Gjergj Bubani, intelektuali brilant në mbrojtje të Kosovës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Gjergj Bubani ishte në shkallën më të lartë të intelektualizmit shqiptar të viteve ’30 të shekullit të kaluar. Kur e lexon sot, ai tingëllon po aq aktual edhe në vitet ‘20 të mijëvjeçarit të ri

Nga Leonard Veizi

Ai vinte nga Kostanca e bukur ku kishte pasur një aktivitet të gjerë letrar e patriotik dhe u zhvendos në Tiranën gjysmorientale. E, megjithatë, edhe në Tiranë ziente një lëvizje patriotike, ku shtypi ishte vënë në front me emrat më të shquar të atyre viteve. Gjergj Bubani kishte përfunduar studimet në Athinë, pasi ishte diplomuar në liceun francez të Korçës me rezultate të shkëlqyera. Por që të mbërrinte në këtë pikë, ai kishte sakrifikuar fort, duke bërë për disa vite me radhë 15 kilometra rrugë në këmbë, nga Boboshtica në Korçë e anasjelltas, me qëllimin e vetëm që të arsimohej…

…Gjergj Bubani ishte në shkallën më të lartë të intelektualizmit shqiptar të viteve ’30 të shekullit të kaluar. Kur e lexon sot, ai tingëllon po aq aktual edhe në vitet ‘20 të mijëvjeçarit të ri. Dhe të mos ia njohësh historinë, pa dyshim që do të mendosh se ai është një nga gazetarët që ka mbaruar Filologjikun e Tiranës dhe punon në ndonjë gazetë të përditshme apo në ndonjë portal, në rastin më fatkeq. Por ai është larguar nga jeta në 28 shkurt të vitit 1954. Kishte bërë 6 vite burg, nga ato të komunizmit dhe vdiq vetëm 5 ditë para se të mbushte 55 vjeç. Sepse Gjergj Bubani kishte lindur në Boboshticë të Korçës, në 5 mars 1899.

Ashtu siç shkruan Kliton Nesturi në një monografi që ia ka kushtuar kësaj figure, Gjergj Bubani ishte një “i harruar i përkohshëm”. Sepse në 45 vitet e regjimit të Hoxhës, emri i tij mbeti i pluhurosur në arkiva. Ai ishte “armik” i regjimit, jo pse ngriti pushkë kundër tij, por se kishte pranuar të ishte drejtor i së parës radio shqiptare, inaugurimin e së cilës e bëri mbreti i atëhershëm i Shqipërisë, Ahmet Zogu.

Për mbledhjen e të gjithë krijimtarisë së tij u morën gjatë dy djemtë e Bubanit, Dionisi dhe Loredani, që të dy me një kontribut shumë të madh në letrat shqipe të mëvonshme. “Ishte një punë shumë e lodhshme mbledhja dhe përzgjedhja e shkrimeve të Gjergj Bubanit, botuar në shumë organe të shtypit, në Rumani e Shqipëri, gjatë një periudhe prej një çerek shekulli”, shkruan Loredan Bubani në vëllimin e parë me Vepra të Zgjedhura të Gjergj Bubanit. Dhe janë tri vëllime të tilla, përmbajtja e të cilave është shtrirë në të paktën 1500 faqe libri.

Krijimtaria e Gjergj Bubanit ndahet në tri kolona të mëdha: publicistika, satira dhe përkthimet. Por publicistika ka qenë fusha kryesore e krijimtarisë së tij. Dhe ashtu siç shkruan dr. i Shkencave Filologjike, Ndue Zef Toma, “Karakteristika kryesore e shkrimeve të tij publicistike janë: mprehtësia në kapjen e problemeve më të rëndësishme të jetës politiko-shoqërore të kohës, qartësia e shprehjes së ideve; argumentimi bindës i mendimeve dhe i konkluzioneve, shqetësimi i fortë qytetar për fatet e atdheut e të kombit”.

“Për krijimtarinë origjinale, në prozë e në poezi, si dhe për përkthimet, Gjergj Bubani mund të konsiderohet një nga shkrimtarët e rinj premtues të letërsisë bashkëkohore shqiptare”, do të shkruante prof. Gaetano Petrotta, në “Popolo, lingua e letteratura albanese” botuar në vitin 1934.

Në vitin 1919 Gjergj Bubani shfaqet me pseudonimet “Guri i Malësorit” dhe “Malësori”, në organet që botoheshin në gjuhën shqipe “Shqipëria e re” në Bukuresht, dhe “Kuvendi” në Bari të Italisë.

Në vitin 1922 Bubani botoi dhe drejtoi në Kostancë revistën letrare “Dodona”.

Gjatë viteve 1924-1927, përveç funksionit të kryeredaktorit e të drejtorit politik të gazetës “Shqiptarja e re”, Gjergj Bubani ishte dhe korrespodent i shtypit shqiptar.

Më 1926 botoi dhe drejtoi në Bukuresht gazetën “Zëri Shqiptar”.

Në vitin 1932 filloi të botonte nën drejtimin e tij në Kostancë gazetën “Kosova”, ku demaskoi me fakte të pakundërshtueshme gjenocidin e shovinistëve serbë kundër vëllezërve kosovarë.

Në vitin 1934 Gjergj Bubani botoi në Bukuresht gazetën “Kuvendi Kombëtar”.

Në vitin 1936 u emërua kryeredaktor i së përditshmes me parime nacionaliste “Drita”, që botohej në Tiranë.

Në 28 nëntor 1938 u emërua drejtor i Radio Tiranës.

Krijimtaria e Gjergj Bubanit në pjesën më të madhe të titujve i është kushtuar çështjes kombëtare. Por çështja kombëtare për të nuk mbaronte vetëm me Kosovën. Po aq sa kësaj çështjeje, ai iu kushtua edhe çështjes çame.

Në titujt mbizotërues të kësaj krijimtarie shquhen “Faste të Jugosllavisë së Madhe, “Mizoritë serbe në Vilajet të Kosovës”, “Imperializmi Jugosllav dhe Shqipëria”. “Kosova në rrezik”, “Për grekomanët shqiptarë”. Por një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e tij zë dhe shqetësimi për arsimimin e brezave: “Nevoja e shkollave shqip”, “Shkollat e katundeve grekofone”, “Duam theatër”, “Djelmunia shqiptare” etj.

Edhe pse me një aktivitet të gjerë patriotik dhe një publicistikë pararendëse, regjimi komunist nuk e kurseu Gjergj Bubanin, por e dënoi me një akuzë qesharake: “Gjergj Bubani – akuzohet: Se është bërë vegël e propagandës armike (si agjitator, propagandist, dhe publicist) me anë të radios dhe fletoreve. Ka shkruar artikuj për okupatorin dhe kondra luftës së popullit”.

Sot në Tiranë, një rrugë mban emrin e tij.

Faste1) të “Jugosllavisë së madhe”

Fshatra shqiptare të sulmuara e të rrënuara nga serbët – Pesëmbëdhjetë mijë të arratisur – Katër mijë të emigruar në Shkodër

(Korrespondenca jonë e veçantë)

Shkodër, 24 mars

Kanë mbërritur në Shkodër katër mijë shqiptarë të arratisur nga Plava, Gusinja dhe Rugova, të plaçitura dhe të rrënuara nga serbët e nga malazezët. Gjendja e këtyre fatzinjve është kaq e mjeruar, saqë nuk kam kurajë t’i përshkruaj. Banorët e Shkodrës, pasi lëshuan një klithmë indinjate dhe tmerri për çka u panë sytë, po bëjnë çmos për të treguar kujdes për vëllezërit e tyre të pafaat, viktima të imperializmit të çmendur jugosllav. Edhe fisi i Shalës ka ndarë kafshatën e bukës me të arratisurit, duke shpëtuar kështu qindra e qindra të mjerë nga uria dhe duke treguar atë ndjenjë të madhe patriotizmi që ka nisur të ndizet gjithkund në zemrën e Shqipërisë.

Nën tërbimin e furisë barbare të armikut mbi fshatrat shqiptare, me breshëri mitralozash, me batare pushkësh, me zjarr e me hekur, sa të pafajshëm kanë gjetur vdekjen prej trupave të rregullta serbe, të lëshuara në një gjueti të vërtetë e mizore njerëzish nëpër territorin tonë! Me sa duket, Perandoria e ardhshme e Trumbigëve, Pashiçëve, Vesniçëve e Zoelgërve do që t’i dalë përpara Uilsonit e ta parandalojë.

Nëse Plava, Gusinja dhe Rugova do të bëjnë një plebishit, sa banorë do të kenë mbetur në këto treva për të ngritur zërin e tyre? Shumë pak, sepse Serbia e zgjidh problemin duke i qetësuar shpirtrat ekspansionistë me metodat tradicionale të politikës më brutale që mund të bëhet.

Numri i shqiptarëve të shtrënguar të braktisin fshatrat dhe shtëpitë e tyre llogaritet në 15000, ndonëse prej tyre vetëm, 4000 kanë mbërritur deri tani në Shkodër. Shumë prej tyre janë strehuar në malësitë e Gjakovës, shumë janë zhdukur mes flakëve që kanë përpirë fshatrat, shumë e shumë kanë vdekur gjatë rrugëtimit, të rraskapitur e të mposhtur nga stërmundimi dhe uria; shumë të tjerë kanë humbur jetën nga ortekët, për shkak të dëborës se këtij viti, që ka arritur më se një metër lartësi. Falë një hetimi të shpejtë që kam mundur të bëj, më rezulton se sasia e shtëpive të djegura është si më poshtë: në distriktin e Podgurit, në Radafc 3, në Ablanicën e madhe e të vogël 65; në Kaliçian 36, në Armaberda 35; në Luboshuv 25. Në distriktin e Rugovës janë rrënuar krejtësisht fshatrat Shtepeiç i vogël e i madh, si dhe Malajt, Ndrelajt, Stankajt, Haxhiajt, Reka e Allagës, Kuçiskta, Pepiç e Duganjiva. Flakët kanë përpirë edhe një pjesë të shtëpive të Plavës e të Gusinjës, kurse në rrethinat e tyre janë shkatërruar krejtësisht 65 shtëpi të fshatit Vuthaj, 53 të fshatit Martnovic. Fshati i Nerqikit, që kishte 45 shtëpi, është rrafshuar krejt. Komuna e Shkodrës, me të mbërritur lajmet e para, në mënyrë shumë të lavdërueshme dërgoi mënjëherë disa karroca në kërkim të këtyre vëllezërve tanë të mërguar dhe përgatiti strehë e ushqime.

Lexo edhe :  Gazeta Fjala, 8 Maj 2024

U formua gjithashtu edhe një Komitet i posaçëm që do të merret me të mërguarit dhe do të përkujdeset për fatin e tyre. Tragjedia që shfaqet sot para syve tanë, nuk ndryshon aspak nga ajo që ndodhi në Toskëri (Shqipëria e Poshtme) më 1914. Edhe atje grekët, për arsye politike, dogjën atëherë më se 300 lagje qytetesh e fshatra dhe i masakruan banorët. Nuk ka zemër që të mos preket kur sheh gjithë këta të mjerë, të zbuar me dhunë nga politika jugosllave. Ata kanë mbërritur te ne në një gjendje që nuk mund të përshkruhet. Gra dhe burra, pleq dhe fëmijë janë tretur nga vuajtjet dhe privacionet; kush mban krahaqafë një dhi, kush tërheq lopën a një kalë që i kanë shpëtuar plaçkitjes, kush mban një thes me disa rrangulla shtëpiake, e që të gjithë kanë të pikturuar në sy terrorin. Asnjë prej tyre nuk munda ta marr në pyetje. Aq e fuqishme ka qenë ndjesia e tmerrit të provuar përballë fuqisë së sulmit të papritur të armikut, saqë kurrkush prej tyre nuk është në gjendje që të na japë shpjegime. Gjithsesi, vëllezërit tanë fatzinj nuk duhet të dëshpërohen, sepse dhuna dhe padrejtësia nuk mund të mbeten pa u ndëshkuar dhe se përfaqësuesit e tri Fuqive Aleate që ndodhen këtu, kanë konstatuar personalisht fatin e tyre të mjerë dhe Konferenca e Parisit do të përkujdeset që të përmbushet drejtësia për ta.

Malsori

(Botuar italisht te “Kuvendi”, 31 mars 1919)

1)Bëma; “faqe të lavdishme”.

Mizoritë serbe në Vilajet të Kosovës

Shqiptarët kundër shkelësit

(Nga korrespondenti ynë) Shkodër, 25 maj

Njerëz që erdhën këtu prej Gjakove, kallëzojnë se në Pejë populli u çua, me 10 të këtij muaji, kundër serbëve. Togje shqiptarësh e malazezësh t’armatosur i rrethuan e i vranë nja 200 ushtarë serbë, të cilëvet iu zunë edhe ca topa. Në Gjakovë jan’ e po derdhen shqiptarë t’armatosur e asht frikë se mos edhe atje, për pak ditë, do të pëlcasë ndonjë kryengritje kundër serbëve. Kryengritja u shkaktua pikë së pari nga puna që shqiptarët s’mund të durojnë mundimet e angaritë e paprera në të cilat serbët i shtrëngojnë me pahir e me çfardosoj mënyre, ashtu sikundër nuk duan të venë pas udhëvet, ku Komanda serbe i shtrëngon të punojnë si skllevër, e as që mund të durojnë t’u merret nëpër këmbë nderi i shtëpive të tyre, feja e plëngu.

Në mes t’aq poshtërsirave serbe, e të provës s’atij qytetërimi të lartë, kujt zoti Clemenceau dashka sipërgjithash t’i ngarkoje mandate, pa numëruar masakrat, vjedhjet e grabitjet që s’ka ditë të mos bëhen, mësojmë se janë djegur ca kisha shqiptare e priftërit (janë) shtrënguar t’ikin.

Malsori

“Kuvendi”, 31 maj 1919

Kosova në rrezik

Brumbulli

Me krijimin e Shtetit Shqipëtar ëndrra kombëtare aspak s’asht plotësuar. Shqipnia e sotme nuk përmbledh brenda në kufinin e saj veçse nji pjesë të kombit shqipëtar, kurse shumica e tokës shqipe ka mbet ndën robëni të zezë. Çamëria rënkon ndën thembrën greke, kurse Kosova trime dhe e bukur asht e detyruar prej fatit të zi të durojë shkelmën serbe sundimtare. Shqipëtarët që patën fatin të jenë nga Shqipnia e lirë, s’lypset asnjë grimë të harrojnë vllazënit e tyre ndën robëri.

Sot s’kemi në dorë posibilitetin e fuqisë për me i liru këto vise, se jemi shumë të vegjël dhe armiqtë tanë, të fuqishëm. Por kjo gjë s’lypset aspak të na dëshpërojë.

Sigurisht ka për të ardhur dita e bukur, kur ylli i kombëtar asht me u naltësue, se fati i shteteve ngjan mun’ si fati i njerëzive, dhe kjo botë pas fjalës së qetë popullore, asht nji rrotë që gjithmonë vërtitet. Shpresa, pra, për nji të ardhme më të shkëlqyer, s’lypset asnjë grimë të mungojë nga shpirtrat tanë, por, mbi këtë shpresë tue e mbshtetur, të vazhdojmë pa reshtie dhe pa përtim punën tonë kombëtare. Detyra jonë drejt kombit aspak s’asht mbarue, sa kohë shkaba e zezë me fushën e kuqe mun’ si gjaku s’valon e lirë nëpër fushat dhe majmalet e Kosovës dhe të Çamërisë.

Mirëpo Kosova asht në rrezik. Serbia me mjete tërthore dëbon popullsinë e atjeshme tue e dërguar ndë Anadoll, dhe në katundet thjesht shqiptare po vendos serbë dhe malazias. Deri tash numri i emigrantëve shqiptarë nga viset e Kosovës ngrihet në disa dhjetëra mijëra dhe operacioni i emigrimit vazhdon të bëhet në tërë rregullën. Lodrën e serbëve dhe qëllimin e tyre satanik për të sllavizuar tokën shqipëtare, fatbardhësisht e pat kuptuar tani më së fundi Qeveria Turke, e cila u deklarua kundër këtij emigrimi dhe për ta ndaluar s’don më të qasë emigrantët shqipëtarë. S’na intereson aspak të dimë në Qeveria e Angorës pati marrë këtë vendim tue u shtye nga një simpati drejt nesh, ose nga tjetër send; mjaft asht që ky vendim dhe kjo masë e marrë prej saj sot na ndihmon tue ndaluar emigrimin. Mirëpo ky ndallm bëri që të mbeten në Bullgari në të katër udhët, në një gjendje të keqe, përmi 1200 emigrantë që ishin nisur përpara tre muajsh. Shumica e tyre janë gra dhe foshnja dhe vuajnë tepër.

Mbi ne bije barra për me shpëtue këta vllazën fatmjerë nga vdekja dhe humbja e sigurt. S’lypset të harrojmë se dimri asht në të hyrë e sipër dhe, në qoftë se ky dimër i gjen këta fatzinj udhëve, shumica e tyre kanë me humbë. Qeveria i dha një ndihmë shoqënisë “Kosova” për repatririmin në Shqipni të lirë të këtyre emigrantëve, por ndihma e Qeverisë s’mjafton. Shoqënia “Kosova” lyp në këtë grimë të rëndë dhe ndihmat morale dhe lëndore të çdokujt që kupton ndër rrëmbat e tij gjakun shqipëtar, dhe pret të madhe përkrahje nga vllazënit që jetojnë në Rumani, Bullgari dhe Turqi, të cilët gjithmonë e kanë ba detyrën e vet.

* * *

Pas disa ditësh, një komisje dashamirësh patriotë do të dalë në Bukuresht të mbledhë ndihma për të 1200 emigrantët që shënuam më nalt. Le të mos gjendet asnjeri nga ne i cili të mbetet me zemër të palënduar përpara këtij fatmjerimi. Le të japim të gjithë me duar plot dhe të jemi të sigurt që të 1200 shpirtrat e shpëtuar nga dhurata jonë do t’i luten Zotit për ne, kurse Kombi i tërë Shqipëtar do të na falenderojë. Le të dimë të bëjmë dhe këtë radhë detyrën tonë dhe le të japim me duart plot.

Bub.

“Shqipëri’ e Re”, 5 gusht 1923, nr. 139, f. 1.

Të fundit

3 biseda që çdo çift i martuar duhet t’i bëjë

Komunikimi i rregullt dhe i hapur rreth nevojave, dëshirave, preferencave apo kufijve seksualë është çelësi për të një marrëdhënie...

Tirana binjakëzohet me Venecian/ Veliaj: Fillojmë një histori të re bashkëpunimi

Kjo e diel ka shënuar një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Venecias. Në një ceremoni të veçantë u bë binjakëzimi mes...

Takimi në Athinë/ Rama preku jo vetëm qeverinë por edhe opozitën

Analisti Skënder Minxhozi e cilësoi takimin e kryeministrit Edi Rama me emigrantët në Greqi si një sukses të tijin si politikan. Në një intervistë...

Grabiti makinën e dy italianëve, Ervis Myrtaj dyshohet si autor i 2 vjedhjeve të tjera!

Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me Ervis Myrtajn, i cili dyshohet si autor i vjedhjes së një shume parash dhe sendesh personale,...

Arsyet që do të të bindin të ecësh pas vaktit të darkës

E dije se të ecësh pasi ke ngrënë darkën mund të jetë çelësi i përmirësimit të shëndetit tënd të përgjithshëm? Një ecje e shkurtër...

Lajme të tjera

Web TV