Kampioni në fuqi i botës në Moto GP, Mark Markez, i cili theu krahun në një rrëzim të dhunshëm nga motori gjatë Çmimit të Madh të Spanjës të fundjavën e shkuar, është konfirmuar në mënyrë të papritur i gatshëm të rikthehet në garim këtë fundjavë, edhe pse të martën iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Në garën e hapjes së këtij sezoni të nivelit më të lartë të Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit, Moto GP, spanjolli kishte shmangur në xhirot e para një rrëzim të mundshëm.
Por ai vijoi të rrëzohej frikshëm në xhiron e 22-të, nga 25 të tilla, dhe të thyente kockën kryesore të krahut, për shkak të goditjes që mori nga motori i tij në rënie e sipër. Piloti i skuadrës “Repsol Honda” u dërguar me helikopter në Barcelonë të hënën pasdite dhe iu nënshtruar të hënën në mëngjes një ndërhyrjeje kirurgjikale, nga grupi i mjekëve të udhëhequr nga Dr. Ksavier Mir në Spitalin “Dexeus”. Ndërhyrja kirurgjikale u cilësua e suksesshme dhe kocka e thyer u përforcua nga një pllakë metalike, të fiksuar me vidha.
Por mjekët konfirmuan se Markezi nuk kishte pësuar ndonjë dëmtim të nervave të sistemit nervor periferik gjatë atij aksidenti. Markezi doli nga spitali të mërkurën në mëngjes, për të nisur procesin e rehabilitimit në shtëpi dhe synimi i tij në fillim ishte rikthimi në garë në fillim të muajit gusht, në Çmimin e Madh të Republikës Çeke, në garën e Brnos, që është gara e 3-të e kalendarit të rishikuar të Moto GP-së për 2020-ën.
Ndonëse si mjekët, ashtu edhe skuadra e tij deklaruan se gara çeke ishte synimi real për rikthimin e tij, sipas të përditshmes katalane “El Periodico de Catalunya”, vetë Markezi nuk e përjashtoi mundësinë që rikthehet në garën e kësaj fundjave në Herez, për Çmimin e Madh të Andaluzisë, duke marrë zemër nga lajmi që i ka shpëtuar dëmtimit të fijeve nervore. Dhe, pas kthimit në Herez të enjten, Markezi iu nënshtrua një kontrolli mjekësor enjten pasdite.
Një kontroll pas të cilit kampioni i botës u cilësua i gatshëm nga mjekët e Moto GP për të garuar këtë fundjavë.
Natyrisht, Markezi synonte që hipte prapë në motorin e tij këtë fundjavë duke synuar të kufizojë dëmin që mund t’i shkaktohet nga mungesa në një garë, me synimin madhor të fitimit të pikëve në këtë kampionat të shkurtuar. Hë për hë, vetëm 13 gara janë konfirmuar në kalendarin e rishikuar, me garat e planifikuara në Tajlandë dhe Malajzi që mund ta çojnë këtë numër në 15./Fjala.al/