Çfarë po ndodh me emigrantët e mbërritur ilegalisht në Shqipëri, kryesisht nga zonat e luftës në Lindjen e Mesme. Pandemia që shkaktoi mbylljen e kufijve i “zbarkoi” kryesisht në Tiranë. Flet për gazetën “Fjala” emigranti nga Siria: Beteja e përditshme për të fituar ushqim e strehë dhe qëllimi për të ikur drejt Gjermanisë. Përfitojnë trafikantët e qenieve njerëzore. Shqipëria si trampolina që i dërgon drejt Perëndimit. Nga gjysma e dytë e vitit 2017 deri në mars të 2020, në Shqipëri kanë hyrë plot 11863 refugjatë
I shpëtoi luftës së pakuptimtë në vendin e tij, por lufta për të ende vazhdon. Është beteja e urisë që e mundon çdo ditë, e strehimit që nuk e ka, apo ajo e gjetjes së një trafikanti, të cilin e sheh si “Zotin shpëtimtar”. Por, është disi i qetë, të paktën ka fituar lirinë, larg traumës së bombardimeve, terrorit të ISIS-it dhe krisjeve të pandara të armëve. “Jam nga Siria. Në Shqipëri kam hyrë nga Greqia. Eca 6 ditë në këmbë për të ardhur këtu. Shqipërinë do ta përdorja si transit për të kaluar drejt vendeve të Evropës. Synimi im është të shkoj në Mal të Zi, nga aty të kaloj në Kroaci, Slloveni derisa të arrij në Gjermani. Me mbylljen e kufijve, për shkak të përhapjes së koronavirusit, mbeta këtu”, tha për “Fjalën” i riu sirian. Ëndrrën e ka të madhe, por e gjejmë në Babrru të Tiranës, duke biseduar me disa bashkëkombas të tij; si të ikim, ku të hamë, ku të flemë? Me një anglishte të çalë, ku me zi artikulon fjalët, (të mësuar edhe atë nëpër kampe refugjatësh) një adoleshent sirian, thotë për gazetën, se destinacioni i tij final është Gjermania. Ka mbetur i mbyllur prej gjashtë javësh në Tiranë, pandemia izoloi gjithçka, përfshirë edhe mbi 4000 emigrantë sirianë, marokenë, afganë dhe më pak të etnive të tjera. Por edhe në masën e atyre që shpëtuan nga lufta ka pasur persona që iu futën botës së krimit këtu. Ndonjë vjedhje në dyqane, banesa, apo kur ishin në grupe frikësonin kryesisht gra, të cilave u kërkonin me imponim para për “të ngrënë”. Ashtu është edhe personazhi ynë, që pranon të shfaqet në kamera dhe foto, por identitetin nuk e tregon. Me shpresën se në vendin ku ai synon të shkojë do të rinisë një jetë të re, larg luftës, ku është përfshirë vendi i tij. I riu sirian, duke buzëqeshur, tregon se netët i kalon në banesa të braktisura. “Kampi është i mbyllur, aty nuk pranojnë më njeri. Unë fle në banesa të braktisura. Ndërsa jetesën e siguroj duke u kërkuar ndihmë qytetarëve të ndryshëm”, -thotë ai. Mbase për “kortezi” apo ndoshta edhe bindje shprehet se: “Shqiptarët janë një popull i mirë, shumica e banorëve këtu në zonë më kanë ndihmuar, kur unë u kam kërkuar diçka për të ngrënë”. Shqipëria, tashmë është kthyer në një vend transit për refugjatët e Lindjes së Mesme, që e përdorin vendin tonë si kanal për të shkuar drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Refugjatët që mbërrijnë në vendin tonë, me ose pa dokumente, ligjërisht kanë të drejtën të kërkojnë azil, ndonëse në shumë raste kërkesa u refuzohet. Në fillim të qershorit në Kuvend u depozitua projektligji për Azilin, si një detyrim ndaj Bashkimit Evropian, ku çdo shtetas i huaj ka të drejtë të kërkojë azil në Shqipëri.
Boshatiset azili në Babrru
Qendra Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit e ardhur në vendin tonë nga Lindja e Mesme, pas lehtësimit të masave kundër përhapjes së koronavirusit, duket se është e qetë. Mbipopullimi i kësaj qendre zgjati vetëm dy muaj, në periudhën kur u mbyllën rrugët brenda përbrenda vendit si dhe kufijtë me shtetet fqinje. Sipas burimeve të gazetës, brenda ambienteve të kësaj qendre, mësohet se shumica e azilantëve janë larguar pa lejen e autoriteteve. Gjithashtu, i njëjti burim shtoi se refugjatët largohen nga kampi me qëllimin e vetëm për të kaluar kufirin drejt vendeve të tjera të Evropës. Gjithashtu, ka edhe nga ata refugjatë që janë larguar nga autoritetet, pasi u është refuzuar kërkesa për azil. Momentalisht mësohet se në ambientet e qendrës azilkërkuese në Babrru ndodhen rreth 130 persona, ku shumica prej tyre janë gra dhe fëmijë. Banorë të zonës afër kampit kanë thënë për gazetën “Fjala” se prej gati një jave zona ka rënë në qetësi dhe numri i emigrantëve është pakësuar. “Ka rreth 10 ditë që në kamp nuk ka shumë lëvizje. Jemi qetësi, pasi më përpara ndiheshim shumë të frikësuar. Refugjatët rrinin në lagje të ndarë në grupe, ne nuk na ngacmonin, por kishim frikë, pasi ata mbanin dhe thika me vete”, tha një banore e zonës. Një zonjë, e cila kishte një dyqan ushqimor shumë pranë qendrës së azilkërkuesve, u shpreh për gazetën “Fjala” se refugjatët, jo pak herë kanë sjellë probleme. “Ata kanë qenë problematikë, hynin edhe në banesa ku kryenin vjedhje. Kryesisht vidhnin ushqime e rroba, por ne ishim të terrorizuar, pasi kemi edhe fëmijë në shtëpi. Këto ditë ka qenë qetësi, shumica e tyre janë larguar, në kamp kanë mbetur vetëm familjarë, por ata nuk sjellin probleme, janë hallexhinj”, shprehet ajo. Në vendin tonë, gjatë tre viteve të fundit kanë hyrë mijëra refugjatë që vijnë nga Lindja e Mesme. Me anë të burimeve të saj në Ministrinë e Brendshme, gazeta ka mësuar se nga gjysma e dytë e vitit 2017 deri në mars të 2020-ës, në Shqipëri kanë hyrë plot 11863 refugjatë, ku pjesa më e madhe e tyre janë sirianë, të ndjekur nga irakianët dhe afganët.
Përfshirja e zyrtarëve të policisë në trafikun e klandestinëve
Rreth tri javë më parë SHÇBA zbuloi një skandal në radhët e Policisë së Shtetit, ku zyrtarë të lartë të këtij institucioni rezultuan se ishin të përfshirë në trafikun e klandestinëve që vinin nga Lindja e Mesme. Në një njoftim zyrtar, që mban datën 3 qershor, SHÇBA-ja pezulloi nga puna drejtoreshën e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit, Enkelejda Toska. Gjithashtu, u pezulluan nga detyra edhe Besnik Zela me detyrë shef Sektori, Altin Hasani me detyrën e shefit të Seksionit dhe Albana Metko specialiste. Tre personat e lartpërmendur ishin funksionarë në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Tiranë. Masa për pezullimin nga detyra të zyrtarëve të Policisë Kufitare u bë pasi ata, në bashkëpunim me persona të ndryshëm, që përfaqësojnë firma e kompani në fushën e turizmit, kanë keqpërdorur atributet dhe kompetencat ligjore që u jep funksioni organik, duke shkelur detyrimet ligjore për pajisjen e të huajve me leje qëndrimi. Dyshohet se ata kanë favorizuar apo ndihmuar në realizimin e trafikut ndërkombëtar të qenieve njerëzore, nëpërmjet Shqipërisë. Është e dokumentuar se kjo veprimtari e kundraligjshme është kryer për një kohë të gjatë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë, kundrejt shpërblimeve financiare të konsiderueshme. Në lidhje me rastin, zyrtarët e pezulluar janë ende nën hetim. Gjykata vendosi që zyrtarët të hetohen në gjendje të lirë, ndërkohë, prokuroria ndaj tyre ka ngritur akuzën për “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentesh”, kryer në bashkëpunim.
Mbyllja e kufijve
Mbipopullimi me refugjatë dhe frika në rrugët e Tiranës
Qytetarët denocuan dhjetëra raste gjatë kohës së pandemisë, se janë vjedhur në banesa apo sulmuar nga refugjatët e Lindjes së Mesme. Policia procedoi 13 persona, por shumë të tjerë i la të lirë, pasi vidhnin vetëm ushqime nga uria dhe veshmbathje.
Prej gati dy vitesh Shqipëria është “pushtuar”, nga refugjatë të Lindjes së Mesme, të cilët e përdorin vendin tonë si “urë”, për të kaluar drejt vendeve të BE-së. Mbyllja e kufijve me vendet fqinje, për shkak të pandemisë që përfshiu mbarë globin, bllokoi në Shqipëri shumë refugjatë, të cilët tejmbushën qendrat azilkërkuese të ngritura në vendin tonë. Mbipopullimi i këtyre qendrave solli edhe problemet e para për rendin dhe sigurinë e qytetarëve. Sipas informacioneve që “Fjala” ka siguruar nga burimet e saj, mësohet se vetëm gjatë këtij muaji shumë qytetarë janë paraqitur në komisariatet e kryeqytetit, duke denoncuar se janë vjedhur, sulmuar apo kërcënuar nga persona që flasin arabisht. Qytetarët që kanë denoncuar në polici janë kryesisht nga zona e Bubrrusë, zonë e cila ndodhet pranë Qendrës së Azilkërkuesve. Në këtë qendër, vendin e parë të azilantëve e zënë ata sirianë, të ndjekur nga irakianët dhe marokenët. Këta të fundit cilësohen nga strukturat e policisë si më të dhunshmit dhe më problematikët, ku nuk kanë munguar edhe rastet ku ata janë vënë në pranga. Burime zyrtare i thanë gazetës “Fjala” se që prej kohës kur vendi liroi masat kufizuese të lëvizjes së qytetarëve, policia ka arrestuar 13 shtetas të huaj, që vijnë nga vendet e Lindjes, si dhe janë proceduar në gjendje të lirë 6 refugjatë të tjerë. Shtatë prej 13 të arrestuarit janë shtetas marokenë ndërsa të tjerët, sirianë, afganë e irakianë. Këta shtetas janë arrestuar pasi akuzohen për vjedhje telefonash, shuma të vogla monetare apo edhe sende të ndryshme me vlerë. Burime policore interesimit të gazetës “Fjala”, për këtë situatë aspak normale, i thanë se mbipopullimi i kryeqytetit me refugjatë është kthyer në një problem madhor për uniformat blu, pasi këta shtetas janë bërë potencial i rrezikshëm për kryerjen e veprave penale. Tirana ka numrin më të madh të emigrantëve që kanë ardhur në vendin tonë nga Lindja e Mesme. Ditët e fundit shumë qytetarë të kryeqytetit janë hasur në rrugë me këta persona, të cilët lypin, duke kërkuar ushqim apo para. Por, të shumta janë rastet që kur u refuzohet ndihma, ata bëhen të dhunshëm, duke kërcënuar apo edhe duke sulmuar me mjete të forta. Në shumicën e rasteve, pre e sulmeve të tyre bien gratë dhe vajzat. Në disa raste, në momentin kur u mohohet ndihma, ata i sulmojnë duke tentuar t’i marrin çantën apo edhe telefonin. Mësohet se rreth një muaj më parë policia ka vënë në pranga një shtetas maroken, pasi u merrte telefonat nga dora grave dhe vajzave, kur ishin pa vëmendje. I riu maroken, ndiqte një rrugë krejt tjetër nga bashkëkombësit e tij për të fituar bukën e gojës. Në zonën e Laprakës, ai i vodhi telefonin një vajze të re, duke ia marrë nga dora, por, pas ngjarjes është identifikuar dhe është arrestuar nga policia. Një burim policor në komisariatin nr. 4 të kryeqytetit, tha për gazetën “Fjala” se gjatë muajit qershor në këtë komisariat është shoqëruar pothuajse për ditë një emigrant arab. “Në komisariatin tonë, gjatë këtij muaji janë shoqëruar dhjetëra shtetas që vijnë nga vendet e botës së tretë. Shoqërimet janë bërë pasi ata akuzohen nga pronarë biznesesh për vjedhje. Këta shtetas kryesisht vjedhin mallra konsumi. Për këtë arsye, pasi shoqërohen në komisariat, ku u merren gjeneralitetet dhe shenjat e gishtërinjve, ata lirohen sërish, pasi veprat që kryejnë nuk janë të rënda”, ka thënë ai. Gjithashtu, i njëjti burim saktëson se nuk janë të pakta rastet, kur këtyre personave u janë gjetur edhe armë të ftohta. Për shkak të shtimit të rasteve të vjedhjeve nga ana e refugjatëve, policia ka shtuar patrullimin pranë bizneseve ku mungon ndriçimi. Kushtet e vështira më minimale në kampin e azilkërkueseve janë disa nga faktorët që i çojnë ata në kryerjen e veprave penale. Sipas informacioneve, në kampin e refugjatëve në Babrru, ndihmat janë minimale, për të mos thënë të papërfillshme për të siguruar mjetet bazike të jetesës. Mësohet se për një emigrant të regjistruar në këtë qendër si kuotë ditore shpenzohet një shumë prej 2,8 eurosh, vlerë kjo e pamjaftueshme për t’u ushqyer në të tri vaktet. Përballja e qytetarëve me emigrantët e huaj në rrugët e Tiranës është një fenomen i ri që ka hapur një tjetër problem për Policinë e Shtetit, e cila ende nuk ka gjetur zgjidhje. Kohët e fundit shumë qytetarë janë hasur në rrugë me një emigrant që i ka kërkuar ndihmë.
Trafiku i emigrantëve
Vjedhjet që kryejnë emigrantët e Lindjes së Mesme nuk janë problemi më i madh për autoritetet shqiptare. Riaktivizimi i trafikut të këtyre klandestinëve është problemi më i madh për policinë. Nga kjo situatë mund të përfitojnë persona të ndryshëm apo më keq akoma, grupet kriminale, që merren me trafikun e qenieve njerëzore. Emigrantët, në shumicën e rasteve e përdorin vendin tonë si korridor për të arritur në vendet e BE-së. Shumë prej tyre, të cilët arrijnë të hyjnë në mënyrë të paligjshme në vendin tonë, detyrohen t’u drejtohen kontrabandistëve dhe grupeve kriminale për të shmangur ndalimet gjatë kalimit të paligjshëm të kufijve, apo për kalimin nga një qytet në një qytet tjetër. Policia gjatë këtyre dy viteve ka goditur disa raste të trafikut të klandestinëve, ku nga viti 2018 deri më sot në pranga kanë përfunduar 123 persona, të cilët janë akuzuar për trafik klandestinësh. Shumica e të arrestuarve janë taksistë, të cilët i transportojnë klandestinët nga Bilishti në drejtim të Kukësit, apo Hanit të Hotit. Gjatë këtyre aksioneve në total uniformat blu kanë ndaluar edhe rreth 4250 emigrantë, të cilët kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin tonë. Sipas policisë, këta persona u marrin emigrantëve 50-300 euro për t’i transportuar nga kufiri me Greqinë në atë me Malin e Zi apo Kosovën. Rasti më i fundit, ishte ai i së shtunës, ku policia goditi një rast të trafikut të emigrantëve, duke vënë në pranga 6 persona. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit, të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë në Greqi, Turqi dhe Lindjen e Mesme, për një periudhë rreth 9-mujore, kanë organizuar dhe drejtuar veprimtarinë kriminale në drejtim të trafikimit të personave me origjinë nga Lindja e Mesme në Greqi, Shqipëri, e më pas përcjelljen e tyre drejt kufirit me Malin e Zi dhe Kosovën, me destinacion vendet e Bashkimit Evropian. Ata kanë trafikuar nëpërmjet territorit të vendit tonë një numër relativisht të madh emigrantësh nga Lindja e Mesme, duke marrë nga 50-300 euro, për çdo emigrant nga Bilishti në Tiranë dhe nga Tirana në drejtim të Kukësit ose Shkodrës. Gjithashtu, ka dyshime se grupet kriminale kanë trafikuar emigrantë edhe me gomone nga Vlora drejt Italisë. Prokuroria e Vlorës, për riaktivizimin e këtij “biznesi” të paligjshëm, e ka marrë indicien nga refugjatët e shumtë që janë kapur në këtë qytet kohët e fundit. Hetimet janë në vijim, pasi deri tani nuk ka asnjë rast të dokumentuar.
Të dhana për emigrantët nga Lindja e Mesme
Qershor 2017 – qershor 2020 kanë hyrë në Shqipëri 12863 emigrantë
4250 emigrantë janë kapur duke tentuar të largohen ilegalisht nga Shqipëria
130 emigrantë ndodhen aktualisht në Qendrën e Azilantëve në Babrru të Tiranës
Mbi 123 shtetas shqiptarë janë arrestuar për trafik klandestinësh
13 shtetas nga Siria, Maroku dhe Afganistani janë shoqëruar në polici për vjedhje ditët e fundit
/En.Br./Fjala.al