Në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, populli i Kosovës po i jep lamtumirën një prej artisteve më të mëdha shqiptare, Nexhmije Pagarusha. Pagarusha u nda nga jeta 2 ditë më parë në moshën 86-vjeçare.
Ajo do të varroset në fshatin e saj të lindjes në Pagarushë, një amanat që e la kur ishte gjallë.
Zyrtarët më të lartë të Kosovës kanë nisur të marrin pjesë në homazhe, ku në radhë qëndrojnë edhe një numër i madh qytetarësh.
“Jam e bindur që trashëgimia që la pas, zonja Nexhmije Pagarusha, bilbili i Kosovës do të rrojë edhe për brezat e ardhshëm. Është një njeri që ka bërë shumë jo vetëm për artin e kulturën, por për të gjithë popullin tonë. Pra, është shndërruar në një simbol të dashurisë ndaj popullit, dhe nëpërmjet zërit na ka dhënë shumë”, tha Vjosa Osmani, kryetare e Parlamentit.
Ndërkohë, bashkëpunëtorë, miq e figura të shquara po vazhdojnë të bëjnë homazhe e të ngushëllojnë familjarët e ikonës së këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha.
Këngëtarja Shyhrete Behluli me lotë në sy tha se ajo e vepra që la pas do të jetojnë gjithmonë. Behluli tha se ndoshta i kanë mbetur “hak”, për shkak se nuk është bërë mjaftueshëm për të.