Në atentatin e paradites së sotme në Elbasan, ku u qëllua me armë zjarri 55-vjeçari Ardian Çapja, mësohet se pesë persona janë të përfshirë.
Është kjo ajo që është zbuluar nga hetimet lidhur me atentatin pranë shtëpisë së “të fortit” të Elbasanit.
Dyshohet se kanë qenë tre persona ata që janë afruar për të qëlluar me snajper në makinë, ku njëri ka qenë shoferi dhe dy të tjerët në sediljet e pasme.
Të dyshuarit udhëtonin me makinën tip “Volkswagen”, e cila u gjet e djegur pak më vonë, bashkë me municione brenda.
Ndërkohë dy të tjerët i kanë pritur për ti larguar më tej, nga vendi ku dogjën makinën e përdorur për atentatin në Fushë Mbret.
Makina e djegur rezulton e vjedhur në Krujë dhe me targa false, ndërkohë që nga shpërthimi i plumbave brenda saj, u plagos edhe një zjarrfikës, i cili mori lëndime në pjesën e këmbëve.
Menjëherë pas atentatit, ndaj Ardjan Çapajt policia ka nisur shoqërimet e personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Uniformat blu të Elbasanit, kanë shoqëruar në komisariat disa persona. Të shoqëruarit janë persona që kanë konflikte me anëtarët e fisit Çapja.
Në ndihmë të policisë lokale dhe FNSH-së së Elbasanit, për kapjen e autorëve ka shkuar edhe një grup i repartit special RENEA.
Aktualisht Çapja ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë, ku po i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale për heqjen e plumbit në këmbë. Thuhet se gjendja e tij paraqitet e rëndë./b.b/fjala.al