Formula e re e KQZ-së/ Opozita pranon rikthimin në Kuvend me të drejtë vetoje

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Këshilli Politik ka zhbllokuar më në fund reformën zgjedhore, duke gjetur konsensus për formulën e përzgjedhjes së anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas formulës së re, të miratuar dje, opozita do të ketë përfaqësuesin e saj në komisionin parlamentar që do të përzgjedhë kandidaturat.

Nga Blerina Gjoka

Këshilli Politik ka zgjidhur dje një ngërç të rëndësishëm që mbante peng ecurinë e Reformës Zgjedhore. Katër anëtarët e këtij këshilli kanë arritur konsensus për mënyrën se si do të përzgjidhen kandidatët për anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që do të administrojë zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Pas rrëzimit të dy propozimeve të opozitës për formulën e përzgjedhjes, më në fund është pranuar formula e tretë, e sjellë po nga opozita, një formulë që e parlamentarizon të gjithë procesin. Ky proces do të rikthejë në Kuvend pas 1 viti e gjysmë opozitën, e cila ka pranuar të ketë një përfaqësues të sajin në komisionin parlamentar që do të përzgjedhë kandidaturat.  Ky përfaqësues i opozitës do të jetë me të drejtë vetoje. Ky është hapi i parë konkret i PD-së dhe LSI-së për “të njohur” Kuvendin, institucioni nga ku dolën duke djegur mandatet e deputetëve, në shkurt të vitit 2019, duke e cilësuar jolegjitim. Vendimi i opozitës erdhi pas skandalit të dosjes 339, ku ngriheshin pretendime të forta për ndikimin e grupeve kriminale në rezultatet e zgjedhjeve në qarkun e Durrësit.

Rikthimi i opozitës

Marrëveshja politike e 5 qershorit parashikonte ngritjen e një KQZ-je të re, ku opozita do të kishte mundësinë të kishte përfaqësuesit e saj, por marrëveshja nuk futej në detajet e mënyrës së zgjedhjes së anëtarëve të rinj të këtij institucioni, gjë që solli përplasje mes palëve në diskutimet e mëpasshme në Këshillin Politik. Fillimisht opozita propozoi një proces qe e tejkalonte Kuvendin, duke i lënë atij vetëm votimin e kandidatëve, por mazhoranca e rrëzoi këtë model. Një formulë e re që e përfshinte Kuvendin, por gjithsesi ua jepte atributet partive në një komision ad-hoc për përzgjedhjen e emrave, sërish u rrëzua nga mazhoranca, deri në arritjen e modelit të fundit, ku opozita pranoi të kishte një përfaqësues të sajin në komisionin parlamentar që do të bëjë dhe filtrimin e kandidatëve.  Formula e tretë e demokratëve parashikon që përzgjedhja e kandidatëve të trupës se re zgjedhore të bëhet në një komision parlamentar, ku opozita do të ketë një përfaqësues të vetin me të drejtë vetoje, një e drejtë të cilën e ka gëzuar që prej krijimit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar.  Ky përfaqësues zgjedh 2 nga 5 anëtarët e Rregullatorit dhe 2 nga 5 anëtarët e Komisionit të Apelimit e Sanksioneve, që janë dhe dy hallka të funksionimit të KQZ-së së re.  Për zgjedhjen e kryekomisionerit shtetëror të zgjedhjeve, opozitarët propozojnë që Partia Socialiste të zgjedhë 4 kandidatë, nga ku përfaqësuesi i opozitës politike përjashton 2 dhe Kuvendi zgjedh 1 nga 2 të mbeturit. Formula e re parashikon edhe mekanizmin zhbllokues për votimin në Parlament, ku listat votohen në bllok me 84 vota dhe në rast se raundi i parë dështon, atëherë për ta rrëzuar duhen 84 vota kundër.

Lexo edhe :  Taulant Balla flet për luftën e brendshme në PS dhe marrëdhënien me SPAK

Formula e KQZ-së

Në propozimin e saj të ri opozita argumenton se  kjo formulë erdhi “duke marrë në konsideratë kundërshtinë e PS-së që procesi të zhvillohet ekskluzivisht në Kuvend, pa përfshirjen e institucioneve të tjera të pavarura”. “Kryetari i Kuvendit ngre një komision për vlerësimin e përmbushjes së kritereve nga kandidatët, me 3 anëtarë, të caktuar në mënyrë proporcionale 2 anëtarë nga partitë më të mëdha të shumicës, sipas rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme pararendëse dhe 1 anëtar nga partia më e madhe e pakicës, sipas rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme pararendëse” – thuhet në nenin 17 të Kodit Zgjedhor që pritet të kalojë për votim në Kuvend.  Për mënyrën e votimit Kuvendi do të testohet dy herë për të njëjtën listë kandidatësh. “ Kuvendi miraton listën e kandidatëve në bllok me shumicë votash. Në rast se Kuvendi nuk e miraton listën e kandidatëve në bllok, sipas këtij paragrafi, kryetari i Kuvendit ia kthen atë Komisionit Ad Hoc të Përzgjedhjes për përsëritjen e procesit të përzgjedhjes dhe dërgimin e një liste të dytë brenda 10 ditëve. Komisioni Ad Hoc i Përzgjedhjes zbaton të njëjtat rregulla të parashikuara në pikën 8. Kuvendi, brenda 10 ditëve nga dërgimi i listës së dytë, mund ta rrëzojë në bllok listën e kandidatëve me 3/5 e të gjithë anëtarëve të tij. Në rast se lista nuk rrëzohet, kandidatët e përzgjedhur konsiderohen të zgjedhur” – thuhet në propozimin e opozitës.  Lidhur me kohëzgjatjen e mandateve të anëtarëve të KQZ-së, opozita propozon të ruhet kohëzgjatja e dakordësuar një herë mes palëve politike në Shqipëri dhe që është aktualisht në fuqi: Komisioneri dhe Zëvendëskomisioneri të kenë mandat 4-vjeçar, me të drejtë ripërtëritje vetëm një herë; ndërsa anëtarët e KAS-it të kenë mandat 6-vjeçar, me të drejtë ripërtëritje vetëm një herë.  Vendimmarrja e KQZ-së do të jetë me shumicë të anëtarëve, jo më pak se 4 vota, pro për çështje të rëndësishme, si shpërndarja e mandateve për çdo zonë zgjedhore; pranimi i ankimit kundër vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve të zonës zgjedhore dhe vendimet lidhur me ankimet kundër vendimeve të KZAZ-ve për rezultatin e zgjedhjeve për qeverisjen vendore; kërkesat për deklarimin e pavlefshëm të zgjedhjeve në një ose disa qendra votimi; shpallja si të pavlefshme të zgjedhjeve në zonën zgjedhore apo në të gjithë vendin dhe përsëritja e tyre; aktet me karakter normativ që kanë për qëllim rregullimin e çështjeve që lidhen me zgjedhjet; propozimi për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së; miratimi i strukturës organike të KQZ-së, si dhe rregullorja e funksionimit të KQZ-së; caktimi i mandateve për çdo zonë zgjedhore; caktimi i zonave të administrimit zgjedhor. Ndërsa vendimet e tjera miratohen me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të KQZ-së, sipas rastit të Rregullatorit apo të KAS-it.

/En.Br./Fjala.al

Të fundit

Plani i ri i tatimeve për vitin 2025: Kë do të prekë aksioni antiinfomalitet?

Aksioni antiinfomalitet dhe përmirësimi i shërbimeve për tatimpaguesit janë dy nga prioritetet kryesore të administratës tatimore për vitin 2025. Në...

Katër ankesat më të shpeshta që gratë kanë për burrat e tyre

Studimet kanë treguar se ankesat që burrat dhe gratë ndajnë me këshilltarin ose psikoterapistin e tyre të martesës ndryshojnë sipas gjinisë. Por cilat janë ankesat më të zakonshme...

Norvegjia ndalon një anije të dyshuar për dëmtimin e kabllove nënujore

Policia norvegjeze njoftoi se ka ndaluar një anije vendëse por me ekuipazh rus, e cila dyshohet se është përfshirë në sabotimin e kabllove nënujore...

Punonjës pa kontrata dhe të pasiguruar, më shumë biznese u gjetën në shkelje gjatë 2024

Punonjës të pasiguruar, pa kontrata individuale por dhe mungesë të kushteve, janë këto shkeljet që Inspektorati i Punës ka konstatuar gjatë vitit 2024. Janë...

Disa rregulla të arta, si të manifestoni dëshirat tuaja

Po kërkoni ta provoni vetë manifestimin? Këtu janë hapat që ju propozojnë ekspertët për të provuar të shfaqni gjithçka që dëshironi, përfshirë paratë dhe...

Lajme të tjera

Web TV