreh se:
“Mendoj se mund të ketë pasur njëfarë të vërtete tek ato thashetheme dhe, siç thashë në cicërimë, në fakt jam mjaft e drejtpërdrejtë, nuk jam diplomate shumë e mirë, them atë që synoj të them. Shpresoj vërtet që nuk ka pasur të vërtetë në ato thashetheme dhe, pasi unë shpreha këtë pikëpamje, shumë aktorë të rëndësishëm dolën publikisht dhe afirmuan se nuk kishte të vërtetë në ato thashetheme. Ndaj jam shumë e lumtur të dëgjoj që është ashtu”.