Ende pa nisur mirë merkatoja e kësaj vere, Chelsea zyrtarizon një goditje të rëndësishme që lakmohej nga gjysma e klubeve të futbollit europian. Ekipi londinez nënshkruan për 53 milionë Paund me Timo Werner, sulmuesi që do të transferohet në impiantin në Stamford Bridge për një pagë prej 175,000 paundësh në javë, në një marrëveshje pesë-vjeçare.
Frank Lampard ka qenë i dëshpëruar të forcojë opsionet e tij sulmuese dhe ka kërkuar me ngulm zbarkimin e një nga sulmuesve më të mirë në Evropë. Sulmuesi i kombëtares gjermane madje hoqi dorë nga impenjimet e Leipzig në Champions.
RB Leipzig shënoi largimin e Werner me një poster ku shkruhej ‘One Step Beyond ’. Ndërkohë Werner, 24 vjeç, tha: ‘Jam i lumtur që po firmos për Chelsea, është një moment shumë krenar për mua që po bashkohem me këtë klub të shkëlqyer. Unë natyrisht dua të falënderoj RB Leipzig, dhe tifozët për katër vjet fantastike. Do të jenë përgjithmonë në zemrën time”tha bomber.
Werner do të bashkohet me klubin më 1 korrik pasi zgjodhi të mos impenjohet në fushatën e ligës Kampionëve të RB Leipzig. Në 157 ndeshje, Werner prodhoi 93 gola dhe shtoi 40 asiste. Tani fokusi në merkaton e Chelsea janë Havertz dhe Chilwell që duket se janë gati për Lampard.