Maks Velo, “jeta paralele” e një artisti kontrovers

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Maks Velo nuk është më mes të gjallëve. Ditët e fundit të jetës i kaloi në spital dhe vetëm sëmundja arriti ta mposhtë

Nga Leonard Veizi

Në themelet e ngrehinës simbol të Tiranës së viteve ‘70 gjendet firma e tij. Por prej aty Kadareja është larguar prej kohësh, dhe Dritëroi gjithashtu ka ndërruar banesë, ndërsa ai, projektuesi i saj, iku së fundmi, edhe pse nuk kishte banuar asnjë ditë aty…

…Maks Velo nuk është më mes të gjallëve. Ditët e fundit të jetës i kaloi në spital dhe vetëm sëmundja arriti ta mposhtë. Në lajmërimin e tij të vdekjes thuhet se ishte 84 vjeç. Nuk kishte më rëndësi në duhej të jetonte edhe ca vite më shumë, sepse edhe me kaq ai e plotësoi kuadrin e tij të gjithanshëm. Ka lënë gjurmë të shumta të cilat do të vazhdojnë ta mbajnë në jetë.

Rebel në karakter dhe shumë kreator si artist, vështirë të bëhej kompromis me të. Jeta e tij, andej e këtej “murit të Berlinit” ishte veç një kalvar i vërtetë vuajtjesh.

Ishte në kulmin e tij artistik, vetëm 43 vjeç, kur liria iu privua. Oficerët e ngurtë të Sigurimit të Shtetit i vunë prangat në duar, ndërsa në një gjyq publik u përdorën dëshmitë e 12 artistëve kolegë kundër tij. Asgjë nuk shkon në këtë panoramë, por kjo është e vërteta e hidhur jo vetëm për të.

Ashtu siç ka deklaruar vetë ai, ata që i dolën në gjyq dhe që i bënë ekspertizën ishin 3 tre piktorë, kolegë me të cilët kishte ndarë kafetë dhe mendimet, sigurisht. Por kjo nuk do të thoshte asgjë, sepse ata do t’i dënonin veprimet e tij antikonformiste, nën dacibaot e socrealizmit dhe të internacionalizmit proletar.

Ndërkaq, një dosje me 214 faqe qëndronte mbi tavolinën e trupit gjykues, në pritje për të marrë vendimin. Një punë fort mirë e kopsitur nga agjentët e Sigurimit të Shtetit që prej kohësh e kishim mbajtur nën mbikëqyrje djaloshin ekstravagant, i cili kishte sfiduar partinë-shtet duke ngritur sipas shijeve të tij një pallat modern deri në dekadencë për të llastuarit e sistemit, shkrimtarët.

Vetëm kaq duhej që bashkëshortja e aso kohe, pasi e denoncoi duke u bërë palë me agresorët, i kërkoi divorcin, ndërsa si pjesë e ndëshkimit të pamerituar djalin e tyre të vetëm e mbajti gjatë gjithë jetës larg tij. Akuzat për Maks Velon ishin: “agjitacion-propagandë, art modern, influencë perëndimore”. Në vitin 1978 Shqipëria ishte me Lindjen, por jo me atë që kishim njohur si territor i “Kampit Socialist” ku kryesonte Bashkimi Sovjetik, por me Kinën komuniste ku pas Revolucionit të hatashëm Kulturor shkrimtarët dhe piktorët tërhiqeshin zvarrë nëpër rrugë dhe çoheshin për riedukim në orizoret ku zhyteshin në llucë, nën thirrjet ekstreme e terrorizuese: “Lindja është e kuqe”.

Në procesverbalin e arrestimit të tij, mes të tjerash thuhet se Maks Velos iu gjetën në xhep vetëm pesë lekë, pa përmendur këtu rripin e pantallonave dhe lidhëset e këpucëve, që si gjithmonë sekuestroheshin për të shmangur çdo vetëvrasje të mundshme. Por si pjesë e të gjithë maskaradës ishte djegia dhe shkatërrimi i 250 punëve të tij, një koleksion pikturash gjithfarëllojesh e nudosh që sot do të kishte vlera të pashembullta.

U arrestua në vitin 1978 dhe falë një amnistie ku iu shkurtuan dy vite nga dënimi dhjetëvjeçar, doli në vitin 1986 nga rrethimi i telave me gjemba të Spaçit.

Mund të themi se ishte kontrovers, i pakompromis, bohem dhe i çartur gjithashtu. Nuk kishte problem t’i kundërvihej kujtdo akti të paprecedentë dhe nëse këtë e bënte një burrë shteti që drejtonte me dorë të hekurt. Ai dinte të përballej, dhe përballej sigurisht. Karakteri i tij dhe vetë vitet e burgut, pa dyshim e kishin kthyer në një njeri të papërkulur dhe që dinte ta mbante mbi shpatulla trysninë e presionit, i cili herë pas here i vinte në mënyrë të pabesë.

Lexo edhe :  Takimi në Athinë, Ambasadorja Hajdaraga: Ardhja e Ramës në Greqi, ditë historike!

Vendi i origjinës së prindërve ishte Dardha, por vetë Maks Velo u lind në Paris, më 31 gusht të vitit 1935. Dhe ndoshta vetëm kaq duhej që ai të ndihej më shumë kozmopolit e me shije perëndimore sesa një kombëtarist pa kuptim dhe për më tepër i ndikuar nga realizmi socialist. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri, në qytetin e Korçës, ku Maksi ka kaluar edhe fëmijërinë. Gjatë qëndrimit në qytetin e serenatave, por dhe të piktorëve, Maks Velo u bë nxënësi i Vangjush Mios ku mori dhe bazat e pikturës moderne. Në vitin 1952 familja u zhvendos në Tiranë, ku ai do të përfundonte studimet e larta në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit-Arkitekturës. Por dhe pse me profesion arkitekt, piktura ka qenë një pasion, të cilin Maks Velo e ka ushtruar gjatë gjithë kohës, i tërhequr nga rryma impresioniste, ekspresioniste dhe surrealiste.

Gjithsesi, ai ishte një artist shumëdimensional dhe si i tillë kompozoi në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë sikundër ishte i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar. Por ajo që do ta simbolizonte atë ishte arkitektura e çuditshme e iniciuar prej tij, e një pallati që u ngrit në hyrje të “Rrugës së Dibrës”, i cili i njoh me dy emërtime paralele “pallati me kuba” ose ndryshe “pallati i shkrimtarëve”.

Por Maks Velo do të ishte gjithashtu dhe një fanatik i mbrojtjen e arkitekturës së vjetër të Tiranës dhe, sidomos të atyre godinave monumentale që jo rrallë janë vënë në shënjestrën e fadromave të shkatërrimit, për të përfituar një truall më shumë e për të ngritur një grataçielë më tepër. Velo dha një kontribut të çmuar për ta kthyer kryeqytetin gri të shqiptarëve në një territor me ngrehina plot ngjyra.

Në vitet e demokracisë e të çlirimit nga dogma, Maks Velo arriti të merrte dosjen e tij nga arkivi i Ministrisë së e Brendshme dhe me shumë guxim e bëri publike atë duke treguar me gisht të gjithë ata që e denoncuan dhe u përdorën për të shtuar akuzat kundër tij.

“E mendoj jetën time të përmbushur, sepse gjëja më me rëndësi në jetë është mos t’i bësh keq njeriu. Kam ndier kënaqësi të jashtëzakonshme nga arti. Unë mendoj se energjia vjen nëse je i vërtetë, nëse je fals, nuk ka energji. Po t’i duash njerëzit dhe po të mos e harxhosh jetën për paratë, je i vërtetë”, është shprehur Maks Velo si për ta futur jetën e tij në këtë kornizë.

Nga sot Maks Velo nuk është më mes të gjallëve. Do të na mungojë zëri i tij kontrovers dhe pamja e tij e çartur me të cilën ishim mësuar të gjithë. Por mes pengjeve të shumta të jetës së tij, pa dyshim që njëri do ta rrëndonte më shumë nga të gjithë, ai që edhe pas publikimit të dosjes dhe të emrave që e degdisën në qelitë e ndyra të Spaçit, nuk mori nga askush asnjë fjalë ndjese.

Të fundit

Tragjedia në Shkodër/ Gazetarja zbardh detajet: Burri i bllokonte thirrjet në telefon

Vetëmbytja e Alma Arrazit dhe tre fëmijëve të saj të mitur në lumin Buna, ishte një nga ngjarjet më...

A i rrit ky lloj djathi shanset për kancerin e gjirit tek gratë?

Nëse dieta juaj ushqimore dominohet nga konsumi i djathit, me gjasë që ky artikull mund t’ju trishtojë. Sipas një studimi, ngrënia tepërt e djathit çedar...

“Vota e emigrantëve”, nisin bisedimet/ Gjiknuri: Kemi zgjidhje konkrete

Politika po avancon në debatin mbi mundësimin e votës së diasporës për 2025, sikundër e kërkon dhe Gjykata Kushtetuese, por kur vjen moment për...

OBSH e konfimon, ja sa persona kanë vdekur që nga nisja e konfliktit në Gaza

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shprehur besim të plotë në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë lidhur me shifrat e të...

Lindjet në nivelin më të ulët historik, popullsia e Shqipërisë po tkurret me shpejtësi

Popullsia e Shqipërisë po tkurret me shpejtësi nga rënia e lindjeve dhe emigracioni i lartë. Të dhënat zyrtare të INSTAT referojnë se në 3-mujorin...

Lajme të tjera

Web TV