Si u inkriminua Parlamenti Shqiptar dhe pse dështoi ligji i dekriminalizimit në zgjedhjet vendore 2019. A është koha të forcohen masat ligjore për partitë, që të ndalohet promovimi i elementëve kriminalë në zgjedhjet e ardhshme?
Nga Bardhi Quku
Në daljen e fundit publike, Kryeministrit Edi Rama iu desh që të lëshonte pa “dhimbje” të gjitha ato personazhe me të cilët nga viti 2013 dhe deri më tani bashkëpunoi, por në periudha të ndryshme ia mori ligji i dekriminalizimit. Kjo është një barrë e rëndë që Kryeministri kërkon mos e mbajë më mbi kurriz, sidomos nga perceptimi i gjerë publik, që elementë të lidhur me krimin gjetën oazin politik për t’u pastruar, por nga ana tjetër është i detyruar të mos lëshojë personazhe të veçanta, duke i “konsideruar miq personalë”, por jo më vendimmarrës politikë brenda familjes parti. Në dhjetor të vitit 2015 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë do të votonin një ligj, i cili do të ishte unik në llojin e tij, një ligj që do të bënte harakiri edhe për shumë prej atyre që ngritën kartonin në ato të ditë të ftohta. Të ndodhur nën presionin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, deputetët votuan ligjin e dekriminalizimit që parashikonte të pastronte politikanët me të shkuar kriminale. Dhe të tillë nuk ishin pak në Kuvend. Ata kishin kapërcyer gardhin e politikës, në vitin 2013, duke hyrë aty me bekimin e kryetarëve të partive politike dhe votuesve. Të akuzuar për korrupsion, lidhje me trafikun e drogës dhe deri për vrasje, ishin ulur në karriget e sallës së Kuvendit, duke shënuar një rekord historik të padëgjuar më parë, jo vetëm në parlamentarizmin shqiptar, por edhe atë vendeve të botës së tretë. Emra të tillë si Mark Frroku, Armando Prenga, Aqif Rakipi, Arben Ndoka, Dashamir Tahiri, Gledion Rehovica apo Shkëlqim Selami ishin deputetët që në fund u prekën nga ligji i dekriminalizimit duke lënë në mes mandatin e deputetëve. Parlamenti i 2013-ës do të shndërrohej në një arenë përplasjesh midis të fortëve të ardhur nga bota e krimit dhe pjesës tjetër të deputetëve. Kur opozita akuzoi Kryeministrin Rama se kishte sjellë kriminelë në Parlament, ata u shfaqën aty, për të mbrojtur me forcë “dinjitetin” e tyre. Në këtë konflikt, vendin e ideve e zunë grushtet, dhuna, kërcënimet, sikurse u regjistrua edhe një incident nga deputeti socialist Arben Ndoka kundër deputetit demokrat Gent Strazimiri. Tashmë politika po fliste “me arsyen e forcës” dhe jo “forcën e arsyes”, një shprehje që Kryeministri Rama e përdorte dendur gjatë periudhës së tij në opozitë.
Konfliktet brenda mazhorancës
Ndërsa PS dhe LSI ishin në bashkëqeverisje, situata për pak doli jashtë kontrollit ku brenda kampit mazhorancë lindi përplasja Doshi-Meta. Akuzat për një atentat të mundshëm të porositur nga Meta kundrejt Doshit kapërceu konfliktin politik, duke e marrë në dorë drejtësia. Në fund historia përfundoi në gjykatë, ku Tom Doshi u akuzua për kallëzim të rremë bashkë me Mark Frrokun. Doshi arriti të siguronte përsëri mandatin e deputetit, madje krejtësisht i vetëm, pa përkrahjen e një logoje të madhe partiake dhe jashtë radhëve të PS-së. Mbyllja e kapitullit 2013-2017 në Parlament me figura jo fort kredibël ishte një nga nismat e Ramës, por sërish mandati i dytë qeverisës, këtë herë i vetëm, do t’i sillte të tjera kokëçarje nga të tijtë. Në skenë del ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Ai u akuzua për favorizim dhe lidhje me grupin e strukturuar kriminal të trafikut të drogës Shqipëri-Itali; me grupin e Habilajve. Prokuroria kërkoi arrestimin e Tahirit, por Kryeministri Rama e mbrojti ministrin, duke përdorur imunitetin e tij dhe forcën e kartonit në Kuvend. Ai hoqi dorë nga mandati i deputetit dhe u përball me drejtësinë, ku u dënua me 3 vjet burg, e konvertuar në punë të detyruar. Hija e krimit do ta ndiqte nga pas qeverinë e Kryeministrit Rama dhe mallkimi ishte po Ministria e Brendshme. Fatmir Xhafaj do të akuzohej nga opozita, ku pretendohej se vëllai i tij, Agron Xhafaj, ishte i lidhur me trafikun e drogës në qytetin e Vlorës dhe ishte i dënuar në mungesë në Itali. Gjithçka përfundoi në një telenovelë tipike të politikës shqiptare, e njohur botërisht si “Babale”, ku Fatmir Xhafaj fillimisht u mbrojt dhe më pas dha dorëheqjen. Vëllai i Fatmir Xhafajt udhëtoi drejt Italisë për të vuajtur dënimin. Ndërsa akuzuesit, me në krye ish-deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji, dolën fajtorë nga gjykata për kallëzim të rremë.
Dështimi i “dekriminalizimit”
Ligji për dekriminalizimin, i miratuar në dhjetorin e 2015-ës, mori me vete disa koka, për sërish filtrin e tij e kaluan shumë të tjerë, sidomos kandidatë për kryetarë bashkish. Nëse Parlamentin e kishte “menaxhuar” më mirë, për zgjedhjet lokale qeverisja “Rama” dështoi sërish, duke “aktivizuar” ligjin e dekriminalizimit. Edhe pse një pjesë e deputetëve me të shkuar problematike dolën jashtë skenës politike, ku u larguan nga Kuvendi 7 deputetë, 2 të Lëvizjes Socialiste për Integrim, si Gledion Rehovica dhe Shkëlqim Selami, Aqif Rakipi i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, si dhe Dashamir Tahiri i Partisë Demokratike, ndërsa Mark Frroku i kristiandemokratëve dhe Arben Ndoka e Armando Prenga i Partisë Socialiste dhanë dorëheqjen. Ndërkaq, 57 kandidatë për deputetë u larguan me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 2017-ës. Dhjetëra këshilltarë dhe kandidatë për këshilltarë, mbi 80 zyrtarë bashkiakë si dhe mbi 150 zyrtarë dhe drejtues në institucione të tjera do të ishin subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Me gjithë largimin e figurave problematike dhe me të shkuar kriminale nga Kuvendi, të zgjedhurit e fundit në krye të bashkive në Shqipëri do të kthenin makthin e mëparshëm. Zgjedhjet vendore të vitit të kaluar nxorën edhe figura të dyshuara si të implikuara më parë në veprimtari kriminale. Kryetarë bashkish, si Valdrin Pjetri, Agim Kajmaku, Mark Babani, Qerim Ismailaj etj., janë akuzuar nga opozita për lidhje me krimin dhe trafikun e drogës. Ndërkaq, Partia Demokratike ka propozuar zgjerim të konceptit të dekriminalizimit, për të parandaluar futjen e njerëzve me rekorde kriminale në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas propozimit të opozitës, “dekriminalizimi duhet të shtrihet jo vetëm në administratën zgjedhore, por përtej kësaj, edhe në pjesë të stafit të fushatës së subjekteve”. Kini parasysh “çunat problematikë”, bandat dhe krimi, të cilët u ngjiten si këpushë subjekteve zgjedhore në fushatë zgjedhore. Do të jenë të detyruara subjektet zgjedhore të deklarojnë cilët janë pjesëtarët dhe anëtarët e stafeve të zgjedhore, të ditur këta edhe për policinë, në mënyrë që veprimtaria e tyre të monitorohet”, – u shpreh dy ditë më parë ish-deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj.
Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë testi i radhës nëse politika dhe institucionet vendimmarrëse të shtetit shqiptar do të pastrohen nga njerëzit me rekorde kriminale apo të fortët, pasi kanë hequr “uniformën e burgut” do ta veshin ose jo kostumin e politikanit./FJALA.al
*Një analizë për lidhjet e krimit me politikën për Fjala.al nga eksperti i politikës Afrim Krasniqi dhe analisti Ermal Hasimja.
Afrim Krasniqi: Fijet e krimit me politikën, duhen penalitete për partitë
Dekriminalizimi/ Ermal Hasimja: Populli ka politikanët që meriton