test

Gjidhënia, pse duhet të jetë zgjedhja e vetme për ushqyerjen

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Intervista/ Flet për suplementin “Shëndet” në gazetën “Fjala” Fitesa Asllani Ibrahimi, nënë avokuese për gjidhënien dhe kandidate për këshilltare të laktacionit nga La Leche League

Fitesa është nënë e 3 fëmijëve, 9 vjeç, 7 vjeç dhe 5 muajsh, të gjithë të ushqyer me qumësht gjiri. Krahas profesionit si ekonomiste në Postën e Kosovës, si aktivitet vullnetar mbi 6 vite përmes grupit “Lidhja për gjidhënien – përkrahim nënat”, ajo merret me përkrahjen e nënave lidhur me informimin e procesit të gjidhënies dhe benefitet. Puna që bën ka ndikuar te mijëra nëna shqiptare që hasin vështirësi në procesin e gjidhënies ose që u mungon informacioni i duhur. Në këtë intervistë ajo u përgjigjet pyetjeve kryesore që ngrenë nënat për nisjen e gjidhënies, problemet që hasen gjatë procesit dhe sigurisht mënyrës se si duhet të ndahet fëmija nga gjiri i nënës.

Fitesa, ju promovoni fort gjidhënien te nënat e reja. Sipas të dhënave, çfarë po ndodh me gjidhënien në Kosovë dhe Shqipëri? A ka një rënie të numrit të nënave që zgjedhin këtë formë ushqyerjeje për bebet e tyre dhe pse ka ndodhur kjo?

Agjensioni i Statistikave të Kosovës së bashku me UNICEF, në vitet 2013-2014, ka bërë një anketë të grupimeve të treguesve të shumëfishtë (MICS), me ç’rast kanë nxjerrë edhe të dhëna për përqindjen e nënave që ushqejnë fëmijët e tyre me qumësht gjiri. Ky numër fatkeqësisht atëherë rezultonte me 45% të nënave që ushqejnë fëmijët e tyre ekskluzivisht me qumësht gjiri që nga lindja. Pastaj ishte alarmante se ky numër pas muajit të 2 -5 bie në 21%. Kjo natyrisht ndodh për shkak të mungesës së asistencës mjekësore. Në fillim, shumica e nënave duke e njohur vlerën e gjidhënies e fillojnë që nga dita e parë pas lindjes. Mirëpo, pasi fëmija kalon disa javë, kur tashmë fillojnë fazat e rritjes së hovshme, nëna gjendet përballë një dyshimi për mjaftueshmërinë e qumështit të saj. Kjo periudhë është kryesisht momenti kur nënat bien pre e mungesës së informatave apo e keqinformimeve, qoftë nga rrethi e fatkeqësisht ndonjëherë edhe nga vet pediatri. Në këtë periudhë, flasim për moshën 10-ditëshe deri 2-muajshe, ndoshta edhe më tej, kur fëmija ka kërkesa më të shpeshta, fillon një parehati, ndoshta bebi edhe qanë më shumë, nëna merr këshilla të shpejtuara gabimisht që të shtoj qumështin formulë, ngase “fëmija nuk ngopet”. Ekspertët që merren me çështjen e gjidhënies kanë ardhur në përfundim se në këtë fazë dhe disa herë gjatë vitit të parë, fëmija ka kërkesa më të shpeshta, për ta sinjalizuar trurin e nënës se tani po rritet bebi prandaj nevojitet sasi dhe përbërje tjetër e qumështit që përket me moshën. Truri sapo merr sinjalin, “urdhëron” organizmin që të prodhoj varësisht nga kërkesat. Në qoftë se ne pikërisht këtu ndërhyjmë me shtesa, atëherë do të thotë se kemi ngatërruar këtë komunikim që e bën bebi me trurin e nënës përmes thithjeve të shpeshta të gjirit. E tëra që duhet bërë nëna, është që t’i përgjigjet kërkesave të bebit, me dashuri, kujdes dhe vetëbesim; të ushqehet mirë, të pijë mjaftueshëm lëngje, dhe të mos e mundoj veten me dyshime. Në qoftë se nëna vërtetë fokusohet në zhvillimin e instinktit, patjetër se do ta kuptoj saktësisht kur ka nevojë edhe për ndërhyrjen mjekësore.

Fitesa Asllan Brahimi

Tregtia e qumështit formulë në ditët e sotme e ka bërë shumë të lehtë ushqyerjen e bebeve dhe ndoshta është dhe më komode për nënat kjo gjë. Sipas jush, sa rëndësi ka ushqyerja me gji për bebin? Dhe pse duhet të këmbëngulim fort tek gjidhënia si e vetmja alternativë e ushqyerjes?

Po. Është e vërtetë se tregtia e qumështit formulë në ditët e sotme ka depërtuar kudo nëpër botë. Është çështje globale kjo. Prodhuesit e qumështit formulë aq shumë e kanë zhvilluar marketingun, është e paimagjinueshme. Aq afër i kemi, nën hundë. Dhe nuk është për t’u habitur në qoftë se një nënë e re mendon se s’ka asgjë në qoftë se kombinohet gjidhënia me formulë, ose që vazhdon vetëm me të, nuk është gjë për t’u brengosur. Qumështi formulë, shumë mirë që ekziston, sepse është zgjedhja e dytë në rast nevoje. Mirëpo, vetëm në rast nevoje e jo në rast qejfi, apo në rast estetike, apo në rast përfitimi të atyre që e rekomandojnë pa qenë e nevojshme. Mbase ndonjë nënë edhe mund të mashtrohet se do ta ketë më lehtë mëmësinë me formula, mirëpo studimet e fundit tregojnë se nënat që ushqejnë me qumësht gjiri bëjnë gjumë më të mirë, marrin benefite të ndryshme nga gjidhënia për fëmijën dhe për shëndetin e vet atyre. Pastaj, vet fakti që ndikon edhe në evitimin e depresionit postpartum, ia vlen ndër të tjera të shumta që përfitojnë dy palët. Edhe fëmijët që ushqehen me qumësht gjiri do të sëmuren ndonjëherë, mirëpo kryesisht sëmundje të ndryshme i kalojnë më lehtë. Po ashtu nënat që ushqejnë me gjiri, do të kenë gjasa më të ulëta të përballen me kancerin e gjirit, apo të vezoreve e mitrës, apo sëmundje të ndryshme të zemrës, etj. Çdo herë e potencoj se nga gjidhënia e një fëmije, përveç vet fëmijës, përfiton e gjithë familja. Ndoshta duket e panevojshme të përmendet krahas të mirave shëndetësore, por përmes gjidhënies familja kursen dhe përfiton edhe ekonomikisht në afat të gjatë. Sigurisht se edhe vizitat te mjeku do të jenë më të rralla dhe imuniteti i fëmijës dukshëm është më i qëndrueshëm.
Natyrisht që duhet të këmbëngulim, edhe ne vet si nëna edhe vet personeli mjekësor duhet të bëjë ç’është e mundur që të vazhdohet me gjidhënie minimum deri në moshën 2 vjeçare, siç e rekomandon edhe OBSH. Përveç tjerash, informimi dhe përfshirja edhe e bashkëshortit në këtë proces ka rol të veçantë. Informimi i drejt për babain dhe anëtarët e tjerë të familjes për ndihmën dhe kujdesin që duhet pasur për nënën gjidhënëse, do ta bëjë këtë proces më të lehtë dhe më të suksesshëm. Një supë e ngrohtë, një përqafim inkurajues, një masazh e shpinës për nënën, është një “investim” shumë i mençur dhe mjaft i nevojshëm. Përmes kujdesit, hormonet e nënës do ta ndihmojnë dhe lehtësojnë edhe prodhimin e qumështit të gjirit. Vërtetë e magjishme. Ndërsa kur mendohet e kundërta, vështirësitë janë shkaktarë edhe i ndërprerjes së vet furnizimit.

Duhet të pranojmë që shumë nëna nuk marrin asistencën e duhur për të nisur këtë proces. Sa e vështirë është për një nënë procesi i gjidhënies dhe a luan një rol me rëndësi stafi mjekësor në këtë gjë?

Është e vërtetë. Se si është katandisur bota kështu, është për t’u çuditur. Asnjëherë nuk mund ta kuptoj se si një person i certifikuar për mjekësi dhe që ka kontakt të drejtpërdrejtë me një nënë dhe beben e saj, mund të qëndroj indiferent pa i dhënë tërë mundin që të kryhet gjidhënia me sukses që nga dita e parë, që nga takimi i parë në sekondat e parë pas lindjes. Kuptohet në rastet emergjente që nevojitet ndërhyrja s’kanë çka bëjnë, por në raste të tjera fëmija duhet ofruar te gjoksi i nënës që të ndjejë aromën e saj dhe të stimuloj ardhjen e qumështit e të pijë pikat e para të qumështit që quhet kulloshtër. Mirëpo, pavarësisht se çdo kund ka edhe natyra të tilla që ndihmesën e mendojnë aq të vështirë, dua t’i përgëzoj me zemër ata mjekë e infermiere që nuk kursejnë as kohën e as shëndetin e tyre për t’i dalë në ndihmë një nënë te re dhe fëmijës së saj. Një nënë e re, në qoftë se paraprakisht nuk informohet, ajo gjidhënien nuk do ta mendoj si proces që ka nevojë për asistencë. Tek pasi të përballet me pozicionimin, me vendosjen e mirë të gojës se bebit në gjirin e saj, etj., atëherë ajo ndodh që të përjetoj ankth, dëshpërim dhe vështirësi krahas lodhjes gjatë lindjes, pastaj ndodh që do të dorëzohet dhe fëmija i saj do të ushqehet me qumështin formulë. Që një gjidhënie të ketë sukses dhe që ajo të jetë sa më e lehtë, mendoj se duhet të fillohet me informim që nga momenti kur një grua ta planifikoj shtatzëninë, apo kurdo që ajo mendon se do të bëhet nënë. Këtë më së miri do të duhet ta fillonte gjinekologu që nga dita e parë e vizitës. Të njoftohet nëna, t’i tregohet për të mirat e gjidhënies, të nxitet të informohet sa më shumë, të kontaktoj dhe vizitoj nga afër nënat që tashmë kryejnë procesin e gjidhënies, etj. Pastaj, stafi që kryen lindjen është e domosdoshme të jetë i informuar se si të pozicionohet fëmija konform gjendjes së nënës, ta realizojnë kontaktin lëkurë me lëkurë që në minutat e parë pas lindjes, dhe në vazhdim të ndihmohet që ta mbajë fëmijën afër për ta ushqyer sa më shpesh.

A mund të jepni disa këshilla bazë për nënat e reja që të nisin me sukses këtë proces?
Si fillim, një nënë që është në pritjen e ëmbël, krahas aplikacioneve që ka instaluar për të përcjellë shtatzëninë, rritjen e bebit të saj, të mbush bagazhin e saj me plot informata lidhur me gjidhënien. Nuk e di në Shqipëri, por në Kosovë janë këshillimoret me “Klasat për nënat”, projekt disa vjeçar nga AMC, që gjenden në çdo komunë për të ofruar informata të shumta për shtatzëninë, gjidhënien, etj. Të kontaktohen familjaret apo mikeshat e tyre që ushqejnë fëmijët me gji, të vizitohen ato, të shohin nga afër procesin se si bëhet. Të pajisen me ndonjë krem në rast të çarjes së majave të gjirit (që shkaktohen nga mospozicionimi i duhur, apo ndonjë pengesë tjetër), të kyçen në grupe të nënave që ndihmojnë dhe përkrahin njëra tjetrën, etj.
Secila nënë duhet të informohet për të mirat e gjidhënies. Të kërkoj ndihmë nga mjekët e tyre, nga mamitë, nga infermieret, të besojnë se trupi i tyre mund të prodhoj mjaftueshëm qumësht për ta ushqyer një bebe. Ta dinë që vetëm një numër shumë i vogël i nënave në botë nuk prodhon qumësht, dhe në rast se ndodh që pikërisht ajo mund të bë pjesë në atë përqindje, atëherë ekziston zëvendësimi dhe kujdesin ta vazhdoj krahas ushqyerjes së shëndetshme dhe ofrimit të dashurisë së pakusht.

Disa pyetje kryesore që shtrohen në gjidhënie janë; a duhet të vazhdojë gjidhënia kur nëna është me mjekim apo kur bebi mund të jetë i sëmurë? A duhet të vazhdojë kur nëna ngel shtatzënë përsëri? A duhet të vazhdojë gjidhënia dhe si mund të vazhdojë kur nëna është në marrëdhënie pune?

Tashmë janë vërtetuar se një numër i madh i barërave mund të përdoren edhe gjatë gjidhënies, dhe këtë më së miri do të duhej nëna ta konfirmonte te mjeku i saj apo farmacisti me njohuri të thella. Po ashtu, ka aplikacione të ndryshme kredibile që informojnë për barin se a është i sigurt të përdoret gjatë gjidhënies. Gjidhënia mund të vazhdoj edhe kur kryhen një numër i madh intervenimesh mjekësore te nëna apo te fëmija. Kjo çështje kërkon vetëm informim të mirëfilltë dhe të vazhdohet tutje pa ndonjë problem.
Unë vet jam “viktimë” e mosushqyerjes me qumësht gjiri nga mosha 5-muajshe, kur nëna ime ngel shtatzënë. Ajo nga mjeku u këshillua të ndërpres gjidhënien për mua, sepse barte një foshnje tjetër në barkun e saj. Kjo gjë dhe pastaj edhe shtatzënia ime e radhës gjersa po e ushqeja me gji vajzën time 17-muajshe, më nxiti që të hulumtoj më shumë për gjidhënien gjatë shtatzënisë. Gjeta shumë informata të besueshme se kjo gjë është e mundur dhe mund të realizohet pa asnjë problem. Në konsultë me mjekun tonë, edhe e vazhduam gjidhënien përgjatë gjithë shtatzënisë dhe 1 vit po ashtu së bashku me bebin tjetër. Një nënë shtatzënë, mund ta ushqej fëmijën e saj tjetër me qumësht gjiri, në qoftë se nuk ka histori të aborteve, apo në qoftë se ska probleme të tjera shëndetësore.
Para se një nënë të kthehet në punë, do të ishte mirë të informohet me ligjin që mbron nënat që ushqejnë fëmijët e tyre me qumësht gjiri. Me aq sa kam njohuri një ligj i ngjashëm është edhe në Shqipëri. Në Kosovë, Ligji Nr. 05/L -023 ka nenin e veçantë që përshkruan kur nëna ushqen fëmijën 6-1 vit me qumësht gjiri, ka të drejtë të shfrytëzoj pushim me pagesë të 2 orëve përveç pushimit të drekës, ndërsa nënat që kanë fëmijët nga 1-2 vjeç mund të shfrytëzojnë pushimin 1 orësh. Ato mund të bëjnë marrëveshje me punëdhënësin në çfarë kohe mund ta shfrytëzojnë këtë të drejtë. Në ndërkohë, nëna këshillohet që të mësoj fëmijën të pijë qumështin e gjirit nga shishja apo gota, duhet të informohet se si mund ta bëjë ruajtjen në ngrirje apo në temperaturë dhome, etj.

Ju menaxhoni një grup në “Facebook” ku mijëra nëna anëtare kërkojnë këshilla ose ndajnë eksperiencat e tyre. Sa njohuri kanë nënat shqiptare për gjidhënien dhe me çfarë problemesh përballen ato kryesisht në këtë rrugëtim?

Lexo edhe :  Rama tregon pse ishte krenar për punën e tij si kryetar bashkie i Tiranës

Po, së bashku me disa mike të mia (Albina, Alma, Azra, Emi dhe Shpresa) , me të cilat u njoha pasi kisha krijuar grupin, vullnetarisht e menaxhojmë një grup nënash në “Facebook”, prej mbi 14 000 anëtare. Përveç nesh, janë edhe vet nënat që nuk kursehen duke ndihmuar nënat që kanë nevojë për përkrahje morale dhe informata të sakta. Ta them të drejtën nuk është se përcjellim numrin e anëtarëve aq shumë. Më shumë jemi të fokusuara te cilësia e informatave. Sepse, realisht aty mund të figurojnë mbi 30 000 anëtare, por informatat në qoftë se jepen gabimisht, ai numër multiplifikohet dhe dëmi është më i rëndë. Ndërsa edhe po që se numri është më i vogël ndërsa informatat janë më të sakta, atëherë jemi të sigurta që ato përcillen nëpër shoqëri, në familje, etj. Puna që bëjmë ne është komplet vullnetare, pa asnjë përfitim material. Përfitimi kryesor është ndjesia e papërshkruar pasi të kemi arritur suksese me nënat që vazhdojnë ta shijojnë gjidhënien me fëmijët e tyre.
Ka shumë informata të gabueshme me të cilat nënat janë ndeshur dhe u kanë besuar paraprakisht. Mirëpo, pasi kemi kontaktuar, apo kemi postuar diçka ndryshe, ato kanë marrë informatën e nevojshme dhe kanë vazhduar tutje. Ndër më të shpeshtat janë rastet kur fëmija është duke kaluar në një fazë të rritjes, ndërsa nëna mendon se nuk ka qumësht të mjaftueshëm; kur ajo ka gjinjtë e butë, mendon se trupi i saj nuk po prodhon më qumësht, apo në rast se kanë kaluar disa orë pa e ushqyer bebin dhe qumështi i saj është prishur, etj. Raste të tjera ka edhe kur nëna këshillohet që ta shkëpus fëmijën nga gjidhënia sepse ka ngelur shtatzënë, se fëmija nuk ka shtuar shumë peshë, etj.
Para se të bëhet një konstatim i tillë janë një numër faktorësh që duhet vlerësuar dhe analizuar mirë paraprakisht. Gjidhënia është proces i natyrshëm dhe me informim të drejtë kryhet pa probleme.

Në kulturën shqiptare nënat tona kanë ushqyer me gji fëmijë të tjerë që kanë pasur nevojë, por kjo është një traditë që po humbet. Sipas jush a duhet të futet edhe tek nënat shqiptare kultura e dhurimit të qumështit të gjirit për nënat në vështirësi dhe si mund të realizohet kjo?
Dihet se përpara ka pasur raste të tilla ndër familjarë dhe miq, mirëpo me kalimin e kohës, duke pasur mundësinë e blerjes së zëvendësuesve aq lehtë, nënat hezitojnë të kryejnë një gjë të tillë apo të kërkojnë nga një nënë tjetër ta ushqejnë fëmijën e saj. Për të dhuruar qumësht, personalisht mendoj se ato familje duhet të mbajnë raporte të afërta mes tyre, për të mos lejuar më vonë lidhje martesore mes atyre fëmijëve. Sot po kryhen studime të ndryshme rreth ndikimit të qumështit të gjirit drejtpërdrejt në ADN e personit që e konsumon, prandaj logjikisht që do të krijohej edhe një lidhje biologjike mes fëmijëve konsumues. Pastaj, në rast të dëshirës për të dhuruar, paraprakisht nevojitet të kryhen një sërë testesh dhe analiza për të vërtetuar ndonjë sëmundje të mundshme ngjitëse të asaj që e dhuron. Kërkohen kushte të veçanta për ruajtjen e qumështit, pra një bankë që mbanë evidencë të detajuar të çdo dhurueseje dhe përfituesi. Në vendin tonë dhe në Shqipëri ende jemi mjaft larg një mundësie të tillë.

Gjidhënia është një proces që ka një fund, por shpesh nënat zgjedhin rrugën jo të përshtatshme për fëmijët për t’i shkëputur nga gjiri. A keni ju disa këshilla se si duhet të përfundojë gjidhënia dhe në çfarë moshe duhet të shkëputet fëmija nga gjiri?
Shkëputja e fëmijës nga gjiri është një proces shumë i ndjeshëm edhe për nënën edhe për fëmijën e saj. Të dy, në një mbretëri të pakrahasueshme, kanë kaluar çaste të ëmbla, shikime të pafundta krahas pikëllimeve apo tekave të ndryshme, buzëqeshje që mjaltin e lënë shumë mbrapa nga ëmbëlsia, vjen një moment kur të gjitha këto natyrshëm duhet të mbështillen me kujtimet më të dashura që të ruhen në një vend të veçantë të zemrës. Vjen një moment kur gjidhënia tani zëvendësohet me përqafime dhe biseda plot dashuri për arritjet tjera në vijim. Siç ishte ashtu e bukur, natyrisht që edhe procesi i shkëputjes duhet të vazhdoj me të njëjtin ritëm. Ngadalë dhe me shumë kujdes. Një vend aq i dashur për fëmijën duhet të vazhdoj të mbetet po aq i dashur. Në asnjë mënyrë të mos frikësohet fëmija me ç’rast nëna do ta lyente gjirin me diçka të neveritshme për fëmijën. Në këtë mënyrë edhe nëna edhe fëmija do të pësojnë traumë dhe do të mbetet gjatë në kujtesë. Ky proces duhet të kryhet ngadalë për disa javë, duke reduktuar së pari shujtat e ditës, e pastaj edhe të natës. Duke kryer shkëputjen gradualisht, po ashtu edhe mbledhja e qumështit tek nëna nuk do të bëhet, pasi që trupi tashmë e kupton se po ndodh reduktimi. Në raste të tjera kur shkëputja bëhet në çast, nëna mund të pësoj inflamacione të ndryshme, fryrje, ethe, temperaturë të lartë e deri te komplikime edhe të tjera, prandaj nevojitet kujdes i shtuar. Shkëputja më së miri bëhet kur fëmija kupton dhe tregon gatishmërinë vetë. Në asnjë mënyrë nuk do ta kisha rekomanduar para moshës 2 vjeçare.

Nga komunikimi juaj me nënat a keni pasur ndonjë histori kur keni arritur të ndihmoni nënat e reja që të vijojnë gjidhënien pavarësisht vështirësive me të cilat hasen?
Pyetja juaj tani më nxit që pa modesti ta them se ka një numër jo të vogël të nënave që kemi arritur bashkërisht suksesshëm që nëna ta vazhdoj gjidhënien. Është ndjenjë e papërshkruar, që nuk ka çmim, kur nëna na i përshkruan ndjesitë dhe mirënjohjen që ndjen kur ushqen fëmijën e saj. Kemi kontaktuar me nëna nga të gjitha trevat shqiptare, nga Evropa, nga SHBA, shtetet lindore, etj., dhe ndjesia është e njëjtë për të gjitha. Këtë aktivitet e bëjmë me shumë kënaqësi dhe s’ka asgjë që do të mund të na kompenzonte. Ka disa prej atyre fëmijëve që sot janë në klasë të parë dhe që nënat e tyre akoma vazhdojnë të qëndrojnë në grup duke inkurajuar nënat tjera. Kjo është magjia e afërsisë që krijon një vepër humane. Kur diçka bëhet me zemër, pa asnjë interes material, s’ka se si të mos përçoj rrezet e veta përtej çdo pengese komerciale. Dhe ndjehem jashtëzakonisht e lumtur se gjidhënia tashmë është një temë e përditshme mes nënash. Jam e lumtur që përqindja e nënave të mirinformuara po rritet dhe nga kjo më së shumti po përfitojnë vet fëmijët, e ardhmja e vendit. Në grup ne kemi edhe mjekë të profileve të ndryshme të cilët vullnetarisht ndihmojnë dhe këshillojnë nënat në rast nevoje. Po ashtu, ne kemi pasur disa bashkëpunime me Ministrinë e Shëndetësisë dhe UNICEF, dhe ndjekim politikat e OBSh. Informatat që ne postojmë dhe bazohemi në to kanë burimin nga organizata e njohur që vepron në botë La Leche League.

Gjidhënia, si alternativë kryesore

“Qumështi formulë, shumë mirë që ekziston, sepse është zgjedhja e dytë në rast nevoje. Mirëpo, vetëm në rast nevoje e jo në rast qejfi, apo në rast estetike, apo në rast përfitimi të atyre që e rekomandojnë pa qenë e nevojshme. Mbase ndonjë nënë edhe mund të mashtrohet se do ta ketë më lehtë mëmësinë me formula, mirëpo studimet e fundit tregojnë se nënat që ushqejnë me qumësht gjiri bëjnë gjumë më të mirë, marrin benefite të ndryshme nga gjidhënia për fëmijën dhe për shëndetin e vet atyre”.

Ndarja nga gjiri

“Në asnjë mënyrë të mos frikësohet fëmija me ç’rast nëna do ta lyente gjirin me diçka të neveritshme për fëmijën. Në këtë mënyrë edhe nëna, edhe fëmija do të pësojnë traumë dhe do të mbetet gjatë në kujtesë. Ky proces duhet të kryhet ngadalë, për disa javë, duke reduktuar së pari shujtat e ditës, e pastaj edhe të natës”.

Mbështetja ndaj nënave

“Secila nënë duhet të informohet për të mirat e gjidhënies. Të kërkojë ndihmë nga mjekët e tyre, nga mamitë, nga infermieret, të besojnë se trupi i tyre mund të prodhojë mjaftueshëm qumësht për ta ushqyer një bebe. Ta dinë që vetëm një numër shumë i vogël i nënave në botë nuk prodhon qumësht”.

 

Të fundit

VOA: Vendimi i Apelit për Belerin hap rrugën për zgjedhje të reja në Himarë

Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme e Apelit konfirmoi dënimin me dy vite burgim për Fredi Belerin, kryetarin e zgjedhur...

Ish-zëdhënësi i Belerit tregon mesazhet: Djali i Arqille Bollanos më kërcënon

Ish-zëdhënësi i Fredi Belerit, Skerdian Dhuli, pretendon se është kërcënuar nga djali i kryebashkiakut në detyrë të Himarës, Arqille Bollano. Në studion e “Top Story”,...

Pse Kate Middleton nuk e shoqëroi William dhe fëmijët te Taylor Swift

Princi William u argëtua të premten në stacionin e parë të turneut Eras në Londër. Trashëgimtari i fronit britanik u shoqërua në koncertin e...

Sezoni i Gaforreve, me cilat shenja shkojnë më shumë më të ndjeshmit e Horoskopit

Gaforrja është një shenjë uji e sunduar nga Hëna. Njihet si një nga shenjat më të ndjeshme dhe më të orientuara drejt familjes. Humori i...

Takimi me Vuçiç, reagon Kurti: Shkelën marrëveshjet, situata eskaloi për faj të Beogradit

Pas dhjetë muajsh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç takohen në Bruksel në ndërmjetësim të shefit të diplomacisë evropiane...

Lajme të tjera

Web TV