Njeriu Faik që iu përkushtua Shqipërisë moderne, letër Moikom Zeqos

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Fotaq Andrea

I dashur Moikom,

Siç të vura në dijeni para ca ditësh, kam dërguar në shtyp së bashku me Bejtullah Destanin librin “Albania dhe Vjena”, korrespondencë e përbërë nga 145 letra të Faik Konicës dhe të diplomatit austriak Julius Zëiedinek, një vepër e plotë, përqendruar rreth revistës “Albania”. Me këtë rast po të nis këtu bashkëngjitur Studimin hyrës “Rrugëtimi i gjatë i Albania-s”, një historik për revistën koniciane që nga fillimet e veta më 1896 e deri përtej vitit 1909, kur Konica bëri një përpjekje të re në Amerikë (më 1911) për të rishfaqur revistën e tij “Albania” edhe në kontinentin e ri, para se t’i hynte “Trumbetës së Krujës”.

“Albania dhe Vjena”, është një libër me plot të papritura, ku shfaqen mjaft episode e personazhe historikë, por sidomos puna dhe lufta këmbëngulëse e Konicës për të kapërcyer pengesat e vështirësitë, madje edhe vetë kufizimet e “censurat” që synonin ta formatonin “Albania-n”, brenda një kuadri të ngushtë gjuhësor e historiko-kulturor.

Konica synonte lart, larg, për një Shqipëri autonome e të pavarur, deri madje edhe për një Shqipëri moderne, me të ardhme europiane, duke e bërë Albania-n një kryevepër rilindase me përmasë enciklopedike, e mbi të gjitha një kurdhër farkëtuese për dhjetra e qindra patriotë shqiptarë.

Deri me sot, letrat e Konicës për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë – për aq sa janë botuar në  numër të kufizuar – janë konsideruar gabimisht si të drejtuara për Ministrin Golushovski, i cili mbante, në fakt, titullin e lartë “kont”, ndërkohë që në libër vërtetohet për herë të parë se ato i drejtohen diplomatit Julius Roman Zëiedinek von Südenhorst që mbante një titull më të ulët, atë të “baronit”.

Ky diplomat austriak ka një karrierë tepër interesante që pasqyrohet në hyrjen e librit. Libri, i ndërtuar në tri pjesë dhe mjaft voluminoz, përmban veç letërkëmbimit, edhe shkrime të revistës “Albania” e dokumente të reja, gjithnjë me tematikë marrëdhëniet e Shqipërisë me Austro-Hungarinë, aleaten e jashtme më të ngushtë të Shqipërisë së kohës.

Vetë Konica, ka bërë historikun e këtyre marrëdhënieve që nga koha e Kastriotit të Madh kur Shtëpia e Habsburgëve furnizonte me armë principatën e Arbërit, më pas lidhjet e Mërkur Buas po me Habsburgët, lidhjet e Gjergj Bastës po ashtu, e deri te qëndrimi pozitiv i Austro-Hungarisë në Kongresin e Berlinit në favor të Shqipërisë, te austrofilia e De Radës dhe e Naim Frashërit, etj.

Kohët e fundit, Anila Omari në studimin e vet kushtuar “Çetës së Profetëve” të Bogdanit, nxjerr në pah me shumë interes e meritë edhe bashkëpunimin e ngushtë të Pjetër Bogdanit me Perandorinë austriake kur vetë peshkopi patriot Bogdani priti në Prizren me rreth 6 mijë malësorë shqiptarë të armatosur gjeneralin austriak Piçolomini, gjatë luftës së koalicionit të krishterë në vitet 1683-1689.

Janë tërë këto fakte e të dhëna historike, që flasin dukshëm për marrëdhënie të ngushta shqiptaro-austriake, të cilat do të konkretizoheshin esencialisht gjatë periudhës para dhe pas shpalljes së pavarësisë, sidomos gjatë vetë shpalljes së pavarësisë kur Austro-Hungaria do të “përzgjidhte” e mbështeste si favoritin e vet Ismail Qemalin për Aktin e Madh të Pavarësisë së vendit.

“Kush e ngriti flamurin e Shqipërisë?”- pyet Nelo Dizdari në intervistë Faik Konicën në nëntor 1937. Dhe Konica që përgjigjet:“Fizikërisht, pa fjalë Ismail Qemali. Ky është një fakt historik. Po vini re që thashë fizikërisht. Se moralisht është tjatër punë.

Moralisht, flamurin e ngriti Kryeduka Franz Ferdinandi, trashëgimtari fatzi i fronit të Habsburgëve. Kjo mund t’u duket fjal’ e çuditshme shumëve në Shqipëri… Kryeduka, i cili kur u plak tepër Franz-Josefi, frymësonte tërë politikën e Monarqisë Austro-Hungare, ish i mendjes se një Shqipëri e lirë ish nevoj’ e domosdoshme për ballancën e fuqisë në Europë të Jug-Lindjes, edhe shkeli këmbë të fortë që Shqipëria të mos ndahet në mes të Serbisë e të Greqisë”.

Në fakt, edhe më herët, në nëntor 1919, Konica i ka njohur Plakut të Vlorës meritën e padiskutueshme të ngritjes së flamurit të pavarësisë:“Çdo njeri ka orën e tij, një orë që i kapërxen të gjitha të tjerat nga bukuria e nga forca, edhe është si maja më e lartë e një jete. Padyshim, më 28 të Vjeshtës së Tretë 1912, kur dora thonjë-mbrehur e tij ngriti në Vlorë flamurin e vjetër të Skënder-beut, katërqint vjet të harruar, çasti i math për Shqipërinë ka qenë edhe më i bukuri në jetë të turbulluar t’Ismail Qemalit”.

Edhe pse Konica ia njeh Austrisë tërë këto merita historike, si një faktor i jashtëm që luajti rol parësor në pavarësinë e Shqipërisë, nuk mund të mos vëmë në dukje nga ana tjetër se që herët, Konica e kishte vënë në njëfarë mënyre para përgjegjësisë kancelarinë austriake për t’ia thënë açik një të vërtetë të lakuriqtë në lojën e saj të interesave politike e gjeostrategjike lidhur me çështjen shqiptare.

Kështu, në një letër drejtuar konsullit austriak Ippen në Shkodër në korrik 1904, Faiku, i papërmbajtur, në mbrojtje të interesave të Shqipërisë, lëshon një nga ata kërcuj të vërtete të fuqishme, që nuk ka si të mos lënë gjurmë edhe në vetë kancelarinë austriake: “Qeveria juaj pretendon se do që t’i ndihmojë shqiptarët për të dalë nga gjendja e tyre e mjerueshme. Bukur fort në teori. Por në fakt, çfarë ndodh? Diplomatikisht, ju nuk keni bërë asgjë që t’i njihet kombit shqiptar liria më e vogël. Financiarisht, edhe më pak”.

Duke ndjekur rrjedhën e ngjarjeve zhvilluar në libër, një pyetje del vetiu:pse Austro-Hungaria mbështeti e “përzgjodhi” Ismail Qemalin për shpalljen pavarësisë, kur ajo mbante prej kohësh rezerva të mëdha ndaj tij, madje edhe e kundërshtonte në lojën politike dyfishe që ky zhvillonte sidomos me Italinë e Greqinë?

Pse nuk zgjodhi, ta zëmë, Faik Konicën, epiqendrën e bashkimit dhe lidhjeve me patriotët shqiptarë, me të cilin Perandoria dualiste u lidh ngushtë që më 1897 dhe që e mbante afër aktivisht, ndërkohë që Ismail Qemali u shfaq në skenën politike shqiptare e ndërkombëtare

tre vjet më vonë, më 1900, dhe pa ato lidhje me faktorin e brendshëm që gëzonte Konica

falë Albania-s së tij?

A nuk ishte Austro-Hungaria faktikisht që mbështeti e i dha rol parësor Faik Konicës në Kongresin e Triestes, mars 1913, duke e njohur si kryetar de facto të Kongresit, deri edhe ministër gjatë kohës së princ Vidit? Sigurisht, përgjigjet mund të ishin këtu nga më të ndryshmet, nisur  nga mosha, urtësia dhe përvoja e plakut të Vlorës në punët e shtetit, nga prestigji, roli dhe njohja e tij kombëtare e ndërkombëtare tek mbante lidhje aktive me shumë kancelari europiane për gati një dhjetëvjeçar.

Madje shkohet gjer aty, sa të thuhet se Austro-Hungaria u detyrua të bashkëpunonte me Plakun e Vlorës, pasi dështoi në përpjekjen e vet me Syrja bej Vlorën dhe ngaqë “bejlerët e tjerë nuk e njihnin politikën më mirë se Ismail Qemali, madje as që donin të dinin për shtetin shqiptar”.

Bukur. Po pse atëherë Faik Konica u la mënjanë në ato koniunktura? Kur dihet që “Albania” e tij është edhe kudhër e vërtetë kalitjeje politike e Rilindjes për qëndrime sa më parimore e të palëkundura në interes të Shqipërisë etnike me katër vilajetet e veta, që predikonte vazhdimisht Faik Konica, madje edhe e kishte shfaqur e konkretizuar këtë platformë madhore që herët me hartën e tij të vitit 1902 të Shqipërisë etnike.

Fakti është se Konica u la mënjanë – si rastësisht – edhe më parë, në Kongresin e Manastirit të vitit 1908 për unifikimin e gjuhës shqipe, kur vetë idenë e këtij Kongresi, e për më tepër me pjesëmarrje albanologësh ndërkombëtarë, ai e kishte shprehur që herët, publikisht, në maj 1898, te “Albania” e tij.

Nga ana tjetër, edhe më pas, në dhjetëvjeçarin e dytë të viteve 1920, do të ndodhnin sërish e sërish “lëniet mënjanë” të Faikut në ngjarje të mëdha politike e diplomatike për fatet e Shqipërisë, kur vetë vëllai i tij Mehmeti do të ndodhej tashmë i përfshirë edhe në Konferencën e Ambasadorëve në Londër etj.

E të mendosh këtu fjalët e gjeniut pararendës Apoliner për “shqiptarin më erudit të Europës” siç e ka cilësuar ai Konicën, apo profecinë e tij në janar 1906 te shkrimi “Kartmonedha e një diplomati të lashtë” ku shprehet tekstualisht për shqiptarin Faik Konica:“Nëse Shqipëria do të ishte shtet, ky padyshim do të qe kryeministri i saj”!

Me një fjalë, e në mënyrë të sigurt, askush, as edhe vetë interlokutorët e tij austriakë nuk mundej assesi t’ia mohonin Konicës vlerat e larta intelektuale e eruditive, mendjen kreative e intuitive, forcën parashikuese e argumentuese, energjinë e personalitetit të tij të fuqishëm patriotik e rilindës, ndjeshmërinë e skajshme për çështje sidomos të politikës, së brendshme e së jashtme, por gjithnjë intrazigjent për të mos lëshuar as edhe një pëllëmbë të dheut stërgjyshor shqiptar. Po pse atëherë u la mënjanë, si me dashje?

Lexo edhe :  “Kur ndahesh nga gruaja, sjell 30 balerina në skenë”, Ledri konfirmon ndarjen me Sarën

Mund të thuhet se në kulmin e Aktit të madh të shpalljes së pavarësisë ai ishte larg, në Amerikë. Por ja që erdhi mirë e bukur më 1913 në Kongresin eTriestes! Po mund të thuhet, nga ana tjetër, se, pas vitesh të tëra bashkëpunimi të ngushtë me austriakët, ai mbase u kishte shkelur atyre në kallo, për të mos pranuar politikën dhe diplomacinë e tyre cilësuar lojë dyfishe në disa fronte me fuqitë e mëdha të kohës, atë lojë të rrezikshme që do të çonte deri edhe në Luftën e Parë Botërore.

Po ashtu, për të mos pranuar as politikën e tyre duke zvarritur pafund e pa zgjidhje çështjen e autonomisë e të pavarësisë shqiptare, në pritje të agonisë dhe vdekjes të “Sëmurit të Bosforit”.  (Si edhe më vonë, më 1915, për të mos pranuar marrjen nëpër këmbë të interesave të Shqipërisë me letrën e hapur që i dërgoi prof.Hans Delbrück).

Për mendimin tim, Konica dhe austriakët u njohën aq shumë e aq nga afër sa nisën t’i mbanin rezerva njëri-tjetrit, Konicë shqiptari nuk e pranonte të formatohej si donin austriakët, këta të fundit nuk e pranonin njeriun Faik, polemistin e thekur, intelektualin dhe shqiptarin e pavarur. Por, në fund të fundit, vetë Konicës i mjaftonin dija dhe mëmëdhesia e vet, i mjaftonin… dhe i tepronin.  Përkushtimim i  tij ishte Shqipëria, dhe revista “Albania” – e financuar nga austriakët si nevojë e kohës – e plotësoi më së miri detyrën e vet të shenjtë të zgjimit kombëtar.

Jo, nuk ishte Konica që iu shit austriakëve, ishin ata që e gjetën, që e piketuan të parët forcën e mendjes dhe të patriotizmit të tij (siç del kronologjkisht edhe nga dokumentet e kohës), ishin ata që kishin në radhë të parë nevojë për të. Sepse, në fund të fundit, ata fare mirë mund të shkëputeshin prej tij në çdo moment gjatë 15 vjetëve të tëra bashkëpunimi! Por ja që nuk e bënë! Dhe nuk e bënë, sepse kishin interes e nevojë për të.

Në fakt, edhe sot e kësaj dite kërkohen – gjoja nën petkun e realitetit dhe të objektivitet shkencor, por me shumë dashaligësi e denigrim – dritë-hijet, të metat, dobësitë, njollat, deri edhe morale, të figurës apo karakterit të Faik Konicës.

Bashkohësit e tij e dinin fare mirë se po të kruheshe me të, ai s’të falte, të sikteriste me artin më mjeshtëror të fuqisë së fjalës dhe logjikës bombastike, të jepte ujë në bisht të lugës me logjikë të rreptë, deri në demaskim e asgjësim.

Kërkojnë sot më kot, të ndajnë e të nxijnë artificilisht Njeriun Faik nga Vepra e tij poliedrike e patriotike, kërkojnë tek ai njeriun kontradiktor, konfliktual, pragmatist, spontan! Kur në fakt Njeriu Konicë është Një, vepra e tij është Një, origjinal Ai, origjinale Vepra e tij, që përjashtojnë çdo prizmikë “bardhë e zi”, “mirë a keq”, “me virtute a vese”, “me dritë a me hije”, me etiketime të tilla të ulta si “beu dembel a  beu qejfli”, e ç’nuk tjetër!

Kërkohet me një fjalë një censurim i Konicës nëpërmjet një banalizimi të figurës së tij në emër gjoja të një moraliteti të lartë, sikur dikush të kish në dorë fatet e tij, të mbante në dorë peshoren e drejtësisë dhe të gjykimit për të. Por një figurë llagar, njeriu pa njolla e mëkate as që ekziston.

Ai mund të jetë vetëm një, Mbinjeriu… “I tillë është veç Krishti, Krishti Perëndi është vetëm Një, s’ka tjetër!” më thoshte një ditë, me qetësinë dhe urtësinë e tij karakteristike, Sherif Delvina, kur i parashtroja merakun tim për të studiuar Konicën dhe veprën e tij përtej “njollave e akuzave”  dhe brenda relativitetit të gjërave.

“Për të gjykuar mirë një njeri që ka pjesë në histori, thotë vetë Konica, duhet t’a gjykojmë jo mbas mendimeve të kohës së sotme, po mbas kohës ku ay vetë u rrit, u suall e roiti. (Albania, nr.2, 1902). E në këtë drejtim, është shprehur po aq qartë edhe prof. Hasan Kaleshi, që zbuloi i pari Letrat e Konicës për Vjenën, dhe që mbrojti fuqishëm figurën e tij klasiko-moderne.  “… I kemi ndarë njerëzit e të kaluarës sonë, shkruan ai që më 1976, në “të bardhë” dhe “të zinj”, në “patriotë” e “tradhtarë”, i mbështesim mendimet tona në disa “autoritete” e jo në gjurmimet e vërteta shkencore, në studimin e materialeve arkivale, në analizën e kushteve objektive politike në të cilat ka jetuar dhe vepruar ky apo ai, në realitetin politik në të cilat ka jetuar dhe vepruar asaj kohe, në shqyrtimin e kushteve subjektive në të cilat ka jetuar ky apo ai.”

Kuptohet qartë cilët ka parasysh këtu prof. Kaleshi kur përmend “autoritetet” e shprehura për figurën e Konicës,  që nga bashkëkohësit e bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, që nuk e kanë njohur atë në thelbin e vet si njeri i lirë e i pavarur, njeri i kontrasteve të fuqishme me tipare gjeniu, deri te pseudo-studiuesit e sotëm dhe opinionbërësit, që nisen për ta gjykuar atë nga episode ekzotike të jetës së tij komplekse e të komplikuar.

E ç’krim na qenka, për shembull, se ai ka pasur një a dy “miqesha”, të cilat i ka dashur me shpirt, nga ato që u ka kënduar me zjarr të ëmbël dashurie Lasgush Poradeci; apo se ka pasur fëmijë – duan të thonë “të jashtëligjshëm” – Henrikun, birin e tij regjistruar en bonne et due forme (sipas rregullave zyrtare) në akte bashkiake dhe të pranuar me fakte dokumentare; apo se na paska simpatizuar Greta Garbon apo ka “lajkatuar” Ann Corion-ë; se ka demaskuar publikisht lojën progreke të Ismail Qemalit; se na paska “spiunuar” Nolin (por në ç’rrethana, si e qysh, kur vetë Statuti i “Vatrës” ndalonte në fund të fundit çdo prirje të majtë, çdo lidhje me BS-në e çdo propagandë të kuqe); se na qenka sherrosur keq me Gaspër Jakovën, Shahin Kolonjën, Gurakuqin, etj. etj. për çështje personale, idesh e pikëpamjesh, kur ai vetë e pranon temperamentin e tij me të gjitha tiparet e shqiptarit klasik, gjer edhe rrëmbyes e nevrastenik, por po aq fisnik:që të ftonte, i fyer, në duel, sipas të gjitha rregullave të kohës!

Nga kjo pikëpamje, as që çuditemi kur mësojmë p.sh nga shtypi i huaj i kohës për incidente gjatë Kongresit të Triestes, me përplasje të ashpra midis përkrahësve pro-austriakë dhe përkrahësve arbëreshë pro-italianë, me akuza e kundër-akuza të ndërsjella si të shitur te Austria, një palë apo te Italia, pala tjetër, dhe se kryetari Konica, i fyer rëndë personalisht, fton në duel me pistoletë Nikolin Ivanajn, të cilin ai e kishte shpëtuar më 1908  nga burgu në “çështjen Aladro Kastrioti”!

Në përfundim, i dashur Moikom, po sjell këtu fjalët e tua në mesazhin e fundit që më dërgove para dy ditësh kur më thoje për Konicën à la Faikio :“Konica  është një tejkalues i kohës, ndërkohë që kombi tij është përherë i vonuar në histori, për fat të keq edhe në kulturë”.

Duke të përshëndetur e uruar mbarësi, shëndet, mendje e penë të mprehtë, po të dërgoj, i dashur Moikom, edhe një enluminurë e shekullit XIV nga “takimi” i Cezarit me Pompeun para kalasë së Durrahiumit tonë, një miniaturë në pergamen e me sfond të artë nxjerrë nga dorëshkrimi i Jean de Thuin që ruhet në Bibliotekën bashkiake të Ruenit dhe në fondin Gallica të Bibliotekës Kombëtare të numerizuar të Francës.

Do vijë një ditë – ëndërroj e besoj – kur çdo qytet i Shqipërisë do ketë në hyrje të vet permendore me figura madhore të historisë së tij, të pasur e të lashtë, me rrënjë të thella në historinë europiane e botërore. Po të dërgoj gjithashtu nga koleksioni im edhe portretin e Faik Konicës, realizuar mjeshtërisht nga Lazar Taçi, nën porosinë time të drejtpërdrejtë.

Të përqafoj

Fotaq

Strasbourg, 20 prill 2020.

Të fundit

Koreja e Veriut dërgon mbeturina dhe balona me jashtëqitje kafshësh në Korenë e Jugut

Në një lëvizje të paprecedentë, Koreja e Veriut i dërgoi Koresë së Jugut balona të mbushura me mbeturina, letër...

Formula që do të përdorë qeveria për të rritur pagat nga 1 Korriku/ Sa do të jetë shtesa

Eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli ka qartësuar panoramën e kakofonisë së rritjes së pagave në administratën shtetërore ku prej korrikut të këtij viti që...

TRONDIT Ngjela/Vrasësit që hoqën qafe Azem Hajdarin ishin nisur për të eliminuar Berishën

Avokati i njohur, Spartak Ngjela ka komentuar zhvillimet e nxehta të dhe goditjet e njëpasnjëshme si në sferën e korrupsionit kriminal e atij shtetëror,...

‘Të lëmë pas ndasitë e së shkuarës’/Rama: E ardhmja e vetmja hapësirë për t’u bërë bashkë

Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim në Konferencën Ministeriale të Zonës Europiane të Arsimit të Lartë që zhvillohet për herë të parë në rajon...

Çoi djalin në kopsht/ Si e “zunë mat” avokatin e Berishës tre autorët

Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me sulmin e ndodhur ndaj avokatit të ish-kryeministrit Sali Berisha. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm në zonën...

Lajme të tjera

Web TV