E diela, …një ditë e javës si në Korenë e Veriut

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Në Shqipëri do të ndalohet qarkullimi i makinave private ditëve të diela. E tha KM Rama, duke i gjetur edhe një sebep, ruajtjen e ambientit, por vetëm të dielën ama.

Po merremi me këtë deklarim në Facebook të KM, se nuk jemi në dijeni se sa ka avancuar kjo nismë në planin legal, pra vendime Qeverie, projektligje apo ndryshime të Kodit Rrugor.

Sidoqoftë, duke pasur parasysh faktin që në vendin tonë, këto deklaratat në Facebook janë më të rëndësishme edhe se shumë vendime apo mbledhje të institucioneve të larta të shtetit, ia vlen të themi nja dy-tri fjalë edhe ne, si të specializuar që jemi në fushën e makinave. Dhe, për më tepër, kemi këtë obligim në radhë të parë për automobilistët, dashamirësit e automobilizmit, por edhe më gjerë për qytetarët që janë përdorues të rrugës e jo vetëm të dielën, por çdo ditë të javës.

Klubi i Automobilit në Shqipëri, në përfaqësim edhe të Federatës Ndërkombëtare të Automobilit, ka qenë ndër promovuesit e parë dhe më konsekuent në nxitjen e politikave të sigurisë në rrugë, si në uljen e numrit të aksidenteve e veçanërisht fataliteteve në rrugët e vendit, por veçanërisht në kërkesat specifike në përmirësimin e legjislacionit për mbrojtjen e mjedisit dhe të ajrit që qytetarët thithin në rrugët ku ata lëvizin.

Në botën ku jetojmë dhe që tentojmë gjithmonë e më shumë t’i përafrohemi, liria e individit nuk mund të perceptohet pa lirinë e lëvizjes. Edhe në kohët e pandemisë që po jetojmë, në të gjitha vendet demokratike, një nga temat më të debatuara ishte se sa i drejtë ishte dhe sa rrezik përmbante për rendin demokratik, ky kufizim që po u bëhej qytetarëve, duke i privuar nga aktiviteti i tyre normal.

Por, në asnjë rast prej këtyre vendeve, nuk u pengua lëvizja me makinën private, duke e vlerësuar atë si prekje në themel të së drejtës së privatësisë dhe cenim i lirisë së individit, sa kohë që qëndrimi në makinën e vet nuk rrezikonte infektimin e tij. Po e kufizuan vërtet këtë lëvizje, me makinë apo motor, në një distancë apo zonë që respektonte lockdown-in mbarëkombëtar për mospërhapje virusi.

Dhe kjo, sigurisht në vlerësim edhe të sigurisë së shëndetit e jetës së individit, që në kushtet e pandemisë, të mund të zgjidhte problematikat personale me mjetin e tij, pa u detyruar të përdorë transport publik, i cili konsiderohet si shumë më i rrezikshëm në kuptimin e përhapjes së virusit COVID-19.

Nuk qe e tillë qasja në Shqipëri, se ne nuk jemi si gjithë dynjaja.

Por kjo e mbylljes së makinës të dielave në Shqipëri, me sebepin e pastrimit të ajrit, është përtej çdo parashikimi dhe kalon çdo arsye njerëzore.

Në botën e qytetëruar, kërkesat për mbrojtjen e mjedisit kanë filluar të rregullohen me legjislacionin adekuat e përkatësisht për automobilin që nga fillimet e viteve 90’ të shekullit të shkuar, koha kur për koincidencë, Shqipëria sapo rinisi historinë me automobilin, pas një ndërprerje gati pesëdhjetëvjeçare.

Ky legjislacion në Europë njihet me normat Euro kundër ndotjes së mjedisit dhe që në vitet 90’ filloi me normën Euro 1 dhe synonte uljen e përmbajtjes së oksideve të karbonit në gazrat e daljes nga djegia e karburantit të motorëve të automjeteve. Në bazë të këtyre normave, mjetet që lejohen për qarkullim në territorin e një vendi detyrohen të respektojnë këto nivele të fiksuara të ndotjes së ajrit. Sot, në Europë, kemi arritur nivelet e normave Euro 6, dhe këtu bëhet fjalë jo vetëm për uljen e përmbajtjes së oksideve të karbonit, por veçanërisht të atyre të azotit dhe të grimcave të imta të pluhurit, që vlerësohen së fundi si shumë të rrezikshme për jetën e mirëqenien e popullatës.

Pas shumë përpjekjesh, e këtu Klubi i Automobilit ka dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë, më në fund në Shqipëri, vitin e shkuar u adoptua për herë të parë një legjislacion kufizues, bazuar në këto norma, të cilat, për të thënë të vërtetën, janë ende mjaft larg atyre që pretendohen si mbrojtëse.

Legjislacioni ynë nuk shkon përtej atij të vitit 2004 të Europës, duke vazhduar të lejojë hyrjen në Shqipëri të mjeteve me vjetërsi mbi 15-vjeçare. E këtu, do të duhet të theksojmë se, me këtë legjislacion ne përsëri mbetemi mbrapa edhe shumicës së vendeve afrikane, të cilat në masën dërmuese kanë zbritur në vjetërsi të lejuar jo më të madhe se 5 vjet (Maroku) dhe deri në 10 vjet (Mali, një vend ku në një të tretën e territorit ka luftë civile).

Lexo edhe :  Zhvillimi i zonave aeroportuale, Qeveria përcakton kriteret dhe rregullat

Për t’u theksuar këtu që, një harmonizim me Kosovën, e cila ka vendosur kufi vjetërsie për importin e mjeteve të përdorura në 10 vjet, do të ishte domosdoshmëri.

Kjo ka qenë dhe mbetet mënyra demokratike dhe reformuese për mbrojtjen e mjedisit dhe ajrit që qytetarët thithin në Europë, e cila është kopjuar për të qenë të saktë edhe nga vende jodemokratike. Ajo ka çuar, në mënyrë graduale dhe pa sforcim për automobilistët, në përmirësimin e flotës së makinave në qarkullim nga pikëpamja ekologjike, duke ju përmirësuar kësisoj edhe ajrin për qytetarët, si për ata që kanë apo përdorin makinë, edhe për pjesën tjetër që nuk përdorin mjete motorike. Nuk është e rastësishme që u nxit kështu prodhimi i automjeteve me motor elektrik e bateri, që po merr gjithmonë e më shumë shtrirje në mbarë botën.

Ky është sugjerimi i Klubit të Automobilit, i frymëzuar e mbështetur nga Federata Ndërkombëtare e Automobilit që, nga ana e saj, ishte edhe një nga promotorët e përdorimit të automobilave elektrike deri edhe në krijimin e eventit sportiv Formula E, i ngjashëm me më të famshmin Formula 1, por me makina garash tërësisht elektrike dhe me performancë të ngjashme me ato me motorët tradicionalë.

Këtë rrugë do të sugjeronim edhe ne për qeverinë tonë, që të përzgjidhte një reformë të menduar e afatgjatë, e cila do të garantonte progres të sigurt në këtë fushë të rëndësishme për shëndetin e qytetarëve të vendit dhe jo me variantin e marifeteve të vogla e afatshkurtra.

Varianti i shpallur i të dielave me makinë të parkuar mund të duket idilik, por është absolutisht pa asnjë vlerë qoftë, edhe për objektivin e shpallur e që pretendon se do të arrijë.

Nëse do të nisemi nga ky objektiv parësor, pra i ndikimit e përmirësimit në ajrin e qyteteve, do të duhet të mbajmë parasysh se ky ajër ndikohet veçanërisht në Tiranë e qytetet e tjera të mëdha të vendit, në ditët e javës, kur aktiviteti e qarkullimi i automjeteve është më i lartë, si për efekt ekonomik, edhe për atë të lëvizjes së fëmijëve vajtje-ardhje në shkolla. E diela është një ditë kur ajri i qytetit e vuan më pak ndotjen, sepse automjetet private lëvizin në rrugë jashtë qytetit e jo brenda tij dhe, pjesa më e madhe e mjeteve të punës nuk janë në qarkullim për uljen e aktivitetit ekonomik që ndodh në këtë ditë që respektohet si ditë pushimi.

Ky është një fakt dhe të dhënat e detajuara për sa thamë, Qeveria i verifikon lehtësisht, qoftë edhe me ata pak aparatet e matjes së ndotjes në dispozicion, por edhe nga informacionet që merr nga dhjetëra burime të tjera.

Në gjykimin tonë, e diela me makina të parkuara, dëmin më të madh e shkakton duke mbajtur të bllokuar e mbyllur njerëz, të cilët të dielën e kanë ditën e vetme të pushimit dhe në këtë ditë, realizojnë ëndrrën e javës për të kaluar disa orë të këndshme me familjen, por edhe në shoqërinë e të afërmve apo miqve të tyre. E, në kushtet e vendit tonë, me transport urban e ndërurban mizerabël, ua bën këtë, thjesht të pamundur.

Kjo masë kufizuese është veçse një heqje e një shkalle lirie për qytetarët e vendit. Ajo do të ishte me pasoja, jo vetëm ekonomike për një vend të bukur, me diell e det, me një numër të madh njerëzish që e bazojnë mirëqenien e tyre në aktivitetet e hoteleri-restoracion, por edhe një goditje e rëndë për pavarësinë e lirinë e individit, në një shoqëri që ka kaluar rreth gjysmëshekulli diktaturë të dhunshme e, që vetëm tridhjetë vjet më parë, e kishte mungesën e makinave private shprehjen e vet emblematike, si asnjë vend tjetër i botës.

E diela pa makina do të ishte një kthim mbrapa në demokraci.

Kjo është thjesht një përpjekje që të dielave, ne të jemi një ditë të javës, …si Koreja e Kimit./Monitor

Të fundit

Do të moderojë “Big Brother VIP Fan Club”/ Këshilla e Enxhi Nasufit për Heidi Bacin

Në emisionin e mëngjesit në “Top Albnia Radio” është folur për moderimin e “BIG BROTHER Fan Club” që do...

Belgjika do ndalojë cigaret elektronike nga Janari 2024

Nga janari i vitit 2024, Belgjika do të bëhet vendi i parë në Bashkimin Evropian që do të ndalojë shitjen e cigareve elektronike (vape-s)...

Kokëfortësia e dilemës evropiane

Dremush Shasha Dje liderët e Bashkimit Evropian takuan liderët e Ballkanit Perëndimor, ndërsa sot do të vazhdojnë samitin e BE-së me diskutimin rreth mbështetjes së...

Begaj: Sfida e medias, përballja me fake news! Përdorni pushtetin me përgjegjësi

Në pritjen e organizuzar me përfaqësuesit e medias me rastin e festave të fundvitit, Presidenti Bajram Begaj e cilësoi rolin e medias si kontributore dhe thelbësore...

SPAK, ditëlindje mes sfidash/Aktualisht ka 2 çështje të nxehta, po hetohen dhe biznesmenë

Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço, i ftuar në një emision televiziv analizoi arritjet e SPAK, në 5-vjetorin e krijimit të tij. Ai tha se...

Lajme të tjera

Web TV