Nga Dr. Mikel Nakuçi
Coronavirusi solli karantinën. Karantina nuk të lejon të shkosh ku të duash të mjekohesh e aq më tepër jashtë shtetit. Kështu sot të varfër e të pasur janë në duar të mjekëve shqiptarë.
Pikërisht në këtë kohë shoh të dalin në dritë statuse që ndriçojnë figurën e mjekut, i quajnë heronj e super heronj.
Mbas gjithë këtyre viteve që i denigruan, që i përzunë, e që i burgosën, kuptuan më në fund se janë nje diamant që duhet ta kenë pranë.
Të mbushur me zili për pushtetin moral të mjekëve, (që rrallë ka edhe nga ata që abuzojnë me të), arritën deri atje sa të përhapin shprehjen se: “mjeket këtu të lënë të vdesësh”.
Të mbushur me zili për të ardhurat e mjekëve që në shumicën e rasteve jane shumë të ulta për shërbimin që ofrojnë, dhe shumë prej tyre i kanë rrogat vërtet të pallogariteshme, ulërinin në çdo rast se: “mjekët na rropën, e kanë kthyer mjekësinë në biznes”, a thua se një mjek privat nuk shënohet në regjistrat e shtetit si: “biznes i vogël ose biznes i madh”.
Të mbushur me revoltë për mungesat e shërbimit shëndetësor për shkak të shtetit tonë, i fyen e i goditën mjekët gjatë detyrës, se vetë nuk patën kurrë guximin të bënin qoftë edhe një protestë të vetme për kushtet e mjekësisë. Është më lehtë të fajësosh mjekun.
Të mbushur me injorancë, fajësuan mjekët ata të pasur që mendojnë se meqënëse kanë para nuk mund të sëmuren më, se po të sëmuren ose të vështirësohet mjekimi gjithmonë e kanë fajin mjekët, ose ata të varfër që kujtojnë se shkaku për problemet e tyre kur sëmuren është i mjekut.
Të revoltuar se presin në urgjenca, pa kuptuar se nuk jane në radhën e domateve, dhe se të sëmuret kanë përparësi në bazë të problemit shëndetësor që paraqesin. Pa kuptuar se pritja një fare kohe në urgjencë shpesh here është procedurë e diagnozës për të arritur një shërbim sa më të mirë për të sëmurin ata bërtasin se: “nuk na prek njeri me dorë se nuk kemi paguar para”.
Ata thërrasin që mjekët të jene të kualifikuar. Po si? Nuk kenë kuptuar se mjekët duhet të jenë relativisht të pasur, sepse kështu do t’i shërbejne më mirë atyre. Ata që lejuan të pasurohen politikanë, hajdutë, dhe injorantë, quajnë herezi që mjeku i cili harxhon jetë e tij për tu rritur profesionalisht, në shërbim të tyre të pasurohet. Ai duhet të jetë i varfër, shërbëtor, mundësisht skllav. Por a e dinë qe një konferencë mjekësore që ta ndjekësh ka një pagesë që mund të shkojë deri 1000 euro? Mjeku i pasur mund të paguajë për to, mund të paguajë për kurse kualifikimi, dhe nuk do të kthehet në një lypsar i firmave farmaceutike. A e dini se sa investime do t’i duhen një mjeku privat që të mund të ushtrojë profesionin e tij në shërbim të tyre ?. Kurse për mjekët me rrogë duhet shteti të paguajë për kualifikimet e tyre. Por për mjekët nuk ka para. Ka për tendera dhe firma private.
Dhe arritëm këtu ku filluan të kuptojnë se vërtet që mjekët janë aty ku janë ata me sëmundje të vështira duke rrezikuar jetën e tyre dhe të familjes së tyre. E kuptuan këtë nga kjo epidemi, pa kuptuar se ky rrezik nuk është vetëm në këto ditë, por çdo ditë të punës, në ato ditë kur ata i bëjnë presion mjekeve, dhe nuk e lënë të qetë të bëjë punën e tij. Mjafton një shpim me nje gjilpërë të një të sëmuri, që të rrezikohet jeta e nje mjeku dhe e familjes se tij. E kujt nga ne nuk i ka ndodhur.
Një falenderim i madh për ata që kanë pasur gjithmonë besim tek ne, se ne e dimë që nuk jemi të gjithë ëngjëj. Por shumica jonë e duan profesionin, bëjnë sakrifica të jashtzakonshme për të, shqetësohen dhe vuajnë për te sëmurin. Le të vlejë kjo epidemi që të shndrojë mardhenien mjek- pacient në një mardhënie besimi dhe respekti reciprok.
Gjithmonë ekziston frika mos të ndodhi si në shprehjen “Kalova lumin të dhjefsha kalin”. Se ngjarje të tilla kemi pasur. Në vitin 97 kur shteti u shkërmoq, vetëm mjekët punonin bile edhe nën kërcënimin e armëve. Por kjo u harrua shpejt. Le të shpresojme me rastin epidemise të ndodhë ndryshe.