Tri vendimet e rëndësishme/ Si u kthye Komisioni i Venecies në “Gjykatë Kushtetuese”  për Shqipërinë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kushtetuta e Shqipërisë është bërë prej afro një viti një dokument i zakonshëm pune për Komisionin e Venecies, një institucion i Këshillit të Evropës. Me anë të tri opinioneve ligjore, ky komision u ka dhënë zgjidhje përplasjeve mes presidentit dhe mazhorancës qeverisëse në lidhje me kushtetuetshmërinë e ligjeve, procedurave ligjore apo dekreteve.  Roli i Venecies në  ngritjen e shtetit ligjor shqiptar që prej vitit 1991

Nga Blerina Gjoka

Vëzhguesit e Komisionit të Venecies në Shqipëri në mes të viteve ‘90 profetizuan një katastrofë për reformën kushtetuese shqiptare. Ata nuk mund të kishin imagjinuar se pas 3 dekadash të rënies së komunizmit, Shqipëria nuk do ta kishte ngritur në këmbë shtetin ligjor, duke kërkuar ndihmën e këtij komisioni për të zgjidhur përplasjet mes institucioneve më të rëndësishme të shtetit.  Pas dështimit të Kushtetutës së vitit 1994, vendi ynë më në fund arriti të miratonte Kushtetutën demokratike në vitin 1998, ku garanti i saj ishte përcaktuar Gjykata Kushtetuese. Por, profecia e “Venecies” është aktuale, kur, pas 4 vitesh nga miratimi i reformës në drejtësi, vendi ynë mund të jetë i vetmi vend demokratik në botë pa një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Kësisoj, i është dashur vetë këtij komisioni, një organ i rëndësishëm i Këshillit të Evropës, të luajë rolin e Kushtetueses, duke zgjidhur konfliktet juridike në Tiranë. Nga muaji tetor 2019 deri në 19 qershor 2020 “Venecia” ka dhënë 3 opinione të rëndësishme për të zgjidhur më së shumti konflikte mes presidentit Ilir Meta dhe mazhorancës qeverisëse. Në të tria opinionet e “Venecies”  fjala e ekspertëve më të mirë evropianë të ligjit, ka adresuar kritika ndaj nismave të mazhorancës qeverisëse, si në rastin e ngritjes së një komisioni parlamentar për shkarkimin e presidentit, në debatin për emërimin e Gjykatës Kushtetuese dhe së fundi me rrëzimin e ligjit shumë të debatuar “Anti-shpifje”, i cili kishte ngritur një shqetësim tek organizatat shqiptare dhe të huaja për cenimin e lirisë së medias.

Tri mesazhe nga Venecia

Nuk duhet kurrsesi të mendojmë që demokracia mund të ndërtohet një herë e përgjithmonë, që liria është ‘e fituar’ dhe se tranzicionet demokratike janë të pakthyeshme, sidomos nëse mendësia demokratike nuk është fituar në mënyrë të pakthyeshme”. Një frazë kumptimplote e shqiptuar pikërisht në Tiranë, 5 vite më parë nga Gianni Buquicchio, kreu i Komisionit të Venecies prej më shumë se një dekade. Fjalimi i tij u mbajt në një moment kyç për vendin, kur po përgatitej reforma në drejtësi, e trumbetuar si një zgjidhje përfundimtare për sistemin e korruptuar të drejtësisë në vend.  Por vetingu, procesi që nisi me këtë reformë dhe që do të nxirrte jashtë sistemit gjyqtarët e korruptuar nisi nga lart-poshtë, duke zbrazur Gjykatën Kushtetuese, e cila vijon të jetë e pazonja të marrë vendime prej disa vitesh. Në këto kushte, pa një arbitër kushtetues, u vunë në dyshim shumë çështje të rëndësishme, duke nisur që nga qershori i vitit të shkuar, kur presidenti Ilir Meta firmosi një dekret të paprecedentë për të anuluar datën e zgjedhjeve lokale, për shkak se opozita nuk do të merrte pjesë. Ky dekret u bë shkak për një nismë tjetër që nuk ishte ndërmarrë më parë nga Kuvendi, për shkarkimin e presidentit. Opinioni i parë i “Venecies”, i bërë publik në tetor të vitit të shkuar, i dha përgjigje këtij konflikti. “Venecia” nuk i dha të drejtë Metës për këtë dekret, por as mazhorancës për nisjen e procedurave të shkarkimit,  duke konstatuar se: “Presidenti mund të ketë tejkaluar kompetencat e tij kushtetuese, duke anuluar dhe shtyrë zgjedhjet lokale përtej mandatit zgjedhor të autoriteteve lokale, pa një bazë të veçantë ligjore – megjithatë, këto akte mund të mos plotësojnë kriteret e kërkuara të një serioziteti të mjaftueshëm për shkarkimin e presidentit”.

Mesazhi i dytë dhe i tretë për demokracinë nga “Venecia” erdhën në të njëjtën ditë, më 19 qershor 2020 dhe u përgjigjeshin kërkesave të vetë presidentit Meta për konfliktin mes tij dhe mazhorancës për emërimet e reja në Gjykatën Kushtetuese dhe për ligjin “Anti-Shpifje”, të rrëzuar nga Meta pas miratimit në Kuvend, me gjithë kundërshtimet e organizmave ndërkombëtarë dhe shoqërisë civile në vend.  Komisioni i Venecies në opinionin e vet përfundimtar, lidhur me përplasjen e vjeshtës së kaluar për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, i dha të drejtë kreut të shtetit në interpretimet e tij, të cilat në të kundërt u konsideruan nga socialistët si një shkelje e Kushtetutës. Ekspertët e Venecies kanë hedhur poshtë qartazi propozimin e shumicës për të shmangur me ligj betimin e anëtarit të Gjykatës vetëm para presidentit, në rast se ky i fundit refuzon ta bëjë këtë.  Komisioni vëren se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi “krijoi një incident të madh procedural”, kur i dërgoi me diferenca kohore listat me kandidatët, fillimisht presidentit dhe më pas Parlamentit. Sipas dokumentit, “duhet të ishte e qartë se data e dërgimit të listave do të kishte pasoja të rëndësishme, për shkak të zbatimit të mundshëm të emërimit automatik, në bazë të rregullit të afatit 30-ditor”. Për më tepër që për katër vende vakante (dy nga presidenti dhe dy nga Parlamenti) kishte vetëm 6 kandidatë, emrat e të cilëve ishin në listat e të dy institucioneve. Pezullimi i procedurës së emërimeve nga Meta, për komisionin, ishte e arsyeshme. “Duke pasur parasysh faktin se procedurat e mbivendosura nuk janë rregulluar në mënyrë të qartë, nuk duket e paarsyeshme që presidenti të konsiderojë se duhet të respektojë rendin e sekuencës. Për më tepër, nëse presidenti do të kishte zgjedhur dy kandidatë, Kuvendi do të dispononte një listë me më pak se tre kandidatët minimalisht të kërkuar nga Kushtetuta. Rezervat për shkak të kësaj perspektive nuk duken të pajustifikuara”, shprehet Komisioni i Venecies, duke shtuar që “pavarësisht se cili interpretim ishte i saktë, të dy organet emëruese duhej të ishin mbledhur dhe të kishin arritur një pozicion të përbashkët, përpara se të vazhdonin procedurën”.

Lexo edhe :  Zgjedhjet Parlamentare më 11 maj,KQZ:Regjistrimi i emigrantëve vetëm online,jo në terren

Në të njëjtën ditë erdhi dhe opinioni për paketën ligjore të cilësuar “Anti-Shpifje”, duke theksuar se ajo nuk ishte gati për miratim. ‘’Komisioni konsideron që projektligji nuk është gati për miratim në formën e tij aktuale. Ligji vuan nga paqartësia dhe ka të ngjarë të ketë një “efekt të ftohtë”, duke shtypur diskutimin e lirë dhe fjalimin politik në sektorin shqiptar të internetit.’’- thuhet në opinion. Sipas ‘Venecies’  duhet një rishikim i thellë i draftit të hartuar nga mazhoranca, pasi problemet e evidentuara nga autoritetet shqiptare janë serioze. Konkretisht Komisioni i Venecies shfaq  kritika për përzgjedhjen e anëtarëve të AMA-s dhe Komitetit të Ankesave dhe kompetencave që i shtohen asaj, pasi shkruan se nuk dihet nëse do ketë një rol pozitiv, si dhe duhet një tjetër mekanizëm për një përbërje pluraliste të anëtarëve të AMA-s dhe Komitetit të Ankesave.  Komisioni kërkon nga mazhoranca qeverisëse, si inciatore e këtij ligji, një rishikim të thellë të ligjit ose, siç shprehet ‘Venecia’ “ky ligj mund të bëjë më shumë dëm sesa mirë, për sa i përket lirisë së shprehjes në vend”.

Venecia”- një barkë shpëtimi për demokracinë shqiptare

Komisioni i Venecies dhe shteti demokratik shqiptar kanë lindur pothuaj njëkohësisht, rreth 30 vite më parë, kur ndodhën dhe ndryshimet e mëdha politike në gjithë Evropën Lindore, me rënien e mureve diktatoriale të sistemit komunist.  Për krijimin e Komisionit të Venecies u hodh ideja në vitin 1988, pak para nisjes së këtij ndryshimi të madh në vitin 1989, që përfundoi me  hapjen e vendit tonë në vitin 1991. Qeveritë e reja postkomuniste kishin nevojë për asistencë nga ekspertët e huaj, për të trupëzuar aspiratat e tyre në kushtetuta dhe tekste legjislative. Kështu, Komisioni i Venecies e shfrytëzoi këtë mundësi historike dhe u bë një partner i rëndësishëm në këto reforma. Përfaqësues të këtij komisioni asistuan në ndërtimin e demokracisë shqiptare që me projektin kushtetues të vitit 1994, i cili nuk arriti t’i pajtonte palët në një projekt të unifikuar, çka çoi dhe në dështimin e tij në popull.  Më pas komisoini ndihmoi në zgjidhjen e pjesës më të madhe të kundërshtive për Kushtetutën e vitit 1998, kur ekspertët e Venecies morën pjesë edhe në diskutimet në Parlament, duke u përpjekur t’i bindin forcat politike kundërshtare për të gjetur gjuhën e përbashkët, dhe duke u propozuar atyre rezultate të testuara në kohë të ndryshme në vende të tjera. Ky komision ka dhënë kontribut në reformën e gjyqësorit (1995), ofroi këshillim në tema të tilla, si heqja e dënimit me vdekje (1999), komisionet hetimore parlamentare (2001), legjislacioni zgjedhor (2004), e në shumë çështje të tjera ligjore në vazhdim. Komisioni i Venecies  ka prodhuar një dyzinë opinionesh, komentesh etj., në lidhje me Shqipërinë, shpesh herë opinionet kërkoheshin nga vetë Gjykata Kushtetuese. Ndërsa nga viti 2016 e deri më sot, ky komision, që jep opione për 62 vendet anëtare të tij, ka marrë atributet e Gjykatës Kushtetuese, e cila vijon të jetë peng i përplasjeve politike dhe zvarritjes së zbatimit të reformës në drejtësi.

Komisioni i që ka marrë emrin e qytetit të ndërtuar mbi ujë, në mënyrë metaforike është kthyer në një barkë shpëtimi për demokracinë shqiptare. Dhe jo më kot ai u vendos në atë qytet, pasi Venecia ka qenë një nga sistemet më të qëndrueshme demokratike të mijëvjeçarit të kaluar të historisë evropiane.

Çfarë është Komisioni i Venecies dhe si funksion

Komisioni Evropian për Demokracinë përmes Ligjit,  i njohur gjerësisht si Komisioni i Venecies, pasi ka selinë në Venecie,  është organi këshillimor i Këshillit të Evropës për çështje kushtetuese. Roli i Komisionit të Venecies është të sigurojë këshilla juridike për shtetet anëtare të tij dhe, veçanërisht, të ndihmojë shtetet që dëshirojnë të sjellin strukturat e tyre ligjore dhe institucionale në përputhje me standardet evropiane dhe përvojën ndërkombëtare në fushën e demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe ligjit. Ky komision luan një rol unik në menaxhimin e konflikteve dhe siguron “ndihmë kushtetuese emergjente” për shtetet në tranzicion. Komisioni ka 62 shtete anëtare: 47 vendet anëtare të Këshillit të Evropës dhe 15 vende të tjera. Komisioni Evropian dhe OSBE/ODIHR marrin pjesë në seancat plenare të komisionit. Anëtarët e trupës që harton raportet janë profesorë universitarë të së drejtës publike dhe ndërkombëtare, gjyqtarë të gjykatave supreme dhe kushtetuese, anëtarë të parlamenteve kombëtare. Ato janë caktuar për katër vjet nga vendet anëtare, por veprojnë në cilësinë e tyre individuale. Z. Gianni Buquicchio nga Italia është president i Komisionit të Venecies që nga dhjetori i 2009-s.

Opinionet për Shqipërinë

 19 qershor 2020 – opinioni për ligjin “Anti-shpifje” që synonte rregullimin e mediave eletronike, e cilësonte një ligj të paqartë që cenonte lirinë e medias dhe kërkon rishikim të thellë.

19 qershor 2020 – opinioni për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, i dha të drejtë kreut të shtetit  për aktin e pezullimit të emërimit të kandidaturave përtej afatit 30-ditor të përcaktuar.

14 tetor 2019 – opinioni për konfliktin PS-President, pas dekretit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Venecia konstatoi se Meta kishte tejkaluar disa kompetenca kushtetuese, por kjo nuk përbënte shkak për shkarkimin e tij.

Të fundit

Shurupi magjik i kollës me shegë dhe mjaltë, si ta përdorni për shërim të shpejtë

Kolla nuk duhet nënvlerësuar apo anashkaluar. Ajo shkakton vështirësi në sistemin imunitar dhe e drobit organizmin. Pasi dobëson mekanizmat mbrojtës...

Çiftet e reja po bëjnë më pak fëmijë, avokatja zbulon tre faktorët kryesorë

Statistikat tregojnë se numri i lindshmërive në vendin tonë ka pësuar një rënie. Kjo vjen për një sërë faktorësh përfshirë këtu edhe frikën që...

Përplasen serbët në veri, qytetarët mbajnë heshtje për viktimat e “korrupsionit të Vuçiç”

Dhjetëra studentë dhe qytetarë serbë kanë marrë pjesë në tubimin “15 minuta heshtje” para përmendores së “Princ Llazarit” në veri të Mitrovicës. Ky aksion ndërmerret...

Trump dëshiron Groenlandën, danezët mbledhin 200 mijë firma të “blejnë” Kaliforninë

Një peticion  online po shtyn  Danimarkën të marrë kontrollin e Kalifornisë dhe “të sjellë korsitë e biçikletave në Beverly Hills”. Fushata vjen pasi presidenti...

Numër i dedikuar për ankesat/ Siguria ushqimore testi që Shqipëria duhet të kalojë

Siguria ushqimore është testi  i radhës që Shqipëria duhet të kalojë... kjo si përpjekje për të fituar besimin e konsumatorëve e njëherazi për të...

Lajme të tjera

Web TV