Në 12 ditë 5 të vdekur dhe 7 të plagosur, nga  krimi i organizuar në vrasjet e momentit 

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Vendi përfshihet në ngjarje të rënda kriminale me humbje jetësh dhe plagosje të rënda. Elbasani nuk gjen qetësi në eliminimet zinxhir nga grupet e dyshuara kriminale. Vrasjet e momentit një tjetër shqetësim. Bilanci tragjik me një vrasje në dy ditë.

Elvis Myrta

Një ngjarje kriminale në ditë. Ky është bilanci për 12 ditët e fundit të muajit korrik. “Atentat mafioz trafikantit të drogës”, “Miku i “Ilit” gjendet i masakruar me thikë, pranë varrezave”, “I përfshirë në disa ngjarje kriminale, “Qorri” rrihet për vdekje nga shokët e dehur”, “Hajde se na vodhën misrin”, 65-vjeçari vritet nga hajduti”, “Konflikti për pronën i merr jetën 46-vjeçarit”, “35-vjeçari gjendet i vdekur anës rrugës, mister shkaqet”… Këto ishin disa nga titujt e portaleve të shumta dhe gazetave në 12 ditët e fundit të muajit korrik.

Pesë të vdekur dhe 7 të plagosur, është bilanci i trishtë, që nëse do të kthehej në statistika, i bie që çdo ditë një person ka mbetur i vdekur apo i plagosur. Gazeta “Fjala” ka marrë në analizë të gjitha ngjarjet e ndodhura në më pak se dy javët e fundit të korrikut në vend. Muaji korrik u mbyll me një bilanc jo të mirë për sa u përket ngjarjeve kriminale. Shifrat janë disi të frikshme, ku në më pak se dy javë u shënuan disa ngjarje kriminale, nga ku mbetën të vdekur 5 persona dhe u plagosën 7 të tjerë.

Megjithëse policia ka arritur ta zbardhë shumicën e këtyre ngjarjeve, statistikat janë të frikshme, pasi në 12 ditët e fundit të muajit korrik policia ka raportuar pothuajse çdo ditë për një ngjarje kriminale. Konfliktet për motive të dobëta, ato të pronësisë dhe larja e hesapeve, kanë qenë disa nga shkaqet që kanë çuar në përdorimin e armëve të zjarrit dhe atyre të ftohta, duke marrë jetën e një njeriu, apo në rastin më të mirë duke i plagosur. Ngjarja e parë do të ndodhte në 19 korrik, ku një grup të rinjsh, të komunitetit rom, pas një konflikti për motive të dobëta, nën efektin e pijeve alkoolike, i morën jetën një 35-vjeçari.

Gjergj Alliasi do të gjendej i vdekur anës rrugës, në lagjen “Zingjira”. Njëzet e katër orë më pas, një tjetër ngjarje e rëndë, do të trondiste qytezën e Patosit. Një konflikt i vjetër pronësie, mes familjeve Saliaj dhe Seati, do të shkonte deri në përdorimin e armëve të ftohta dhe, për pasojë, do të humbte jetën 46-vjeçari Përparim Seati. Ditët e fundit të korrikut do të ishin tronditëse për qytetarët e Elbasanit, i cili kohët e fundit i ngjason Palermos së viteve ‘80-‘90, pasi vrasjet janë kthyer në një ritual të zakonshëm. Elbasani, i cili prej gat 5 vitesh është “pushtuar” nga krimi dhe grupet kriminale që operojnë aty, pasditen e 22 korrikut do të tronditej nga një atentat mafioz, ku Emiljano Ramazani u ekzekutua duke parkuar automjetin e tij, poshtë pallatit ku banonte.

Një javë më pas, mbrëmjen e 29 korrikut, miku më i ngushtë i Ramazanit, 23-vjeçari Regis Runaj, do të gjendej i masakruar me thikë në ferrat e një rruge qorre, pranë varrezave të qytetit. Por, për qytetarët e Elbasanit lajmet për ngjarjet e rënda kriminale nuk mbaronin këtu, pasi ende pa hequr shiritat e rrethimit të vendit të krimit në periferi, një tjetër vend u rrethua si skenë krimi nga policia. Këtë herë shiritat do të vendoseshin në qendër, në një nga lokalet më të njohura të qytetit. Tre shokë, pasi kishin konsumuar alkool, kanë masakruar njërin prej tyre pas një konflikti banal.

Vrasja e “Qorrit të Vogël” 

Të përfshirët në këtë ngjarje për policinë e qarkut hyjnë tek emrat “Vip”, pasi janë personazhe mjaft të njohura dhe me precedentë kriminalë. Sokol Sanxhaktari, dhëndri i ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Adriano Hajdari, dhe Florian Lamçja, i njohur me nofkën “Qorri i Vogël”, shkuan në një lokal në qendër të Elbasanit. Pasi janë ulur porositën sërish alkool, ku kanë vijuar të qëndrojnë aty edhe pse lokali ishte i mbyllur. Duke përfituar nga fakti që lokali është i hapur, pa dyer e pa dritare, edhe pse kamerierët dhe pronari janë larguar tre “miqtë”, kanë vijuar të qëndrojnë aty. Në bisedë e sipër ata janë zënë me njëri-tjetrin, ku kanë përdorur shishet e birrës që kishin konsumuar dhe këmbët e karrigeve të lokalit.

Sipas burimeve që gazeta “Fjala” ka siguruar, mësohet se dy autorët e kanë masakruar viktimën, duke i shkaktuar plagë të rënda në trup. Pasi e kanë goditur në ambientet e brendshme të lokalit, autorët e kanë tërhequr zvarrë viktimën, deri në verandën e lokalit, ku e kanë goditur sërish me sende të forta. Gazeta “Fjala” ka mësuar se 30-vjeçari Florian Lamçja, ka qenë i armatosur, kur është rrahur për vdekje nga shokët e tij. Disa orë përpara sherrit, ai ka qëlluar në ajër tri herë më armë zjarri tip pistoletë, në ambientet e brendshme të lokalit. Dy të arrestuarit dhe vetë viktima Florian Lamçja konsiderohen si persona me precedentë kriminalë.

Vetë Lamçja, në muajin shkurt të vitit 2020 është hetuar nga autoritetet si i përfshirë në një ngjarje, ku qëlloi me armë në drejtim të R. Bylykbashit, por fatmirësisht pa i shkaktuar dëmtime. Gjithashtu, ai është vënë nën hetim edhe për dy plagosje të ndodhura në Elbasan, si dhe për një vrasje. Për këtë të fundit ai është dënuar vetëm me 3 vite burg, për veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës. Në vitin 2012, Lamçja dhe vëllai i tij u përfshinë në një ngjarje kriminale, ku vranë pranë banesës së tij Almir Canin. Pronari i disko “Tekila” në Elbasan u ekzekutua me dy plumba në kokë, mbrëmjen e 23 shkurtit 2012.

Dy vëllezërit Florian dhe Olsi Lamçja e kanë thërritur atë me telefon, duke e nxjerrë jashtë banesës nga ku më pas e kanë vrarë me dy plumba. Autorët arritën të fshehin mjaft prova të vendit të ngjarjes, përfshirë edhe gëzhojat, si dhe telefonin celular të viktimës. Në fund të gjykimit, Florian Lamçja u dënua me 3 vite burgim si personi që kishte fshehur provat në vendngjarje, ndërsa Olsi Lamçja u dënua me 22 vite burgim për akuzën e vrasjes me paramendim. I gjithë konflikti që solli më pas vrasjen ndodhi për një shumë prej 300 mijë lekësh të vjetër.

Atentati ndaj Emiljano Ramazanit 

Emiljano Ramazani, babai i katër fëmijëve, rreth orës 16:30, kur edhe u ekzekutua, kryente të njëjtën rutinë. Ai shkonte në palestër, ku qëndronte rreth një orë. Palestra ndodhet në lagjen “Beqir Dardha”. Dhe më pas kthehej në banesë. Pasi kanë llogaritur kohën dhe orën, autorët dyshohet se kanë ndjekur çdo lëvizje të tij. Sipas burimeve nga grupi hetimor, nga kamerat e sekuestruara është vënë re një person i dyshimtë, i cili përshkonte territorin e pallatit ku jetonte 39-vjeçari. Emiljano Ramazani u ekzekutua me pesë plumba në makinën e tij. Viktima mësohet se po hynte në mes të dy pallateve për të parkuar mjetin, ndërsa një nga autorët ka arritur ta qëllojë me pesë plumba viktimën. Më pas autorët janë larguar duke djegur makinën në një zonë të pyllëzuar, në Papër. Policia gjeti në mjetin e djegur edhe dy armë të tipit kallashnikov.

Emiljano Ramazani, i njohur si Ismail Rrahmani, është i njohur nga drejtësia, pasi ai është arrestuar dy herë për veprën penale të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Dyshohet se edhe vrasja e tij ka lidhje me territorin e shpërndarjes së lëndëve narkotike. Aktualisht, kjo është e vetmja pistë që po heton policia, ajo e pazareve të drogës. Për këtë ngjarje policia ka arrestuar Albert dhe Seit Manhasën, babë e bir, pasi në një makinë në servisin në pronësi të tyre, u gjet arma tip pistoletë me të cilën u ekzekutua, 39-vjeçari.

Lexo edhe :  Rama kujton sakrificat e emigrantëve: Nuk u dorëzuat kurrë

Vrasja e 23 vjeçarit, mik me “Ilin” 

Një javë pas atentatit mafioz që iu bë Ramazanit, në orët e vona të së mërkurës së 30 korrikut, në një rrugicë që të çon tek varrezat e qytetit të Elbasanit, do të gjendej i masakruar me thikë një 23-vjeçari Regis Runaj, i njohur si mik i ngushtë me Emiljano Ramazanin. Sipas policisë, i riu është goditur më shumë se 15 herë me mjet prerës, nga persona ende të paidentifikuar. Hetuesit kanë dalë në përfundimin se Regis Runaj dyshohet se është rrëmbyer dhe është vrarë në një vend tjetër, para se trupi të hidhej në rrugicë, ku nuk ka asnjë kamerë sigurie.

Ka qenë një kalimtar i rastit ai që e njoftuar policinë se afër varrezave ndodhej i pajetë një person. Hetuesit thonë se në afërsi të zonës ku u gjet trupi i të riut, janë fiksuar shenjat e frenimit të një makine. Kjo gjë e çon policinë në dyshimet se Runaj mund të jetë marrë me makinë nga një vend ende i papërcaktuar qartë, duke e çuar deri në lagjen “Emin Matraxhiu”. Por për të zbardhur edhe më shumë detaje rreth krimit makabër, policia ka kontrolluar edhe celularin e viktimës, në të cilin janë gjetur numrat e personave të fundit me të cilët 22-vjeçari ka biseduar. Burime nga strukturat e rendit sqaruan se janë të paktën tre persona që po verifikohen, nëse ndonjëri prej tyre ka telefonuar qëllimisht Regis Runajn për ta nxjerrë në pritë ose jo.

Kjo për shkak se tri telefonatat përkojnë të jenë bërë me orarin kur mendohet të jetë vrarë i riu. 22-vjeçari njihet si miku i ngushtë i Emiljano Ramazanit, i ekzekutuar në mënyrë mafioze pasditen e 20 korrikut po në Elbasan. Policia dyshon se vrasja e Ramazanit dhe e Runajt të kenë lidhje me njëra-tjetrën, dhe shkak dyshohet të jetë prishja e pazareve të drogës apo konfliktet për ndarjen e territorit.

Nga ana tjetër, hetuesit dyshojnë se Runaj është vrarë nga grupi rival, për shkak se mund të ketë pasur ndonjë informacion rreth konflikteve që ka pasur Emiljano Ramazani, apo dijeni rreth autorëve që e ekzekutuan atë. Regis Runaj u masakrua me mbi 25 prerje thike në trup, në zemër, fyt, fytyrë dhe qafë. Autorët e ngjarjes së rëndë dyshohet të kenë qenë më shumë se dy, të cilët fillimisht e kanë marrë në një makinë dhe pikërisht në vendin ku edhe është gjetur 22-vjeçari, ata e kanë qëlluar dhe më pas janë larguar nga aty. Në vendin ku u gjet i vdekur 22-vjeçari, terreni është i errët, pasi rrugica nuk ka drita. Kjo ka bërë që autorët të veprojnë në qetësi dhe pa u vënë re nga askush.

Vrasja e 35-vjeçarit në Gjirokastër 

Mbrëmjen e 19 korrikut 5 persona janë përfshirë në një konflikt fizik mes tyre. Nga ky konflikt, si pasojë e goditjeve me sende të forta, ka humbur jetën 35-vjeçari Gjergj Alliasi. I riu u gjet pa shenja jete nga një kalimtar i rastit, i cili njoftoi policinë. Uniformat blu të qytetit jugor shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nisën hetimet për zbardhjen e saj. Mëngjesin e 20 korrikut, policia zbardhi ngjarjen duke vënë në pranga si autorin kryesor të saj Pariz Xhihanin. Së bashku me të akuzuarin në pranga u vunë për moskallëzim krimi edhe adoleshentët me inicialet A. A., 18 vjeç; N. Xh., 16 vjeç dhe V. M., 14 vjeç, të tre banues në lagjen “Zinxhira”. Arrestimi i tyre u bë pasi ata kanë qenë të pranishëm në momentet që ka ndodhur krimi dhe nuk e kanë kallëzuar atë. Në njoftim zyrtar policia tha se krimi nuk ka qenë i paramenduar, por momental.

Viktima është shtyrë dhe goditur me sende të forta teksa ziheshin me njëri-tjetrin 5 të rinjtë romë. Më tej 35-vjeçari ka rënë në tokë dhe për pasojë është shkaktuar vdekja. Gjithçka është faktuar falë kamerës vëzhguese së instaluar në shkollën 9-vjeçare të lagjes Zinxhira, filmimi i së cilës është marrë si provë materiale nga grupi hetimor. Materialet i ka marrë në dorëzim Prokuroria e Gjirokastrës për hetime të mëtejshme, ndërkohë që pas 2 ditësh personave të arrestuar do t’u jepet masa e ndalimit.

Konflikti për pronën i mori jetën 46-vjeçarit në Patos 

Një konflikt i vjetër pronësie ka qenë shkaku i vrasjes me thikë së 46-vjeçarit Përparim Seati, nga fqinji i tij 31-vjeçar, Aliond Saliaj, i cili u arrestua nga policia dhe akuzohet për veprën penale “Vrasje me dashje” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të ftohta”. Dy familjet mësohet se ishin përfshirë në një konflikt pronësie dhe nuk flisnin prej vitesh, kështu që ka mjaftuar vetëm një fjalë që të nisë sherri mes tyre. “Pse më sheh ashtu”, mësohet të ketë thënë njëri prej tyre, dhe Saliaj më pas ka nxjerrë thikën duke e lënë Seatin të plagosur.

Ky i fundit, u dërgua në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale pas plagosjes, por nuk ka mundur t’u mbijetojë dot plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në ambientet e spitalit. Autori, pas krimit u largua nga vendi i ngjarjes me anë të një makine të llojit “Benz”, por pas disa orësh u vu në pranga. Sipas kryeplakut të fshatit, viktima dhe nipi i autorit ishin zënë disa vite më parë, për çështje pronësie. “Autori i vrasjes pretendonte se familja e viktimës kishte zënë një copë tokë pa tapi. Në kooperativë ajo tokë ka qenë e mbjellë me kumbulla dhe i dhanë nja tre rrënjë, por pa i hedhur në tapi. Tani pretendonin se ia dha komisioni.

Unë ankesë nuk kam pasur nga njeri që të më thoshin më kanë zënë tokën. As nga banorët, as nga dy palët s’kisha dijeni. Unë për këtë rast s’kisha asnjë lloj dijenie. Probleme ka në përgjithësi, por për këtë rast s’kisha dijeni. Përparimin e gjetëm këtu. Në qendër. Erdhi një makinë e mori dhe më pas e dërgoi në spital. Autori ka sapo ishte kthyer nga Greqia. Probleme të tjera s’ka pasur tani. Para 6-7 vjetësh ka qenë një zënkë, por me nipin e autorit. Sherri i parë është bërë për rrugë, ndërsa tani ka ndodhur për kumbulla. Për 700 metra tokë, ose e shumta 1 dynym”, u shpreh në media, pas krimit, kryeplaku Haxhi Qosja.

65-vjeçari vritet nga hajduti i misrit 

Vjedhja e misrit është shkaku i vrasjes së një 65-vjeçari dhe plagosjes së vëllait të tij në Xhafzotaj të Shijakut. Dy vëllezërve disa ditë më parë u ishte vjedhur misër. Ruajtja e arës së tyre do të ishte fatale për Fiqiri Çallikun, pasi hajduti i misrit u rikthye sërish dje, duke qëlluar disa herë me thikë 65-vjeçarin dhe plagosur vëllain e tij, i cili, fatmirësisht, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. 65-vjeçari Fiqiri Çalliku u vra në Xhafzotaj të Shijakut, në orët e vona të ditës së mërkurë. Policia bën me dije se viktima ka qenë së bashku me vëllain e tij, Fadil Çalliku, 63 vjeç, në pronën e tyre, kur janë konfliktuar me një tjetër person, i cili ka shkuar t’u vjedhur misrin. Situata është tensionuar, pasi vëllezërit e kanë dalluar dhe janë përleshur me të.

Si pasojë 65-vjeçari është goditur me mjet prerës, të cilin autori e përdorte për të prerë misrin. Menjëherë është nisur për në spital, por, fatkeqësisht, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra. Mësohet se në mbrëmjen e 29 korrikut dy vëllezërit shkuan të ruanin parcelën me misër, por hajduti, ende i paidentifikuar deri më tani, i qëlloi me një mjet prerës të dy vëllezërit. Nga ana e grupit hetimor janë shoqëruar disa persona dhe janë sekuestruar prova materiale në vendngjarje./Bl.Ba/Fjala.al

Të fundit

“Vuanin nga zemra dhe…”/ Dy ukrainaset që humbën jetën në Tiranë, dalin detaje të reja

Zbulohen detaje të reja në lidhje me vdekjen e dy vajzave nga Ukraina, të cilat u gjetën pa shenja...

Kur Rama ia kalon edhe Micotaqis!

Nga Dritan Hila Në udhëtimin e tij në Athinë Rama doli përtej pritshmërive të skeptikëve. Jo vetëm që preku të gjitha temat e nxehta por...

Çuçi mbledh Grupin e PS-së: Merreni me shumë impenjim, pas dy javësh do jemi në…

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste zhvilloi sot mbledhjen e përjavshme. Kryetari Bledi Çuçi e nisi fjalën e tij me një falenderim të posaçëm për...

Temperatura të larta dhe reshje shiu, parashikimi i motit përgjatë javës

Kjo javë do të jetë e shoqëruar me mot të paqëndrueshëm, herë me temperatura të larta, por nuk do të mungojnë edhe reshjet e...

Po intervistonte live, gazetares i ndodh e papritura (Foto)

Nje moment i sikletshem ka qenë ky për një gazetare e cila mori një goditje nga një top futbolli gjatë një interviste për ndeshjen,...

Lajme të tjera

Web TV