Gazeta “Fjala” zbardh të plotë projektin. Koncesioni për 35 vjet, shteti do të ofrojë garanci për deri në 10 për qind të vlerës së investimit. PD: Fituesi është paracaktuar, do të pastrohen paratë e Ramës
Nga Ornela Bereti
Hapet gara ndërkombëtare për ndërtimin e autostradës Milot-Fier, e cila do të ketë një gjatësi prej 115 km, dhe do të përshkohet për 75 minuta. Qeveria ka hapur garën e partneritetit publik-privat për këtë vepër madhore infrastrukturore, me një vlerë investimi prej rreth 1,2 mld euro, ndërkohë që shteti do të garantojë 10% të saj. Kryeministri Rama, gjatë prezantimit të projektit, tha se financimi prej rreth 1,2 miliardë eurosh do të bëhet nga fituesi i garës. Ndërsa shteti do të ofrojë garanci për deri në 10 për qind të vlerës së investimit, në rast se trafiku në rrugë nuk është sipas pritshmërisë së koncesionarit. Ministrja Belinda Balluku tha se brenda këtij viti parashikohet të lidhet kontrata. Gjatë prezantimit të projetit ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, tha se ndërtimi i kësaj rruge prek shumë sektorë të ekonomisë, ndërkohë që numri i të punësuarve parashikohet të arrijë në 22 mijë. Kryeministri Edi Rama deklaroi se ndërtimi i këtij aksi do të ndikojë ndjeshëm edhe në uljen e numrit të vdekjeve të shkaktuara nga aksidentet rrugore. Segmenti rrugor Milot-Fier do të ndërtohet dhe mirëmbahet me koncesion.
Projekti
Projekti do të ketë një garanci minimale nga shteti shqiptar deri në 10% të vlerës së investimit, e shtrirë vetëm për 16 vitet e para të koncesionit. “Segmenti Milot-Balldren është në një proces kohor të paezauruar e kjo është dhe arsyeja se pse për momentin flasim për një formulë të re. Nuk e ngarkon shtetin shqiptar me asgjë më shumë sesa një garanci minimale trafiku. Praktikë e mirënjohur publikisht në çdo vend të botës. Financimi masiv, prej 1 miliard e thuajse 200 milionë eurosh do bëhet nga fituesi i kësaj gare. Kuptohet, do kemi një aks të Korridorit Blu që lidh jugun e Kroacisë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë në unazën ku lëviz një pjesë e konsiderueshme e trafikut gjatë sezonit turistik”, tha kryeministri Edi Rama. Segmenti Milot-Fier përbën 37 për qind ose pjesën më të rëndësishme të Korridorit Adriatiko-Jonian. Në pjesën e Shqipërisë, duke nisur nga Miloti dhe duke përfunduar në bypass-in e Fierit, por me synimin për ta shtuar këtë segment do të ndërtohen: 53 km gjurmë rrugë të reja dhe 62 km që do të jenë gjurmë ekzistuese, por të rehabilituara në kategorianë A dhe B. E gjithë gjurma e ndërtuar si pjesë e segmentit Milot-Fier do të shoqërohet nga rrugë ndihmëse, dytësore pa pagesë. “Pra, rrugët alternative janë kriteri kryesor që ne kërkojmë nga investitori i këtij projekti, për t’u dhënë mundësi qytetarëve të zgjedhin mes rrugës së shpejtësisë me pagesë dhe/apo rrugëve ndihmëse, të cilat do të jenë të mirëmbajtura nga i njëjti investitor, por pa pagesë për qytetarët.” – tha ministrja e Transporteve, Belinda Balluku.
Pagesa
Është parashikuar se qytetarët do të paguajnë për kalimin në këtë aks 0,075 euro për kilometër ose 8,7 euro për një kalim, ose 17,4 euro për vajtje-ardhje. Segmenti do të jetë 115 kilometra i gjatë, ku 53 kilometra do të jenë rrugë të reja që do të ndërtohen, ndërsa 62 kilometrat e tjera do të jenë rehabilitim i rrugëve ekzistuese. Nuk dihet saktësisht sa do jetë gjurma e re dhe sa nga autostradat ekzistuese do të jenë pjesë e saj. Rruga do të përfshijë tunele dhe urat e nevojshme për kalimin e makinave, nënkalime dhe mbikalime, hyrje-daljet e kontrolluara dhe stacionet e pagesave. Segmenti Milot-Fier është pjesë e Korridorit Blu që lidh jugun e Kroacisë, Malin e Zi dhe Shqipërinë me Greqinë, në unazën ku lëviz një pjesë e konsiderushme e trafikut gjatë sezonit turistik.
Reagimi
Teliti: Fituesi është paracaktuar, do të pastrohen paratë e Ramës
Fituesi i tenderit ndërkombëtar për ndërtimin e rrugës Milot-Fier me vlerë 1,2 miliardë euro është paracaktuar. Ky është konkluzioni i Partisë Demokratike, e cila deklaron se nuk ka asnjë tender ndërkombëtar për këtë projekt, dhe se fituesi është paracaktuar. Përmes një deklarate për mediat nga seliu blu, eksperti i ekonomisë në PD, Dorian Teliti, tha se është përdorur një kompani greke pas së cilës qëndrojnë sipërmarrës shqiptarë që pastrojnë paratë e kryeministrit Rama. “Nuk ka asnjë tender të vërtetë ndërkombëtar. Binzeset kanë denoncuar se fituesi i aferës 1,2 miliardë euro është paracaktuar, duke përdorur një kompani greke, pas të cilës qëndrojnë sipërmarrës shqiptarë që kanë pastruar edhe më parë paratë e kryeministrit në kulla kuq e zi. Partia Demokratike po i pasuron këto informacione dhe shumë shpejt do të denoncojmë me detaje aferën më të madhe korruptive të kësaj qeverie në ikje, aferën 1,2 miliardë euro të rrugës Milot-Fier.” – thotë Teliti. “Fatura që do të paguajmë këtë herë është 1,2 miliardë euro për një rrugë ku vetëm 53 kilometra janë në gjurmë të re, ndërsa 62 të tjerat kalojnë në rrugë ekzistuese. Afera 1,2 miliardë euro e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut do t’u kushtojë shumë shtrenjt shqiptarëve. Që qeveritarët aktualë të mbushin xhepat e tyre me miliona euro, qyetarët detyrohen sot nga ky kryeministër që për 35 vjet të paguajnë për të kaluar në autostradat ekzistuese, ku sot të gjithë kalojnë pa para. Me çmimin e bërë publik, një udhëtim vajtje-ardhje në rrugën e prezantuar sot do të kushtojë 17,4 euro, ndërsa një udhëtim vajtje ardhje nga Morina në Fier do të kushtojë jo më pak se 27 euro.” – tha Teliti në një deklaratë për mediat.
Treguesit kryesorë
Rruga do të jetë 115 kilometra,
Gjurmë e re 53 kilometra
Rehabilitim i rrugës ekzistuese 62 kilometra
Gjerësia minimumi 90 m maksimumi 130 m
Rruga do të jetë e kategorisë A dhe B
Vlera e investimit deri në 1,2 miliardë euro
Kontrata PPP për 35 vjet
Pagesa 0,075 euro për kilometër ose 8,7 euro për një kalim
Do të ketë rrugë alternative të mirëmbajtur
Rreth 10% e financimit do të jetë direkt nga buxheti i shtetit
Kostoja e ndërtimit
Kostoja e ndërtimit të 1 km rrugë në Shqipëri arrin deri në 12,2 milionë USD dhe, sipas një analize të bërë nga World Highway, renditemi të dytët në Evropë. Danimarka e ka 5,8 milionë euro, Kroacia 6,6 milionë euro e kështu me radhë. Sipas të njëjtit burim, na e kalon vetëm Austria, me 12,8 milionë euro për 1 km rrugë.
/En.Br./Fjala.al