Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka bërë me dije se ka nisur fushatën e vaksinimit të bagëtive në zonat që janë vlerësuar si vatra potenciale të shfaqjes së sëmundjes së plasjes.
Ky vaksinim do të kryhet në 44 fshatra që i përkasin qarqeve Elbasan, Berat, Dibër, Kukës, Gjirokastër dhe Vlorë. Aktualisht ka përfunduar vaksinimi i bagëtive në qarkun e Elbasanit, ndërsa sa i përket qarqeve të tjera është parashikuar të përfundojë në fund të muajit maj.
Më tej bëhet me dije se në total do të realizohen rreth 80 mijë vaksina në të gjithë vendin tek bagëtitë e imta, gjedhi, njëthundrakët dhe derrat.
“Në qarkun Vlorë aktualisht janë vaksinuar rreth 21% e bagëtive. Pritet që deri në fund të muajit të vaksinohen rreth 12 mijë krerë,”-tha Adila Kojdheli, drejtori i Agjencisë së Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve.
Ky vaksinim kryhet falas nga Shërbimi Veterinar Shtetëror dhe po monitorohet nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nëpërmjet strukturës përkatëse.
Kojdheli ka theksuar se vaksinimi është në përputhje me programin e kontrollit të plasjes në zonat që janë vlerësuar si vatra potenciale të shfaqjes së sëmundjes./Fjala.al/