Fatjon Tila, somelieri i 400 verërave, pasioni dhe profesioni brenda shishes

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

https://youtu.be/31pw8KK-1AE
38-vjeçari tregon për gazetën “Fjala” se si vendosi të krijonte e drejtonte një vinotekë në Tiranë. Ai ndalet gjithashtu te vështirësitë e prodhuesve shqiptarë të verës, dhe te konkurrenca e gjunjëzuar prej importit.

Nga Alessia Selimi

Vera është art, shkencë, kërleshje e këndshme e krijimtarisë individuale dhe teknologjisë inovative.  Dhe thuhet se brenda shishes së qelqtë duhet të futet shpirti, sikurse del e vërteta. Mbi 400 të tilla, shqiptare, italiane, franceze, spanjolle e deri tek ato neozelandeze ose argjentinase, ndodhen të rreshtuara si ushtarë të bindur në një vinotekë të vogël dhe të ngrohtë, në rrugën “Komuna e Parisit”.

Sikundër kuptohet, jo nga rastësia. Janë të përzgjedhura me fanatizëm nga Fatjon Tila, i vlerësuar si somelieri më i mirë në vend në vitin 2015. Ky 38-vjeçar, i cili ka mbaruar studimet e larta për Shkenca Sociale në Veronë (Itali), vendosi të rikthehej në vendlindje tri vite më parë, me dëshirën për t’i sjellë kryeqytetit një ambient ku ndihet sinteza e ekulibrit të përkryer midis natyrës, dorës së njeriut dhe teknikës së aplikuar. “Vena” e merr emrin nga vera, ashtu siç thërritet zakonisht kjo nga Shkumbini e sipër, dhe na rrëfen sa për verën, aq edhe për krijuesin e saj.

Fatjoni tregon për gazetën “Fjala” rrugëtimin e tij të dyzuar, dhe nuk ngurron të ndalet te vera vendase, e bërë nga rrushi Ceruja, Kallmeti apo Puls. “Kam jetuar për pesëmbëdhjetë vite në Itali. Aty kam kryer studimet e larta, kam punuar në shërbimin shëndetësor për personat me aftësi të kufizuar, si dhe kam ushtruar mbrëmjeve edhe profesionin e banakierit dhe të kamerierit. Shkollimi më ka ndihmuar tmerrësisht shumë në komunikimin me njerëzit, por dashuria për verën më ka lindur bareve, teksa provoja pije të ndryshme alkoolike. Më tej ishte e pamundur të mos bëja kurse për somelier”, thotë Fatjoni.

Hera-herës shikimi i tij shkon drejt shisheve elegante, të shumëllojta. Fatjoni është kujdesur që vinoteka të ketë vërtet pamjen e një të tille, duke ruajtur po ashtu temperaturën përkatëse dhe lagështirën e ambientit.

Ndikimi italian pikaset në çdo detaj, dhe në mure gjejmë jo pak piktura të këtij somelieri të qeshur dhe të babait të tij. “Kur erdha nga Italia, dilja me miqtë e mi në kërkim të asaj që kisha lënë pas. Kërkoja një vinotekë, ku mund të pija qetësisht një gotë verë, dhe nuk gjeja veçse ambiente të rënda e mondane, si dhe ambiente që menaxhoheshin nga “diletantë”, njerëz që kishin vetëm ide dhe jo profesionalizëm. Ishte pikërisht kjo arsyeja se përse vendosa të investoja në Tiranë”, tregon Fatjoni.

Përpara se të ndalet gjerësisht te vera shqiptare dhe te prodhuesit që operojnë në një treg të vështirë, të deformuar nga konkurrenca e pandershme dhe të gjunjëzuar prej verërave të importit, 38-vjeçari i përgjigjet pyetjes se çfarë e bën një somelier të zotin.

“Detyra primare e somelierit është shitja e verës. Pra, unë duhet të përcaktoj nëse është optimal raporti i çmimit me cilësinë e verës. Megjithatë, puna ime nuk ndalet këtu. Klienti duhet të përftojë një përjetim emocionues gastronomik, dhe kjo nuk arrihet vetëm në sajë të njohurive rreth çiftëzimit të përsosur të verës me ushqimin. Mundohem të zbërthej atë çka duket e vështirë, të fshehtat e një gote”, shprehet Fatjoni, i cili gjithashtu shfaq pakënaqësi për mënyrën se si konceptohet shërbimi në Shqipëri.

“Vera gëzon një botë që nuk njeh përmasa. Ajo konsiderohet si e mirë në sajë të prodhuesit, zonës, historisë dhe traditës. Në këto momente më vjen ndër mend Amarone, e cila është një verë që ka strukturë, kompleksitet, si dhe aftësi vjetrimi. Ka individë që mund të jenë shumë të aftë apo të talentuar, megjithatë, nuk janë të gatshëm të dalin në jetë. Varet po ashtu nga viti, kur vjelja ka qenë shumë cilësore ose jo, dhe nëse prodhuesi është kujdesur që të sjellë në treg një verë nga një vresht produktiv”, kështu i përgjigjet Fatjoni pyetjes se si mund të dallohet një gotë e mirë.

Lexo edhe :  Nis sesioni i ri parlamentar, Spiropali: Vota e Diasporës, një nga arritjet më të mëdha

“Importi është mbizotërues dhe ka një paragjykim që jo gjithmonë është pozitiv. Ka klientë që i drejtohen për shembull verës italiane për cilësi, vetëm për shkak të zonës së prodhimit, edhe pse në të vërtetë kjo e fundit mund të jetë industriale. E, megjithatë, vera e vendit nuk e konkurron dot atë italiane, po qoftë edhe francezen apo spanjollen, në momentin që kantinat nuk janë duke bërë një punë serioze”, thotë Fatjoni duke shtuar se disa prej tyre bëjnë përjashtimin.

“Kanë ndërgjegjësim të lartë për sa i takon cilësisë, eksperiencë 10-15 vjeçare, si dhe kanë investuar në teknologji. Vera prodhohet me të vërtetë nga rrushi, kjo nuk diskutohet, dhe sa më pak ta tjetërsosh, aq më e mirë del produkti përfundimtar. Por, janë disa kushte në të cilat teknologjia të ndihmon, sidomos te vera e bardhë, ku kërkohet me patjetër një sistem impianti dhe ftohjeje gjatë fermentimit, shtypjes dhe procesit në tërësi.” Fatjoni, megjithatë, shprehet se puna duhet intensifikuar, me vlerësimin e varieteteve autoktone, që nga Kallmeti, kultivuar kryesisht në zonën e Lezhës dhe Shkodrës, Pulsi i Beratit, Vloshi, Sheshi i Zi dhe i Bardhë.

Vetëm cilësia të ofron rezultatin e shumëdëshiruar. Unë mund ta konsideroj veten si dëshmitarin më të mirë të klientit dhe “paaftësisë” së tij për të paragjykuar. Thjesht duhet të gjejmë identitetin tonë. Çdo zonë është e mirë, por duhet përshtatur me varietetin”, thotë Fatjoni, i cili i mëshon mendimit se Shqipëria ka prodhuar gjithmonë verë, ndonëse nuk i dimë zonat, për shkak të mungesës së dokumentacionit. Dhe pyetjes se çfarë mendon për gjeneratën e re të prodhuesve vendas, 38-vjeçari i përgjigjet me një buzëqeshje në fytyrë.

“ Ata janë shumë interesantë, për vetë faktin që kanë zgjedhur Shqipërinë dhe kanë investuar për brezat e ardhshëm. Të kujdesesh për një vresht, do të thotë të presësh të paktën tre vite për rritje, pjekuri dhe cilësi. Është impenjim mjaft i madh, qoftë edhe për forcën punëtore, pasi fshatrat janë zbrazur. Megjithatë, gjenerata e re e prodhuesve, që ka lënë pas një jetë premtuese jashtë vendit, duke jetuar tashmë në Shqipëri të Mesme, Vlorë, Rrëshen dhe Lezhë, duket ambicioze. Ata kanë atë për të cilën bota është dalluar prej qindra mijra vitesh, dëshirën për të ruajtur traditën.” Fatjonit i duhet tashmë t’i shërbejë një tavoline të porsambushur, dhe për këtë është i detyruar të largohet. Megjithatë, ai nuk ngurron të ndajë diçka të fundit me ne, ëndrrën e të pasurit në të ardhmen vreshtat e tij. Veçse, i duket e largët në kohë. Dhe deri atëherë, Fatjoni na e bën të qartë, se do ta shohim gjithmonë me një verë në dorë, duke e rekomanduar dhe përshkruar.

 

l.m/Fjala.al

Të fundit

Lajla Përnaska rrëfen kontaktin me Hilary Clinton si gruaja e Presidentit të SHBA-ve

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Lajla Përnaska, ka rrëfyer në ‘Dita Jonë’ kontaktin e saj me ish-Zonjën e Parë të...

Trump prezanton “Stargate”, investim 500 miliardë dollarë në inteligjencën artificiale

Prsidenti Donald Trump njofton një mega-investim deri në 500 miliardë dollarë në inteligjencën artificiale. Presidenti amerikan zbulon sipërmarrjen e përbashkët ‘Stargate’, SoftBank, Oracle dhe OpenAI...

Sa mund të ndikojnë mediat sociale në zgjedhje?

Rumania përsërit zgjedhjet presidenciale për shkak të ndikimit të dyshuar rus në TikTok; në platformën X, Elon Musk bën reklamë për AfD-në. A po...

Kanali i Panamasë në një perspektivë historike dhe politike

Thoma Gëllçi Donald Trump, i cili mori një mbështetje masive prej 80 milionë votuesish në zgjedhjet presidenciale, ndërtoi një pjesë të konsiderueshme të platformës së...

Këto 5 ushqime po ju plakin dhe ju nuk jeni të vetëdijshëm

Industria kundër plakjes është një nga më të lulëzuarat në mbarë botën pasi miliona gra dhe burra janë kënaqur në ndjekjen e rinisë së...

Lajme të tjera

Web TV