Nga Tom Gillespie
Çmimi i lëndëve narkotike të shitura në rrugët e Londrës është rritur ndjeshëm gjatë pandemisë së koronavirusit, për shkak të masave të rrepta të izolimit, tha një furnizues i kokainës për Sky News.
Furnizuesi me bazë në Londër që u shet lëndë narkotike tregtarëve të vegjël në kryeqytet, tha se çmimi i një kilogrami kokainë është rritur nga 36 mijë paund në 40 mijë paund. Kjo do të thotë që përdoruesit e rregullt që ende dëshirojnë produktet duhet të paguajnë më shumë për shkak të rënies së furnizimit.
Tregtari me shumicë, i cili kërkoi të mbetej anonim, tha se ka qenë shumë i zënë me punë gjatë kësaj periudhe. Ai shtoi se disa nga klientët e tij janë përqendruar më shumë në blerjen e kanabisit sesa të kokainës.
Sky News ka siguruar disa mesazhe në WhatsApp të cilat zbulojnë se shumë shitës që shesin në rrugë ndaluan punën pasi policia po kontrollon të gjitha automjetet që lëvizin gjatë izolimit.
Një përdorues i drogës tha: “Askush nuk dëshiron të dalë me makinë pasi shanset që t’i biesh në sy policisë janë shumë të mëdha.”
Ndërsa disa mesazhe të tjera tregojnë se si çmimi i drogës ra në Londër ndërsa vendi u izolua, duke shqetësuar të gjithë tregtarët se si do të ‘hiqnin’ rezervat e tyre.
Sky news ka siguruar një mesazh, tjetër dërguar nga një tregtar për klientët e tij , duke u thënë se “kokaina vret koronavirusin”. Ai shkruante se tashmë kishte siguruar “vaksinën për koronavirusin”, duke thënë se 2 vaksina mund të blihen për 100 paund, 3 vaksina për 140, e 4 vaksina për 180 paund”.
Drogat si kokaina dhe MDMA shiten më shumë nëpër festa, gjë që do të thotë se shitja e tyre ka rënë pasi qeveria mbylli të gjitha clubet, pubet dhe urdhëroi izolim në shtëpi.
Ndërsa disa përdorues të kanabisit thanë se blenë një sasi me kanabis disa javë para se të mbyllej vendi. Një përdorues tjetër, i cili dëshironte të mbetej anonim tha: Çmimi i kanabisit ka filluar po rritet ndjeshëm. Një nga tregtarët e mi thotë se ata kanë pezulluar çdo gjë për shkak të kontrolleve të policisë pasi është shumë e rrezikshme të bësh transportin e dërgesave.”
Kryeministri Boris Johnson prezantoi masat e bllokimit javën e kaluar në përpjekje për të kufizuar përhapjen e koronavirusit.
Udhëzimi thotë që njerëzit duhet të qëndrojnë në shtëpi për tre javë dhe të dalin vetëm për qëllime këto qëllime, siç janë blerja e ushqimeve./ Burimi: Sky News/ Përktheu: Fjala.al/