Vera e re në fuçinë e vjetër/ Përse-të e shpërthimit të krimit në Shqipëri

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Roland Qafoku
https://youtu.be/Q28TVA2jP-U
Në numrin e të premtes titulli kryesor i gazetës “Fjala” ishte një alarm për sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Vetëm në 60 ditë pas lockdown-it, në vendin tonë janë vrarë 15 persona. Që me një llogari të thjeshtë i bie të kemi 1 të vrarë në 4 ditë. Në 7 vitet e qeverisjes socialiste ky është numri më i lartë i të vrarëve për një periudhë kohore dymujore dhe, nëse vazhdohet me këto ritme, shifrat jo vetëm që nuk do të jenë më ato të ulëtat me të cilat Shqipëria u mësua këto vitet e fundit, pra rreth 50 të vrarë në vit, por mund të kalojë edhe shifrat më të larta të 10 viteve të fundit. Me këtë situatë konkludojmë se kemi të bëjmë me një shpërthim të hapur të krimit, një shpërthim të paparë dhe të pakonstatuar më parë për nga mënyra, periudha kohore dhe egërsia. Sigurisht që për këtë situatë nuk mund t’i turremi policisë si fajtore. Ajo është një nga hallkat e luftës ndaj krimit dhe një nga përgjegjësit e shumtë. Ky shpërthim ka arsye disaplanëshe dhe nëse ne shigjetojmë policinë, siç bëhet rëndom dhe pa asnjë profesionalizëm në këto 30 vjet, do të bëjmë një gafë profesionale që nuk e ndihmon luftën ndaj krimit. Po cilat janë arsyet e shpërthimit të krimit në Shqipëri? A janë ato arsye tipike shqiptare, apo kanë po ato veçori si në shtete që na rrethojnë, por edhe në perëndim të Evropës? Dhe akoma më e rëndësishme, a është krimi pas lockadoëun-it vazhdimësi e situatës kriminale përpara tij? Të gjitha këto pyetje marrin përgjigje përmes disa arsyeve të forta.

Arsyeja e parë e shpërthimit të krimit lidhet me postlockdown-in. Është si shpërthimi i një ene me presion të akumuluar nga një pushim i paparashikuar që i ndaloi të gjitha ingranazhet e jetës. Të gjithë ishim të izoluar, por të izoluar ishin gjithashtu edhe kriminelët dhe pjestarët e çdo lloj veprimtarie kriminale. Pushim ishin të gjitha veprimtaritë e nëndheshme, të fshehta dhe jashtë kanaleve zyrtare. Ishte si një pushim i detyruar për të gjithë, por që grumbulloi shumë mllefe, energji negative e deri në padurim. Për rrjedhojë, hapja pas lockdown-it u shoqërua me një restart të krimit. Shumë konflikte dhe punë të pazgjidhura përpara kësaj situate u zbatuan dhe vazhdojnë të zbatohen menjëherë pas hapjes së madhe. E kjo përbën arsyen e parë dhe kryesore të rritjes së kriminalitetit.

Arsyeja e dytë është rënia në nivele shumë të ulëta e ekonomisë. Ky nuk është faktor shqiptar, sepse në të gjithë botën pandemia shkaktoi një situatë që është pak ta quash krizë ekonomike. Por në Shqipëri ekonomia ishte në rënie që para lockdown-it dhe pandemia e çoi në atë gjendje që nuk mund ta krahasosh as me vitin 1997. Mjafton të themi se 300 mijë të papunë në një popullsi prej 2,8 milionë banorësh është një bombë sociale që përkthehet vetëm në krim.  Pikërisht kjo krizë kapilare në ekonomi solli rritjen e vjedhjeve, grabitjeve dhe të vrasjeve.

Arsyeja e tretë lidhet me situatën politike. Sa herë që afrohen zgjedhjet, sa herë që garon politika, sa herë që ka tension dhe presion politik, krimi në Shqipëri rritet. Ky krim rritet sa herë që palët politike luftojnë se kush do të marrë pushtetin dhe kjo sjell agresivitet që përcillet nga kupola e politikës deri në popullsinë e thjeshtë. Është si një rregull i pashkruar në këto tri dekada që, për fat të keq, ka funksionuar në perfeksion. Krimi gjallërohet sa herë ka situatë zgjedhore. Krimi shton aktivitetin e tij sa herë që afrohen votimet dhe sa herë që ka garë elektorale. Këtë herë kjo ka nisur më herët, edhe për shkak se lajmi politik i ditës ka qenë reforma zgjedhore e cila ka krijuar një perceptim sikur jemi në situatë zgjedhore. Dhe në situatë zgjedhore vigjilenca e organeve të sigurisë është më e ulët. Ky është ai rasti që policisë i vihet faj që ç’ke me të. Tashmë ata që shkelin ligjin zgjedhin si periudhën më të prefruar pikërisht fushatat para dhe ato paselektorale. Në këtë periudhë policia qëndron larg shkelësve të ligjit dhe, për rrjedhojë, veprimtaria kriminale rritet.

Arsyeja e katërt por, që në fakt, është kryesorja e kryesoreve, lidhet me veprimtarinë e krimit të organizuar. Në një vit mund të vriten edhe dy, tre apo katër persona dhe jo 50 apo 100, por nëse këto ekzekutime i kryen krimi i organizuar për larje hesapesh, për prishje të pazareve të pista, atëherë situata është shumë më e rëndë. Kurrë nuk mund të krahasohen për nga terrori, frika, pasiguria dhe pasojat 100 vrasje ordinere të ndodhura në familje, apo për një konflikt të çastit dhe për një fjalë goje me 5 vrasje që kryen krimi i organizuar. Dhe në këto 60 ditë pas lockdown-it pjesa më e madhe e vrasjeve kanë qenë të krimit të organizuar. Janë bërë vrasje me pagesë, janë vrarë biznesmenë, janë vrarë persona për prishje pazaresh të pista, dhe të gjitha këto tregojnë që krimi i krimit të organizuar është më i rëndi për situatën e rendit dhe sigurisë në vend.

Lexo edhe :  Rama nga Shërbimi i Neurokirurgjisë: Investimet e reja ofrojnë një shërbim më cilësor

Arsyeja e pestë është ridalja në skenë e kultivimit të kanabisit. Alarmi tashmë është dhënë. Kanabisi ka dalë sërish në skenë. Nuk doni ta besoni këtë? Shikoni raportet sekrete, jo publike të policisë, ku bëhet fjalë për parcela kanabisi që janë zbuluar nëpër zona të ndryshme të vendit. Kush nuk e beson këtë, mjafton të kërkojë informacion në rrugë të tjera, përveç atij zyrtar. Ndonëse e fragmentuar dhe në zona të thella, aktualisht fundi i pranverës po nxjerr në pah një rigjallërim të kultivimit të kësaj droge. Drejtuesit e policisë mund ta lidhin këtë edhe me periudhën e lockdown-it që shumë zona të thella kanë qenë janë vëmendjes dhe kontrollit të policisë. Kjo tani nuk ka rëndësi. Kanabisi është gjallëruar e bashkë me të edhe pasojat që kjo sjell. Asnjë person nuk mund të kultivojë qoftë edhe një rrënjë bimë kanabis, nëse nuk e ka të sigurt se kujt do t’ia shesë. Kultivuesi vërtet rron në mal, por ai që e ble nuk jeton në mal. Ai është bosi që ka siguri nga instancat shtetërore të cilat abuzojnë me detyrën, që do ta transportojë, do ta shesë dhe do të marrë paratë. Kjo ka sjellë shtimin e konflikteve, të mosmarrëveshjeve për pazaret dhe prandaj kanë nisur edhe sjelljet agresive që gjithnjë shoqërohen me dhunë deri në humbje jete.

Arsyeja e gjashtë është mënyra se si funksionon drejtësia në Shqipëri. Në një vend ku nuk ka Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të Lartë dhe gjykata apeli, të kërkosh rend dhe siguri është pothuajse çmenduri. Ç’mund të bëjë e gjithë trupa policore, kur nuk funksionon drejtësia. E arreston një kriminel, apor ai lirohet. Ata që janë në burg po lirohen. Të tjerë që presin dënimet, ose marrin shumë pak vite, ose edhe ata lihen të lirë. Atëherë si mund të ketë kriminalitet të ulët në një vend ku mungon drejtësia? Vërtet reforma në drejtësi po aplikohet, por ky bllokim i institucioneve të drejtësisë është unikal në botë. Kurrë. As në Shqipëri, e as në ndonjë vend në botë nuk ka ndodhur që një reformë në drejtësi të sjellë mungesën e drejtësisë. Dhe kjo i ka shkaktuar një dëm të madh vendit, më kryesorja është rritja e kriminalitetit.

Ndërkohë ajo që dua të nënvizoj është një komponent jo pak i rëndësishëm. Në Shqipëri duhet të hiqet dorë nga vendosja në kandarin e shifrave të kriminalitetit e numrit të të vrarëve në një vit kalendarik. Vitet e fundit vërtet në Shqipëri ka pasur më pak të vrarë dhe kjo është deri diku një arritje dhe meritë e rendit dhe e sigurisë. Por në Shqipëri nuk është vrasja ordinere problem i kriminalitetit, por krimi i organizuar. Shifrat janë të rëndësishme për studime statistikore, por shifrat mund të të mbytin, nëse nuk i studion si fenomen.

Nisur nga kjo situatë instancat e shtetit duhet të hartojnë urgjent një strategji të re për ta ulur këtë nivel krimi. Kjo duhet të bëhet shpejt dhe të aplikohet po aq shpejt në të gjithë vendin. Është një situatë jonormale që nëse nuk ndërhyhet, do jetë më pasoja të paprashikueshme. Rinisja nga puna e OFL-së duhet përshëndetur, por duhet thënë se krimi nuk luftohet me fushata dhe me gjetje të momentit. Fushatat kundër krimit janë si fushatat e zgjedhjeve politike. Kur mbarojnë zgjedhjet, mbaron edhe impenjimi. Më pas vjen një forcë e re politike në pushtet dhe ajo harton një mënyrë të re, sipas saj, të luftës ndaj krimit. Kjo metodë duhet të marrë fund. Të gjitha instancat e shtetit duhet të impenjohen për këtë situatë. Ndryshe mund të kalojmë nga një shpërthim i krimit në kaos social. Atëherë do të jetë shumë vonë.

1990-2019, VRASJET QË KANË

NDODHUR ÇDO VIT NË SHQIPËRI

Viti 1990/ 129 të vrarë

Viti 1991/ 205 të vrarë

Viti 1992/ 251 të vrarë

Viti 1993/ 268 të vrarë

Viti 1994/ 265 të vrarë

Viti 1995/ 210 të vrarë

Viti 1996/ 248 të vrarë

Viti 1997/ 1542 të vrarë

Viti 1998/ 573 të vrarë

Viti 1999/ 496 të vrarë

Viti 2000/ 275 të vrarë

Viti 2001/ 208 të vrarë

Viti  2002/ 179 të vrarë

Viti 2003/ 144 të vrarë

Viti 2004/ 119 të vrarë

Viti 2005/ 131 të vrarë

Viti 2006/ 87 të vrarë

Viti 2007/ 103 të vrarë

Viti 2008/ 88 të vrarë

Viti 2009/ 82 të vrarë

Viti 2010/ 118 të vrarë

VITI 2011/ 124 të vrarë

VITI 2012/ 126 të vrarë

VITI 2013/ 107 të vrarë

VITI 2014/ 98 të vrarë

VITI 2015/ 54 të vrarë

VITI 2016/ 71 të vrarë

VITI 2017/ 43 të vrarë

VITI 2018/ 55 të vrarë

VITI 2019/ 52 të vrarë

Të fundit

SPAK çon në gjyq për korrupsion punonjësin e Kadastrës Fier dhe 2 persona të tjerë(EMRAT)

Prokuroria e Posaçme dërgoi sot për proces në GJKKO dosjen me 3 të pandehur për korrupsion, mes tyre edhe një punonjës...

Tërhiqet Këshilli Drejtues, vendos shtyrjen e garës për Drejtorin e RTSH

Pas thirrjes nga Komisioni parlamentar i Medias, Këshilli Drejtues i RTSH-së, vendosi me shumicë votash që të pezullojë procesin e zgjedhjes së Drejtorit të ri të...

Më 8 shkurt të gjithë në Tiranë!/ Berisha fton qytetarët sërish në protestë

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, me anë të një postimi në rrjetet sociale iu ka bërë thirrje shqiptarëve që të protestojnë më 8...

Digjet e gjallë në banesë e moshuara, fëmijët i kishte në emigracion

Një e moshuar është djegur e gjallë brenda banesës ku jetonte e vetme. Mesohet se gjarja ka ndodhur në fshatin Shtëmajë në Njësinë Administrative Bradashesh. Banesa...

Asnjë nuk preket

Nga ARTUR AJAZI Të gjithë kujtuan (sidomos në PD) se, “ja Trump ja preu fondet, tani SPAK dështoi”. Apo dhe hamendësi të tjera idiote të...

Lajme të tjera

Web TV