Ish lojtari i Tiranës, Dorian Kërçiku i ka habitur të gjithë me prezantimin në skuadrën e re. Kërçiku u largua nga bardheblutë për shkak se nuk i ishte dhënë mjaftueshëm kohë për t’u aktivizuar, e ndërsa të gjithë prisnin ta shikonin të prezantohej te skuadra e Bylisi, pasi ishte thënë që u arrit dakordsia, ai është shfaqur ditën e sotme me fanellën e Partizanit.
Prezantimi i mbrojtësit të djathtë te kundërshtarët e përjetshëm të Tiranës i ka surprizuar që të gjithë opinionin sportiv.
Ky lajm është bërë publik nga “Demat e Kuq” përmes një postimi në faqen zyrtare të klubit ku thuhet se është arritur marrëveshja me 26-vjeçarin.
Dorian Kërçiku ka firmosur një marrëveshje me të kuqtë deri në përfundim të këtij sezoni me opsion rinovimi edhe për vitin e ardhshëm.
Ai ka thënë se mendon që kalimi te kampionët e Shqipërisë është zgjedhja më e mirë e mundshme.
“Jam shumë entuziast që jam pjesë e Partizanit. Kam ardhur teksa skuadra kampione në fuqi e Shqipërisë, besoj se kam bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme për karrierën time”,-tha Kërçiku në një intervistë për faqen zyrtare të klubit.
Ish futbollisti i Tiranës iu bashkua Partizanit në Turqi, ku të kuqtë janë prej 3 ditësh fazën përgatitore. Këto ditë “Demave të Kuq” u janë bashkuar edhe disa lojtarë të tjerë, të cilët do të jetë në provë si rasti i sulmuesi italian Davide Lorenco./Fjala.al/