EKSKLUZIVE/Hije skandali, mishmashi i gjendjes civile, a do të rrezikohen zgjedhjet?!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Censusi dhe regjistrimi i banesave, i kryer gjatë viteve 2016-2017, sjell probleme në transferimin e gjendjes civile nga një zonë në një tjetër, pa dijeninë e vetë banorëve. Drejtori i përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, e pranon që ka pasur raste të tilla, por, sipas tij, janë të papërfillshme. Transferimi i gjendjes civile rrezikon zgjedhjet, pasi qytetarët mund të mbeten pa votuar. Ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume: “Adresari, jofunksional, defekte në listën e zgjedhësve”

Nga Ina Allkanjari

Regjistrimi i banesave dhe i personave rezidentë, i nisur në vitet 2016-2017, duket se ka sjellë një problem të paparashikuar. Një numri të konsiderueshëm banorësh, kryesisht në zonat rurale, u janë transferuar regjistrat e gjendjes civile nga një njësi administrative në një tjetër, pa kërkesën dhe pa miratimin e tyre.

Ky fenomen është konstatuar pas datës 20 janar të këtij viti dhe shqetësimi ka ardhur nga vetë banorët, të cilët u shprehën për gazetën “Fjala” se janë paraqitur në zyrat e mëparshme të gjendjes civile, por nga punonjësit u është komunikuar se janë transferuar në zona të tjera.

Në një intervistë për gazetën ‘Fjala’, drejtori i përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, shprehet se shifra e transferimeve është e papërfillshme. Nga ana tjetër, ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume, konfirmon se në Këshillin Politik për reformën zgjedhore është thirrur për çështjen e listave të zgjedhësve dhe adresarin, drejtori i përgjithshëm i Gjendjes Civile dhe është bërë një raport i detajuar mbi situatën aktuale. Kume thekson se në një proces zgjedhor afektimi i rezultatit si pasojë e këtij fenomeni varet nga frekuenca e shfaqjes së fenomenit. Por transferimi i qytetarëve nga një zonë ku ata kanë banimin në një tjetër, e bën të vështirë procesin normal të votimit dhe thuajse e pamundëson ushtrimin e kësaj të drejte.

Gjithashtu, qytetarët bëjnë me dije se u mohohen edhe shërbimet e tjera nga njësia administrative ku ata banojnë, pasi janë transferuar në një zonë tjetër. Nga burime të gazetës “Fjala” mësohet se ka raste që edhe kur transferimi, sipas qytetarëve, është konsideruar si gabim, ata ende nuk kanë marrë një zgjidhje për t’u rikthyer në gjendjen civile ku banojnë prej vitesh.

Nga ana tjetër, figurojnë raste kur qytetarët, pavarësisht se kanë zotëruar një banesë në një zonë të caktuar të Tiranës prej vitesh, janë transferuar dhe kanë jetuar në një zonë tjetër, prandaj në momentin kur është bërë censusi, (regjistrimi i banorëve), nuk kanë figuruar rezidentë në atë banesë.

Një tjetër problem i hasur lidhet me hartat e reja digjitale, ku banorë të një zone tashmë rezultojnë të regjistruar në të tjera. Madje, harta digjitale ka kthyer automatikisht në mënyrë të gabuar një zonë në një tjetër fqinje, duke mos njohur kufijtë e mëparshëm të ndarjes administrative.

Lidhur me problemet e mësipërme, gazeta “Fjala”, kontaktoi drejtorin e përgjithshëm të Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, i cili u shpreh se mund të ketë gabime në transferimin e gjendjes civile të një qytetari, ndërkohë që banon në një zonë tjetër, por gabime të tilla janë shumë të pakta në numër, thuajse të papërfillshme.

Sipas Doracajt, shumica e problemeve të tilla që kanë qytetarët vjen pasi në momentin kur është bërë censusi, disa vite më parë, ata nuk kanë deklaruar vendin ku realisht banojnë, gjë e cila kur nuk është realizuar brenda afatit të përcaktuar, është shoqëruar edhe me gjobë.

Doracaj: Mund të kenë ndodhur gabime, por janë shumë të pakta në numër

Drejtori i përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, në një intervistë për gazetën “Fjala” shprehet se janë shfaqur probleme të tilla në transferimin e gjendjes civile të qytetarëve, por jo në nivele shqetësuese. Si mund të rikthehen në njësinë e mëparshme dhe gjoba prej 10 mijë lekësh të rinj që duhet të paguajnë…

 Një numri të konsiderueshëm banorësh, kryesisht në zonat rurale në Tiranë, u janë transferuar regjistrat e gjendjes civile nga një njësi administrative në një tjetër, pa kërkesën dhe pa miratimin e tyre. Pse ka ndodhur diçka e tillë?

Në 2016-2017 është bërë censusi derë më derë, ku banorët janë regjistruar aty ku janë gjetur, në bazë të këtij projekti që ishte projekti i popullimit, për të bërë të mundur për herë të parë në historinë e Shqipërisë në këto 30 vite, që qytetari ta ketë adresën aty ku banon realisht, jo aty ku ai e ka virtualisht. Kjo sepse edhe shteti ka detyrime, por edhe qytetari ka të drejta dhe detyrime, kjo për shumë arsye.

Mund të kenë ndodhur gabime, pasi disa qytetarë i janë drejtuar gazetës “Fjala” dhe janë shprehur që prej kohësh banojnë në të njëjtën zonë, ndërkohë figurojnë të transferuar në një njësi tjetër administrative?

Mund të kenë ndodhur gabime, por janë shumë të pakta në numër, të papërfillshme. Por ka pasur qytetarë që, siç vijnë të ankohen te ju, kanë ardhur dhe janë ankuar këtu, dhe kur u kemi treguar fotografitë, dokumentet, kopjen e kartës së identitetit, nënshkrimin e formularit që qytetari p.sh. banon në një zonë, dhe ne e kemi gjetur në një zonë tjetër. Në këtë rast kanë deklaruar që duhet pyetur qytetari, nëse do të transferohet, ndërkohë që ka pasur shumë vite kohë që ta bëjë transferimin e gjendjes civile dhe nuk e ka bërë.

Më pas, kur bën planifikimin Bashkia e Tiranës, planifikon për 700 apo 750 mijë qytetarë të këtij shteti që jetojnë në Tiranë. Ndërkohë në Tiranë jetojnë 1,2 milionë qytetarë, sepse janë disa të tjerë që nuk i mbajnë dokumentet aty ku jetojnë. Kështu që janë raste të pakta. Ndërkohë ai i Korçës, p.sh., që e programon për 50 mijë qytetarë, janë 30 mijë qytetarë.

Fëmija im, pse mos të jetë në shkollë si ai i Korçës me 20 veta në klasë, por është me 40 veta këtu. Sepse vijnë të paplanifikuar dhe të paligjëruar. Sepse po të jenë të ligjëruar, bashkia merr masat. Të shpjegova një nga rastet, pasi janë të shumta. Gabime të vogla mund të kenë ndodhur, dhe ne jemi të gatshëm që t’i çekojmë. Kush ka ardhur te ne, me këto pretendime, në 99% të rasteve është bindur edhe vetë, por është tjetër gjë pjesa se pse nuk janë pyetur.

Lexo edhe :  Takimi me emigrantët në Athinë, Spiropali: Ju jeni krenaria e shqiptarëve!

Si zgjidhet kjo, pse kur këta qytetarë kërkojnë të transferohen në zonën ku kanë qenë më herët, nuk u është realizuar kjo kërkesë?

Jo, në raste të tilla qytetarit i është zgjidhur, por duhet të paguajë gjobën prej 10 mijë lekësh, sepse nuk ka gjë që nuk zgjidhet. Transferimi me dokumente bëhet në çdo kohë, dhe nuk është nevoja të shkojnë te njësia ku kanë gjendjen civile, por mjafton te njësia ku banon. Me dokumentet siç e parashikon ligji dhe për dy minuta je banor i asaj zone. Nëse kalon afati 30-ditor, atëherë marrin gjobë 10 mijë lekë.

Në momentin kur qytetari ka jetuar dhe vijon të jetojë në të njëjtën zonë, ndërkohë nuk ka aplikuar për transferim, dhe kjo i është bërë pa asnjë lajmërim, pse duhet të paguajë gjobë?

Qytetari ka jetuar, s’ka pse vihet në dijeni, duhet ta kishte bërë. Personi e ka detyrim ligjor. Ligji thotë brenda 30 ditësh nga ndryshimi i vendbanimit je i detyruar të regjistrohesh zyrën e gjendjes civile ku je banor. D.m.th., qytetari e ka ditur që e ka gjendjen civile në një zyrë ku ai nuk banon. Nëse nuk figuron i regjistruar në zonën ku banon, kur është bërë censusi nuk ka banuar në atë zonë.

Ku do të votojnë këta banorë?

Qytetarët do të votojnë aty ku kanë gjendjen civile. Qendrat e votimit ngrihen mbi bazë territori.

Kume: Nëse numri është i lartë, është katastrofë

I pyetur nga gazeta “Fjala”, se si mund të ndikojë në procesin zgjedhor problemi që po hasin disa prej qytetarëve të Tiranës, për shkak të transferimeve, ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, shprehet se problem i madh për listat e votuesve është mosazhornimi i tyre me adresat

Si ndikon në procesin zgjedhor transferimi i qytetarëve nga një zonë në një tjetër? A e rrezikon kjo të drejtën e ushtrimit të votës?

Nuk e di se sa frekuent është ky fenomen, nuk e di se pse ka ndodhur. Di që në Këshillin Politik për reformën zgjedhore është thirrur për çështjen e listave të zgjedhësve dhe adresarin, drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile dhe është bërë një raport i detajuar mbi situatën aktuale dhe çfarë është përmirësuar në krahasim me të mëparshmet, si dhe çfarë janë duke bërë. Me sa unë krijova përshtypjen, nga paraqitja e materialeve të tyre dhe nga diskutimi që u bë, nuk rezulton që ishte një situatë e tillë. Nëse numri është i lartë, është katastrofë. E rëndësishme është që asnjë rast i tillë të mos ndodhë, por në një proces zgjedhor afektimi i rezultatit si pasojë e këtij fenomeni varet nga frekuenca e shfaqjes së fenomenit. Ndërsa për sa i takon të drejtës së qytetarit për të ushtruar votën e tij, ky është problem i cili nuk duhet të ekzistojë, qoftë edhe për vetëm një qyetar. Këto janë dy gjëra, në vlerësimin tim, që e konsideroj si jo pozitive këtë gjë.

A është konstatuar një problem i tillë më herët dhe përse u ngrit si shqetësim në tryezën e Këshillit Politik për reformën zgjedhore?

Mund të të të them që Këshilli Politik me kërkesën e anëtarëve të tij të opozitës ka bërë një paraqitje sintetike të kësaj situate, duke përcaktuar edhe çfarë masash duhet të merren. Natyrisht, përshtypja ishte e tillë që ka problem, por siç janë problemet, sipas nënpunësve të gjendjes civile, aq është edhe angazhimi dhe vullneti i tyre për të tilla gjëra. Me sa unë i kam ndjekur në proceset e mëparshme zgjedhore, jo në këtë të fundit, listat e dikurshme të zgjedhësve kanë përmirësime thelbësore, për sa kohë që ato gjenerohen tashmë nga regjistri themeltar i shtetasve shqiptarë. Por problem i madh në listë është pikërisht mosazhornimi i tyre me adresat. D.m.th., adresari i cili nuk është akoma një produkt funksional, në funksion veçanërisht të listës së zgjedhësve. Dhe kjo jo vetëm për shqiptarët që banojnë këtu, por edhe për shqiptarët që janë larguar. Nuk di se sa do jenë të angazhuara institucionet përkatëse, në kuadër të përgatitjes së zgjedhjeve që do të vijnë, për të zvogëluar sa më shumë që të jetë e mundur defektet e listës që rrjedhin pikërisht nga adresari.

Deklarimi i vendbanimit, ja çfarë njoftoi Ministria e Brendshme më 2017

Në vitin 2017 Ministria e Brendshme u bëri thirrje qytetarëve që të regjistroheshin në gjendjen civile përkatëse, pasi, nëse nuk e realizonin këtë zhvendosje brenda 28 korrikut 2017, do të gjobiteshin.

Nëpërmjet një njoftimi Ministria e Brendshme lajmëroi në atë kohë se Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile u kujton të gjithë shtetasve shqiptarë, të cilët nuk kanë deklaruar ende vendbanimin, ose nuk kanë kryer veprime të ndryshimit të vendbanimit në zyrën e gjendjes civile, nën juridiksionin e së cilës ndodhet godina e vendbanimit të tyre, të kryejnë sa më shpejt veprimet në përmbushje të këtij detyrimi ligjor.

U bë me dije se amnistia ose mosaplikimi i masës administrative (gjobë) përfundon më 27 korrik 2017. “Për t’u shërbyer sa më mirë shtetasve tanë, të cilët nuk kanë mundësi ta kryejnë këtë shërbim gjatë ditëve të javës, ky shërbim do të ofrohet dhe në ditët e pushimit në dy fundjavat në vijim, përkatësisht më 15-16 dhe 22-23 korrik 2017, ditë në të cilat zyrat e gjendjes civile do të qëndrojnë të hapura”, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Për procedurën e ndryshimit të vendbanimit (e cila realizohet në zyrën pritëse, nën juridiksionin territorial të së cilës ndodhet ndërtesa, godina e vendbanimit), kërkesa për ndryshimin ose deklarimin e vendbanimit duhet të shoqërohej me dokumentet e mëposhtme: · fotokopje të letërnjoftimit për çdo person madhor, anëtar të familjes;
dokumentin e pronësisë së banesës, ose kontratë qiramarrjeje / huadhënieje / përdorimi / banimi, apo çdo dokument tjetër të ligjshëm, të parashikuar nga legjislacioni në fuqi, që i jep shtetasit të drejtën e përdorimit të banesës.

 

l.m/Fjala.al

Të fundit

Stuhitë/ Pse vetëtimat lëvizin në zigzag?

Rrufeja godet kur krijohet një ndryshim potencial elektrik brenda një reje , ose midis resë dhe tokës. Dhe pjesa e ndritshme e rrufesë...

U thirr nga SPAK/ Bardhi kërkon të pyetet një ditë tjetër: Do shkoj në Berlin dhe Londër

Në Prokurorinë e Posaçme ka mbërritur një shkresë e Gazmend Bardhit i cili ka kërkuar që marrja në pyetje e tij të mos zhvillohet...

Zgjedhjet e vitit 2024 mund të jenë të fundit që do të vendosen nga qytetarët amerikanë!

Fluksi i vazhdueshëm i emigrantëve të paligjshëm në SHBA mund të nënkuptojë se qytetarët amerikanë mund të pushojnë së vendosuri për rezultatin e zgjedhjeve...

E rëndë/ Nëna shkelmon dhe rreh brutalisht vajzën e saj 2-vjeçare në avion

Një ngjajre e rëndë ka ndodhur në Meksikë, ku një nënë 33-vjeçare Breanna Mistler, dyshohet se ka rrahur fëmijën e saj pasi u zgjua...

Rama për mediat greke: Takimi s’ka lidhje me Belerin, histori e politikës tuaj, jo e jona

Pas takimit me emigrantët shqiptarë në Athinë, kryeministri Edi Rama është pyetur nga mediat greke nëse vizita e tij lidhet me rastin e Fredi Belerit, pasi...

Lajme të tjera

Web TV