“Çmimi” që shembi Teatrin Kombëtar

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Leonard Veizi

“Gjithkush e ka një çmim”. Fraza është thënë e stërthënë në gjithfarë versionesh, madje duket aq e konsumuar e bajate, sa nuk ia vlen as ta përsëritësh, duke marrë dhe të drejtat e autorit. E, megjithatë, është një shprehje që të vjen në kujtesë rëndom, pasi jo rrallë ndeshesh me fenomenet ku dashur padashur të kalon nëpër mend si meteor. Dhe ai që më sjell më së shpejti në mend frazën krejt të pahijshme, por krejt të saktë gjithashtu, është një episod i filmit hollivudian “Indecent Proposal”.

“Gjithkush e ka një çmim”.

Kjo frazë më ka ardhur vazhdimisht në vëmendje gjatë gjithë ditëve kur flitej me tension për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar e ndërtimin e një të riu. Kur në kauzën e mbrojtjes së godinës së vjetër, herë në tryeza bisedimesh e herë në një podium të improvizuar, hynin e dilnin aktorë me emër. Por trupa nuk mbeti asnjëherë e njëjtë. Vazhdimisht kishte hemorragji.

Në ditë të vështira, Diana e filmit apo Demi Moore si aktore, e lëshon veten në krahët e një burri tjetër për një milion dollarë. Tha se nuk mund të blihej. Por, në fakt, kaq ishte çmimi i saj. Dhe duhet të themi se ishte vërtet një çmim i lartë. Shumë të tjera do ta kishin bërë për shumë më pak para. Qoftë dhe me një pozicion të mirë pune.

Diana naive mendonte se ndjenjat nuk mund të bliheshin, por miliarderi Xhon, luajtur nga Robert Redford, vërtetoi të kundërtën. Pas një propozimi vërtet të paturpshëm nga ana e tij, ai arriti ta blejë Dianën e patundshme, madje në kundërpeshë edhe bashkëshortin e saj, duke paguar, as më pak dhe as më shumë, por një milion dollarë, me një kontratë të rregullt noteriale.

Lexo edhe :  Miliona dollarë për heqjen e non gratës, pse Trump e ‘zhyti’ Berishën keq?!

“Gjithkush e ka një çmim”.

Kështu më duket tani ku beteja në mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar mori fund. Ishin shumë më tepër aktorë në fillim. Por rrugës nisën të fironin pak nga pak. Kush e merrte çmimin e vet, dilte nga skena. Mbetën në podiumin e luftës veteranët. Dukeshin stoikë në mbrojtje të kauzës, por askush nuk e di se çfarë ka ndodhur më pas dhe me ta, a u është ofruar edhe atyre një “çmim”, ashtu si Dianës së filmit nga miliarderi Xhon? Sepse pas deklarimeve patetike për kalimin e fadromave mbi trupat e tyre, se nuk do të lëviznin as nga dera kryesore e godinës dhe nga skena, në fakt nuk ndodhi. Kur ata “u zgjuan” nga gjumi, fadromat kishin mbaruar punë, dhe makinat e tonazhit të rëndë po hiqnin inertet e mbetura si një mal.

Teatri ra, dhe pasojat domino pas tij nuk mund të parashikohen lehtë. Por ajo që mund të themi sot është se në rrëzimin e tij morën pjesë më shumë aktorë nga sa mund të mendohet. Ca me dëshirë, ca me indiferencën e tyre dhe të tjerë me mbylljen e njërit sy.

Ky mund të jetë një gabim imi, por kam qenë e jam i bindur se kujtdo që do t’i afrohej një çmim, do ta lëshonte podiumin. Jeta e ka treguar në vazhdimësi një gjë të tillë. Ngjarjet e fundit gjithashtu. Atëherë, në optikën time dhe jo vetëm besoj, nuk ishte më e nevojshme të përdoreshin ruspat e buldozerët që të mund të rrëzonin godinën e Teatrit Kombëtar. Ajo në të vërtetë kishte për të rënë vetë, me një të shtyrë.

Ajo çfarë do të ndodhë pas kësaj ka shumë më pak rëndësi, sepse ajo që duhej mbrojtur nuk ekziston tashmë.

Të fundit

“Doja të lija emisionin”/ Eni Çobani zbulon presionet: Njerëz të fuqishëm më janë afruar

Juristja dhe moderatorja e njohur Eni Cobani ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me sfidat dhe presionet që...

Trump anulon të gjitha bisedimet tregtare me Kanadanë, kërcënon me tarifa të reja

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump do të anulojë të gjitha bisedimet tregtare me Kanadanë ndërsa ka paralajmëruar fqinjin verior për vendosjen e tarifave të...

Vendet baltike tërhiqen nga Konventa e Otavës

Vendet baltike si Estonia, Letonia dhe Lituania kanë informuar Kombet e Bashkuara për tërheqjen e tyre nga Konventa e Otavës – një traktat ndërkombëtar...

“Travel and Tour”: Projekti i Kushner do të kthejë Sazanin në një vendpushim të shkëlqyer

Shqipëria i bashkohet SHBA-së, Japonisë, Zvicrës, Gjermanisë, Arabisë Saudite, Tajlandës, Italisë, Francës, Indonezisë, Vietnamit dhe Egjiptit në një përpjekje të guximshme për t’u shndërruar...

Rrezik në Qeparo/ Policia Kufitare ndërhyn në momentin e fundit për të shpëtuar pushuesit

Një ngjarje që për pak sa nuk u kthye në tragjedi ka ndodhur pasditen e sotme në zonën bregdetare të Qeparosë. Disa pushues që...

Lajme të tjera

Web TV