Si po shkon procesi i legalizimit në vend dhe mbetja pezull e shumë dosjeve. Dyshimi i Zhdukjes së 3200 dosjeve nga Tirana Rurale dhe si ndryshoi ligji në vitin 2017 për përfshirjen në proces të ndërtimeve të reje.
Nga Ornela Bereti
Personat që kanë ndërtuar pa leje dhe ende nuk kanë kaluar procesin e legalizimit do të presin të paktën edhe një dekadë për të marrë dokumentin e pronësisë. Kontrolli i Lartë Shtetit ka kryer një auditim në drejtorinë e ALUZINI-t Tirana Rurale, ku përpos shkeljeve që ka konstatuar ka dalë në përfundimin se me këtë ritme që po ecet eme shqyrtimin e dosjeve do të duhen edhe 12 vjet që procesi i legalizimit të përfundojnë.
Këtë fakt e konfirmojnë edhe të dhënat e publikuara nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në analizën vjetore për vitin 2019. Në dokumentin e publikuar në faqen zyrtare të AKSH-së thuhet se deri në fund të vitit 2019 janë pajisur me leje legalizimi në të gjithë vendin rreth 178 mijë ndërtime. Në shkallë vendi nga viti 2006 kur nis procesi i vetdeklarimit të ndërtimeve pa leje deri kur ai u mbyll janë regjistruar 427 mijë ndërtime pa leje.
Raporti i KLSh-së
Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit thuhet se nga janari i vitit 2016 deri më fund të gushtit të vitit 2019 janë legalizuar gjithsej 6599 objekte këto në një afat kohor prej 4 vjetësh me një mesatare vjetore 1649 objekte në vit ose përafërsisht 31 % në vit e krahasuar me numrin total të vet deklarimeve.
“Ngelen për tu legalizuar dhe 14,539 (21138-6599) objekte informale të cilat nuk janë futur akoma në proces legalizimi. Në periudhën janar gusht 2019 janë dhënë 710 leje legalizimi. Pra legalizimi sipas këtij ritmi është me një performancë të ulët ku konstatohet se me këtë ritëm në 4 vjet janë legalizuar 6599 objekte afërsisht ose 1649 objekte në vit, pra duhen rreth 12 vjet që të mbarojë legalizimi i objekteve informale kur janë dhe 14,539 objekte të pa legalizuara”-thuhet në raport.
Përveç ritmeve të ngadalta që po ndjek procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje në raportin e KLSH-së pasqyrohen edhe një sërë shkeljesh që shoqërojnë këtë proces. Humbje e dosjeve, mungesë të arkëtimit të takës së ndikimit në infrastrukturë, legalizim ndërtimesh në shkelje të distancave të përcaktuara në ligj, janë shkeljet e raportuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
“Gjatë periudhës së auditimit janar 2016 deri në gusht 2019 në Drejtorinë Rajonale të ALUIZNI-Tirana Rurale 213 objekte informale janë me problematika të ndryshme në afërsi të rrugëve, lumit, kanalit, ka studim për infrastrukturë rrugore etj. Nga këto objekte përveç 5 rasteve kur objektet janë skualifikuar, në të gjitha rastet e tjera nuk janë ndjekur procedurat ligjore për përjashtimin nga procesi i legalizimit,-thuhet në raport. Ndërkohë po gjatë të njëjtës periudhë 3563 dosje të cilat kanë dalë dhe nuk janë bërë hyrje në arshivë dhe nuk ka asnjë të dhënë apo dokument për administrimin e tyre, veprime këto në kundërshtim me përcaktimet ligjore për administrimin dhe arkivimin e dokumentacionit” – thuhet në raport.
Gjithashtu KLSh thotë: “Theksojmë se në dosjet e kthyera në plotë raste janë rikthyer dhe nxjerrë disa herë dosjet dhe pa as një motiv, nuk përshkruhet arsyeja e tyre e rikthimit në arkiv në sasinë 2819 kur rezulton se për këto subjekte janë kryer matjet, gent-planet, planimetritë dhe nuk kanë marrë vendime duke shkelur të gjitha afatet ligjore dhe deri tani nuk janë legalizuar duke e zgjatur këtë afat me vite.”
Ankesat pa përgjigje
Ish Drejtoritë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Tirana Rurale 1 dhe 2) nuk ka mbajtur evidencë më vete të ankesave të trajtuara ndër vite, afatet e shqyrtimit të tyre, përgjigjet dhe mënyrën e zgjidhjes së tyre, gjithashtu nuk është ngarkuar me urdhër të veçantë një person kompetent apo një grup specialistësh për shqyrtimin e ankesave, në asnjë nga dokumentet e punës të paraqitura për auditim nuk është adresuar përgjegjësia për shqyrtimin e ankesave, por ato i janë adresuar specialistëve përkatës rast pas rasti.
Sipas KLSH-së ka munguar bashkëpunimi dhe rakordimi ndërmjet sektorëve madje duke lënë pa adresuar problematikat e ngritura në ankesat e qytetarëve si dhe zgjidhjen brenda afateve ligjore,konkretisht gjatë periudhës janar 2016 deri në gusht 2019, në 1089 raste nuk është kthyer asnjë përgjigje për ankesat e bëra nga qytetarët apo institucione të ndryshme.
Për zgjidhjen e këtij ngërçi Kontrolli i Lartë i Shtetit i rekomandon Drejtorisë e ALUIZNI-t Tirana Rurale (Drejtorit Vendore të Agjenci së Shtetërore të Kadastrës Tirana Rurale 1 dhe 2), të marrë masa dhe të caktojë me urdhër një person kompetent për mbajtjen e evidencave të ankesave të trajtuara ndër vite, afatet e shqyrtimit të tyre, përgjigjet dhe mënyrën e zgjidhjes së tyre, arkivimin e dokumentacionit që fakton kthimin e përgjigjes si dhe të marrë masa të rrisë bashkëpunimin ndërmjet sektorëve duke adresuar problematikat e ngritura në ankesa si dhe dhënien e zgjidhjeve ligjore të problemeve.
Arkëtimi i takës
Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se arkën e Ish Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t Tirana Rurale mungojnë rreth 281,867,438 lekë, të cilat i korrespondojnë taksës së ndikimit në infrastrukturë për 5585 objekt. “Në procedurën e kualifikimit të objekteve informale, ka dërguar pranë Bashkive të Qarkut Tiranë shkresën për llogaritjen e pagesës së taksës së ndikimit në infrastrukturë vetëm për 5002 objekte informale, për 583 objekte nuk është nisur shkresa, dhe përsëri ka proceduar me vendim kualifikimi pa marrë konfirmim mbi pagesën e saj duke krijuar një mungesë të ardhurash në buxhetin e shtetit” – thuhet në raport.
KLSh i rekomandon Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Tirana Rurale 1 dhe 2, për nevoja të plotësimit të dokumentacionit tekniko-ligjor të objekteve me leje legalizimit të lëshuara, t’i kërkojë Bashkisë Tiranë, vërtetimet mbi llogaritjen dhe pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë në vlerën prej 281,867,438 lekë, si dhe të kërkojë që të bëhet regjistrimi në sektorin përkatës të kartelës në Drejtorinë Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Tirana Rurale, në refuzim të vendosen masë për kufizimin deri në arkëtimin e plotë të detyrimeve të papaguara.
Legalizohen 178.763 ndërtime në 14 vjet
Kategoritë e reja që iu shtuan përfituesve në 2017
Procesi i legalizimit është shoqëruar me ndryshime të herë pas hershme ligjore, të cilat kanë konsistuar në lehtësimin e procedurave apo edhe përjashtimin nga pagesat të një sërë kategorive. Gjatë periudhës 14 vjeçare që përkon me vitet 2006-2019 janë pajisur me leje legalizimi 178.763 ndërtime, shtëpi e objekte me qëllim biznesi. Procesi i legalizimeve ka marrë vrull përgjithësisht gjatë viteve që ka pasur zgjedhje, të përgjithshme ose vendore, por kulmin tij ky proces e ka shënuar në vitin 2016.
“Numri më i madh i lejeve të legalizimit është lëshuar në vitin 2016 me 48.351 leje” – thotë Agjencia Shtetërore e Kadastrës në raportin e saj për vitin 2019. Ndërkohë në vitin 2017 një kategori e re ndërtimesh iu shtua listës së përfituesve. Bëhet fjalë për pallatet të cilat nuk ishin pajisur me dokument pronësie pasi ndërtuesit e tyre, kishin shkelur lejen e ndërtimit apo kishin braktisur objektet pa përfunduar procesin e hipotekimit.
“Me hyrjen në fuqi VKM nr 19.11.2017, “Për përcaktimin e rregullave të legalizimit të objekteve me leje ndërtimi, në të cilat janë kryer shtesa anësore dhe/ose në lartësi ose ndryshime të funksionit të hapësirave dhe të objekteve shumëkatëshe pa leje, të destinuara për kalimin së drejtës së pronësisë apo qiradhënien”, u dha mundësia për realizimin e të drejtave të poseduesve të njësive individuale (në cilësinë e porositësve, apo pronarëve të truallit) për të disponuar në mënyrë të plotë dhe të lirë pronat e tyre, si dhe në zgjidhjen e ndikimit të mprehtë ekonomik dhe social që karakterizon këtë situatë.
Ka vazhduar puna për formalizmin e banesave kolektive nëpërmjet legalizimit dhe regjistrimi në regjistrin e pasurive të paluajtshme, të ndërtimeve informale (pallate)të “braktisura” nga subjekti ndërtues/investitor, 1.300 (subjekte), si pasojë e prishjes së shoqërisë tregtare, ose e daljes së tyre në inaktivitet.
Deri ne fund të vitit 2019 në rang vendi janë legalizuar 296 objekte (pallate) te braktisura, me lartësi 5 deri 12 kate, me sipërfaqe ndërtimi prej 1.322.352 m2” – thuhet në raportin e ASHK-së. Nga ky proces kanë përfituar rreth 2500 familje apartamente, njësi shërbimi,garazhe, etj. Qyteti me më shumë objekte të legalizuara është Tirana me 124 pallate, e ndjekur nga Saranda me 63 dhe Vlora me 29 të tilla. Krahas procedurave të legalizimit nga drejtoritë e varësie së ASHK-së gjatë kësaj periudhe janë kryer edhe procedurat administrative të përjashtimit nga procesi i legalizimit, për 210 ndërtime informale, të cilët nuk plotësojnë kriteret ligjore për legalizim, sipas ligjit nr.9482/2006 “Për legalizimin,…” dhe VKM nr.280/2014.
Kryesisht vendimet e përjashtimit nga legalizimi të ndërtimeve, janë marrë mbi bazën e kërkesave nga Inspektoratet e Mbrojtjes së Territorit Vendor pranë bashkive dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, në kuadër të zbatimit të projekteve të infrastrukturës publike.
Mbi 16 mijë prona, presin dokumentin nga 1991
Agjencia Shtetërore e Kadastrës bën të ditur se ka administruar 16 804 aplikime për regjistrim prone të paluajtshme. Poseduesit e pronës, të cilën cilëson të tillë deri në momentin që marrin dokumentin e pronësisë kanë 29 vjet që presin. “Numri i aplikuesve për pajisje me dokument pronësie të objekteve të ndërtuara para datës 31.10.1991, deri në fund të vitit 2019 është 16804 aplikues. Ndërsa vendime të marra gjatë vitit 2019 është për 249 pasuri të paluajtshme” – thuhet në raportin vjetor për vitin 2019 të Agjencisë së Kadastrës.
/En.Br./Fjala.al