Ç’po ndodh në Kinë? FBI: “Gjuetia e Dhelprave” jo fushatë kundër korrupsionit. Ja kujt i frikësohet qeveria

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kina është duke vënë në shënjestër qindra disidentë kinezë në Shtetet e Bashkuara përmes shfrytëzimit të një përpjekjeje globale kundër korrupsionit, duke përdorur taktika shtrënguese për të detyruar kritikët të kthehen në Kinë, tha të martën drejtori i FBI, Christopher Wray.

Fushata e quajtur “Operacioni Gjuetia e Dhelprave”, nisi në vitin 2014 si pjesë e lëvizjes gjithëpërfshirëse të Presidentit Kinez Xi Jinping kundër korrupsionit. Qëllimi i supozuar i programit ishte arrestimi i mijëra zyrtarëve dhe biznesmenëve të korruptuar që kishin ikur jashtë vendit.

Por, drejtori i FBI-së, Christopher Wray tha se në realitet, “Operacioni Gjuetia e Dhelprave” nuk është një fushatë anti-korrupsioni.

“Përkundrazi, Gjuetia e Dhelprave është një përpjekje gjithëpërfshirëse e Sekretarit të Përgjithshëm Xi për të vënë në shenjestër shtetasit kinezë që ai i sheh si kërcënim dhe që jetojnë jashtë Kinës, në të gjithë botën”, tha drejtori i FBI. “Bëhet fjalë për rivalët politikë, disidentët dhe kritikët që po përpiqen të hedhin dritë mbi shkeljet e gjëra të të drejtave të njeriut në Kinë.”

Zoti Wray i bëri komentet në një fjalim në Institutin Hudson në Uashington, ku ai gjithashtu theksoi përdorimin nga Pekini të ndërmjetësve në fushatën e tij të “ndikimit keqdashës” në politikat e Shteteve të Bashkuara.

Pandemia e koronavirusit nuk e ka ndalur Kinën të kryejë operacione të fshehta të ndikimit në Shtetet e Bashkuara, tha zoti Wray.

“Puna kritike është kjo: Të gjitha këto presione që në dukje janë pa pasoja të shumëzohen dhe të krijojnë një mjedis politikëbërës në të cilin amerikanët e gjejnë veten në tytën e Partisë Komuniste Kineze”, tha Wray.

Ambasada kineze në Uashington nuk iu përgjigj një kërkese për të komentuar mbi këtë.

Operacioni Gjuetia e Dhelprave drejtohet nga Ministria kineze e Sigurisë Publike. Që prej fillimit të tij, qindra “të arratisur” kinezë janë sjellë përsëri në Kinë për të dalë në gjyq, disa prej tyre në mënyrë vullnetare, dhe të tjerët pasi u arrestuan në vendet e huaja.

Lexo edhe :  Gjermania u ofron sirianëve deri në 4.500 euro për t’u kthyer në vendin e tyre

Shtetet e Bashkuara dhe Kina nuk kanë traktat ekstradimi. Zoti Wray tha se ndërsa qeveria kineze mund të ndiqte individë të kërkuar përmes kanaleve zyrtare të zbatimit të ligjit, ajo në vend të kësaj përdor operativë të fshehtë për të kërcënuar dhe joshur viktimat për t’u kthyer në Kinë.

“Këta njerëz në thelb janë të angazhuar në forma mashtruese të zbatimit të ligjit, që nuk mbështeten dhe nuk bëhen në koordinim me forcat amerikane të zbatimit të ligjit këtu në Shtetet e Bashkuara”, tha zoti Wray.

Sipas llogarive të zotit Wray, ka qindra “viktima të (Operacionit) Gjuetia e Dhelprave” në Shtetet e Bashkuara, shumë prej tyre shtetas amerikanë ose banorë të përhershëm të vendit.

“Qeveria kineze dëshiron t’i detyrojë ata të kthehen në Kinë, dhe taktikat e Kinës për të realizuar këtë janë tronditëse”, tha ai.

Operativët kinezë përdorin lloje të ndryshme të taktikave kërcënuese kundër viktimave.

Në një rast, qeveria kineze dërgoi një “emisar” për të vizituar familjen e një individi në Shtetet e Bashkuara pasi ai nuk mund të gjendej për t’ia përcjellur një paralajmërim të rëndë, sipas shefit të FBI-së.

“Individi i shënjestruar kishte dy mundësi: të kthehej menjëherë në Kinë, ose të bënte vetëvrasje”, tha drejtori i FBI-së, Christopher Wray.

Disidentët që refuzojnë të kthehen në Kinë ndeshen me kërcënime të familjarëve të tyre në Shtetet e Bashkuara dhe Kinë, tha zoti Wray.

Bërja e një kërcënimi është vepër kriminale në Shtetet e Bashkuara. Wray nuk tha nëse ndonjë operativ kinez është arrestuar për përfshirje në Operacionin Gjuetia e Dhelprave.VOA

/Ra.My. Fjala.al/

Të fundit

Emigranti nga Suedia ankohet: Vota ime në Shqipëri nuk është e fshehtë!

Një emigrant shqiptar që jeton në Suedi ka ngritur shqetësime serioze mbi procesin e votimit në Shqipëri, duke e...

“Nuk bëhet kryeministër dhe shton serbofobinë”, Lista Serbe akuzon Kurtin për provokim

Lista Serbe ka reaguar për hapjen e zyrave postare në Leposaviç dhe Zveçan, duke akuzuar kryeministrin në detyrë Kurti, për provokim dhe tentativë për...

“Askush nuk më ndalon dot”, intervista e rrallë e Donald Trump: Kisha shumë të korruptuar

Presidenti Donald Trump pranoi të jepte një intervistë me “The Atlantic”, kryeredaktori i së cilës, Jeffrey Goldberg, u përfshi pa dashje në një bisedë...

Futboll shqiptar, Pogradeci mund Besën dhe siguron finalen e “play-out”-it ndaj Tiranës

Pogradeci ka siguruar finalen e “play-out”-it ndaj Tiranës për një vend në “Abissnet Superiore”, pasi mposhti Besën në finalen e “play-off”-it të Kategorisë së...

“Vota për mua jua kthen lekët te xhepi”, Basha në njësinë 10: Kthejmë shpresën

Drejtuesi Politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, i shoqëruar nga kandidatët për deputetë Neli Demi, Diana Toma, Irsida Shehi, ka zhvilluar takime me qytetarë...

Lajme të tjera

Web TV