Ilir Meta nuk është penduar për mbështetjen që i ka dhënë Edi Ramës në fillimet e tij në politikë. Në emisionin “Hard Talk” në Fjala.al, Meta theksoi se Rama dikur ishte progresiv dhe në mbrojtje të kauzave të rëndësishme të qytetarëve.
“Filozofia ime ka qenë gjithmonë që të mbështes ata që dëshirojnë të përcjellin energji të reja, përpjekje të reja, përpjekje për progres dhe zoti Rama më dukej i tillë në një periudhë të rëndësishme. Ishte për demokraci, ishte për një anëtar një votë, ishte për legalizimin e fraksioneve, ishte për kritikë ndaj qeverisë, ishte për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ishte në krah të gazetarëve, ishte për pavarësi të gjyqësorit, pra ishte progresiv në shumë tema dhe në këtë drejtim unë asnjëherë nuk pendohem”, tha Meta.
Roland Qafoku: Më ngacmuat me një anëtar një votë, keni thënë edhe një pallat nje votë.
“Edhe këtë gjë e kam thënë, por po them që ka qenë një partizan i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ka qenë kundër koncesioneve, ka qenë për gjëra shumë pozitive në interes të publikut”
Roland Qafoku: Si mund të kalohet nga kuota kaq të larta direkt në “i lidhur me krimin”, “një pallat një vote”… Domethënë ka shumë “up and down”.
“Tani të gjitha këto që unë thashë i përkasin një periudhe tjetër, çështjet e tjera i kalojnë një periudhe tjetër. Ky lloj transformimi nuk duhet kërkuar tek unë. Unë vazhdoj, kam bindje tek zgjedhjet e lira, kam bindje te pavarësia e drejtësisë dhe i qëndroj asaj reforme që votuam me 140 vota në 21-22 korrik 2016. Unë vazhdoj besoj te gjithëpërfshirja, vazhdoj të besoj te liria e medias, vazhdoj të besoj tek një anëtar një votë, vazhdoj të besoj edhe tek e drejta e kujtdo për të bërë edhe një fraksion brenda një force politike sepse këto zhvillojnë demokracinë dhe rrisin aftësitë e një shoqërie gjithëpërfshirëse edhe të shëndetshme.”
Roland Qafoku: I bie që tani Rama të jetë bërë pak i mirë, pas gjithë këtyre vlerësimeve.
“Unë nuk thashë që është bërë pak i keq apo shumë i keq, këto janë konkluzione tuaja, për mua është e rëndësishme që të gjithë t’i shërbejnë të mirës në çdo kohë dhe jo thjesht mbi aspektet emocionale apo ndonjëherë edhe të karakterit moral sepse nëse do ndodhte kështu i bie që asnjëherë nuk do kishim bërë një marrëveshje me Nanon, asnjëherë një marrëveshje me Berishën, asnjëherë një marrëveshje me Ramën, e kështu me radhë, por politika i ka këto tani.”
-Largimi i Dvoranit pjesë e marrëveshjes me Ramën? Meta flet në “Hard Talk”
https://youtu.be/AhgZwISJtrA