Sasia e parasë në qarkullim ka arritur nivelin më të lartë historik, në reflektim të politikës së mbështetjes së ekonomisë me likuiditet të adoptuar nga Banka e Shqipërisë. Sipas statistikave zyrtare, në fund të muajit maj paraja në qarkullim arriti në 322 miliardë lekë, në rritje me rreth 9.2 miliardë lekë krahasuar me prillin. Që nga fillimi i muajit mars, kur vendi u prek nga epidemia e Covid-19, paraja në qarkullim është zgjeruar me 23 miliardë lekë.
Treguesi i parasë në qarkullim i referohet vetëm lekut dhe nuk përfshin valutën e huaj që qarkullon në ekonomi. Ky tregues mat diferencën mes monedhës së emetuar nga Banka e Shqipërisë dhe asaj që ndodhet gjendje në arkën e saj. Paraja e mbajtur në arkën e bankës qendrore në pjesën dërrmuese konsiston në rezerva të detyrueshme dhe depozita të mbajtura aty prej bankave tregtare, shkruan skantv.
Në fillim të muajit mars, Banka e Shqipërisë vendosi ndryshimin e formës së ankandit javor të injektimit të likuiditetit, për të mundësuar dhënien e likuiditetit të bankave në mënyrë të pakufizuar dhe me çmimin e normës bazë të interesit. Kjo zgjeroi aksesin e bankave tregtare në këtë instrument dhe plotësoi nevojat e ekonomisë për para në një moment delikat, kur epidemia çoi në mbylljen e shumicës së aktiviteteve ekonomike.
Bo.Ba/fjala.al