Nga Brian Resnick “Vox”
Jeta në Amerikë, dhe në shumë vende të botës, po ndryshon në mënyrë drastike. Tashmë, ne jemi të distancuar fizikisht nga njerëzit tanë të dashur, po shmangim vendet publike. Ndërkohë, financat e njerëzve kanë rënë ndjeshëm, madje shumë prej tyre kanë mbetur edhe papunë. Lufta ndaj pandemisë Covid-19, ka përfshirë çdo aspekt të jetës, ndërsa ne shpresojmë që kjo situatë të marrë fund. Por, kjo luftë mund të zgjasë me muaj, ndoshta një vit, apo edhe më shumë.
Kjo situatë është krijuar, pasi ekspertët e shëndetit publik vlerësojnë se distancimi social është mënyra më e mirë për të parandaluar një krizë edhe më të rëndë. Sipas tyre, nëse do veprohej ndryshe, mund të kishim qindra mijëra ose më shumë të infektuar, ndërkohë që sistemet e kujdesit shëndetësor do të mbingarkoheshin me shumë më tepër raste të rënda me Covid-19, në një kohë kur numri i njerëzve që kanë nevojë për respiratorë dhe shtretër spitalorë po pakësohet.
”Duke parë udhëzimet…dikush mund të mendojë, se mos kemi shkuar ca si shumë larg”- u shpreh dr.Entoni Fauçi, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive në SHBA, si dhe anëtar i task-forcës për koronavirusin të ngritur në Shtëpinë e Bardhe.
“Por ekspertët i kanë menduar mirë masat. Dhe gjëja që dua të ritheksoj… kur ke të bësh me një shpërthim të menjëhershëm të sëmundjeve infektive të panjohura, ti je gjithmonë disa hapa pas në raport me atë që mendon se mund të ishe”- theksoi ai.
Por edhe sa kohë do të na duhet, që ta fitojmë luftën ndaj koronavirusit të ri? E vërteta e hidhur, është se ky virus mund të jetë infektues, derisa të shpiket një vaksinë që ta ndalë atë. “Masa të tilla si mbyllja e shkollave dhe restoranteve për një periudhë kohore 2-javore, nuk mund ta zgjidhin problemin apo të rikthejnë normalitetin”-thotë Adam Kuçarski, epidemiolog në Shkollën e Higjenës dhe të Mjekësisë Tropikale në Londër, si dhe autori i librit “Rregullat e infektimit”, një libër që tregon se si përhapen infeksionet.
”Përgjigjia që nuk po marrin dot sot njerëzit, është se edhe për sa kohë do të zgjasë kjo situatë”- thotë ai. Sipas këndvështrimit të Kuçarskit, ekspert i afirmuar mbi situata të tilla, “ky virus do të qarkullojë, potencialisht për 1ose 2 vjet”. “Prandaj do të na duhet të mendojmë mbi këtë kohëzgjatje. Nuk ka opsione të tjera. Nëse mendoni për ndonjë variant për të luajtur jashtë, kjo është një ide e gabuar… Për momentin, mënyrat e vetme për të reduktuar ndjeshëm transmetimin e koronavirusit, janë masat e ashpra dhe të pandryshueshme”- shprehet ai.
Me kalimin e kohës, ne mësohemi se si ta disiplinojmë nevojën për të “sheshuaar kurbën” e pandemisë, me domosdoshmërinë për ta jetuar jetën dhe për ta ringjallur ekonominë. Por tani për tani, duket se jemi ende larg kësaj. Arsyeja se përse vazhdojmë të gjendemi ende në një periudhë periudhë të gjate krize, vijon më tej Kuçarski, është fakti se politikat e rrepta të distancimit shoqëror, po përpiqen që ta luftojnë këtë pandemi.
Nëse nuk zbatohen këto masa, duke i lejuar njerëzit që të mblidhen sërish në grupe të mëdha, ndërkohë që virusi vazhdon të qarkullojë ende, kjo gjë mund të dëmtojë rëndë shëndetin publik, duke vënë seriozisht në rrezik, njerëzit e moshës së tretë dhe të sëmyrët kronik. “Nuk ka asnjë mënyrë që virusi të largohet brenda disa javësh”- thotë ai.
Duke parë situatën, do të na duhet diçka vendimtare për të ndaluar koronavirusin, dhe për t’i dhënë fund kërcënimit. Kjo do të ishte një vaksinë (disa të tilla po testohen klinikisht, por mund të duhet 1 vit derisa se të aprovohen përfundimisht) apo “imuniteti i tufës”.
Përsa kohë që shumë njerëz janë prekur virusi, dhe tashmë janë bërë imunë ndaj tij, kjo e ngadalëson përhapjen e virusit. Por imuniteti i tufës, nuk është diçka e garantuar. Për momentin mbetet ende e paqartë, nëse pas një periudhe disa mujore apo pas disa vitesh, një person mund të mos ketë më një imunitet të fortë dhe të riinfektohet nga virusi (çka do ta vështirësonte pasjen e “imunitetit të tufës”).
Gjithashtu, “imuniteti i tufës” mund të arrihet me një kosto të madhe, që do të thotë miliona njerëz të infektuar, dhe ndoshta miliona të tjerë që do të vdesin. Një raport i ri që vjen nga Ekipi i Reagimit ndaj COVID-19 në Kolegjin Mbretëror në Londër, thekson nevojën e të mbajturit në fuqi të masave sa më të rrepta të distancimit social për një periudhë të gjatë.
Në të paraqiten dy skenarë për të luftuar përhapjen e shpërthimit. Njëri nga opsionet është zbutja, që në thelb bazohen në ngadalësimin por jo domosdoshmërisht ndalimin e plotë të përhapjes së epidemisë. Një opsion ende është shtypja, e cila synon të ndalojë zgjerimin e epidemisë.
Më 13 Mars, revista “Science”, botoi një analizë ku thuhej se 86 për qind e të gjitha rasteve me Covid-19 në Kinë, të raportuara para 23 janarit 2020, nuk ishin zbuluar në kohë nga autoritetet e shëndetit publik. Mendohet se këto raste të pa diagnostikuara, kanë infektuar 79 për qind të totalit të rasteve.
Xhenifer Nuco, epidemiologe në Qendrën Xhon Hopkins për Sigurinë Shëndetësore në SHBA, bie dakord se masat e distancimit social, duhet të vazhdojnë që të zbatohen të paktën edhe për një muaj. “Unë nuk mendoj se njerëzit janë të përgatitur për zbatimin e këtyre masave për një kohë të gjatë. Nuk jam në dijeni mbi atë që do të bëjnë udhëheqësit politikë. Edhe nëse kjo është e nevojshme, mua duket e paqëndrueshme”- thekson Nuco.
Ekspertja shton se ndjehet pesimiste, dhe se e ka të vështirë ta imagjinojë vendin e saj të mbyllur në karantinë për një muaj. Duke pasur parasysh domosdoshmërinë për të ruajtur masën e distancimit social për disa javë apo muaj, autoriteteteve të shëndetit publik do t’u duhet të bëjnë një rivlerësim të situates:Çfarë vendimesh do të duhet të marrin ato, që të parandalojnë një valë të madhe të vdekjesh, duke e lehtësuar në të njëjtën kohë edhe jetën e përditshm të qytetarëve.
Në këtë pike, lind nevoja për të pasur më shumë informacion mbi virusin. Koha do të na mësojë, se cilat janë masat më të mira për distancimin shoqëror, shprehen ekspertët e shëndetit. “Pas një viti, ne do të mund të kuptojmë nëse disa gjëra që kemi bërë, mund të mos ishin shumë të nevojshme. Por, për momentin duhet të vazhdojmë duke pasur një vigjilencë ekstreme për shkak të panjohurave mbi këtë virus”- thotë Peter Hotez, dekan i Shkollës Kombëtare të Mjekësisë Tropikale në Kolegjin Bejlor.
Aktualisht, shkencëtarët po punojnë për të kuptuar se cilët grupe njerëzish, dhe nga cilat vende, kanë më shumë gjasa që ta transmetojnë virusin. Nëse del që fëmijët nuk kanë ndonjë rol të rëndësishëm në përhapjen e sëmundjes, atëherë mund të rihapen shkollat.
Ndoshta, masat për ndalimin e udhëtimeve mund të rezultojnë joefektive, dhe të hiqen. Njerëzve mund t’u kërkohet ende që të punojnë online, por restorantet mund të hapen, duke pasur një numër të vogël tavolinash. “Sapo gjërat të përmirësohen, ne duhet të bëjmë një rivlerësim të situatës, duke i lehtësuar disi masat, duke parë se si do të ecin gjërat, në mënyrë që të mos përkeqësohen përsëri”- thotë Krutika Kupali, mjeke e sëmundjeve infektive në Qendrën Universitare Xhon Hopkins për Sigurinë Shëndetësore.
Tara Smith, epidemiologe nga Universiteti Shtetëror i Kentit, i frikësohet faktit se një politikë agresive e distancimit shoqëror, mund të bjerë viktimë e suksesit të saj afatshkurtër. Për shkak të masave të ashpra, shumë biznese do nisin të falimentojnë, ndaj mund të ketë presione politik dhe ekonomike për t’ii hequr ato para kohe.
“A do t’i mbështesin qytetarët dhe udhëheqësit tanë, masat e gjera të distancimit shoqëror? Unë nuk jam e sigurt për këtë. Edhe pse mund të duket sikur Kina dhe Koreja e Jugut, po e nënshtrojnë Covid-19, Kuçarski thekson se nuk ka mbaruar ende gjithçka.
Kina mund të zbusë disa nga politikat e saj të rrepta të distancimit shoqëror, dhe po rihap shkollat, por kërcënimi mbetet aty. “Do të duhen disa javë që transmetimi të nisë sërish.
Ata nuk e kanë zgjidhur ende këtë problem. Kina vazhdon që të raportojnë ende raste të reja, çka do të thotë se virusi vazhdon qarkullon ende në atë vend. Nëse do t`i ktheheshim normalitetit, do të gjendeshim sërish në situatën që ishim para një muaji”- deklaron ajo.
Sidoqoftë, ne mund t`i referohemi Koresë së Jugut dhe Kinës, për të parë se çfarë po funksionon atje, lidhur me zbutjen afatgjatë të masave, si dhe për të përshtatur strategjinë tonë. Për shembull, Koreja e Jugut ka qenë shumë agresive me testimet, gjetjen e rasteve dhe gjurmimin e kontakteve të tyre, për t’i mbajtur të ulëta rastet e reja.
“Kjo është dëshmuar të jetë e suksesshme deri më tani, nga të dhënat që marrim nga Koreja e Jugut”- thotë Mauricio Santiljana, drejtor i Laboratorit të Makinerive Inteligjente në Spitalin e Fëmijëve në Boston të SHBA-së, që ka punuar për të parashikuar se si do të vijojë përhapja e koronavirusit.
Është normale që të shqetësohemi nga kjo gjendje e krijuar. Përsa kohë që ka ende shumë të panjohura në lidhje me këtë virus, dhe mbi atë si do shkojë më tej kjo situatë. Ndoshta më e keqja do të na kursejë. Por ne duhet të jemi të përgatitur për të, dhe të futemi në normalitetin tonë.
Jeta mund të bëhet shumë e vështirë dhe shumë stresuese gjatë muajve në vazhdim. Kjo është një barrë e rëndë, dhe me siguri nuk do t’ju pëlqejë. Por dijeni: Kjo pandemi një ditë do të marrë fund. E vetmja gjë që nuk dimë ende është se kur.
Përgatiti:Silvana Tresa/fjala.al